PD mbledh Kryesinë, Berisha: Nuk njohim zgjedhjet, por do hyjmë në Parlament për të luftuar për votën e lirë

Partia Demokratike vijon të ruajë qëndrimin për të mos i njohur zgjedhjet e 11 majit, por ka vendosur të marrë pjesë në seancën e parë të Parlamentit të ri, e cila do të çelet më 12 shtator.
Vendimi është komunikuar këtë të mërkurë (10 shtator) nga kryedemokrati Sali Berisha në mbledhjen e parë të Kryesisë së PD-së pas zgjedhjeve.
Duke iu referuar debateve të brendshme mbi pjesëmarrjen apo jo në Parlament, Berisha theksoi se çdo hapësirë duhet përdorur për të luftuar regjimin aktual.
“Duke kërkuar këtë nga kryesia, unë di se ka një debat të marrim pjesë apo jo në parlament. Ua them ju personalisht, unë mendoj se në këtë diktaturë, ne nuk duhet të lëmë asnjë hapësirë bosh nga e cila të mos luftojmë kundër saj. Dhe në qoftë se ka një gjë themelore që kërkohet nga secili prej nesh, kërkohet qëndrimi si do ndryshojmë ne në raport me narkodiktaturën, organizatën kriminale që ka uzurpuar pushtetin.
Ua them unë edhe demokratëve që mendojnë se është më mirë të mos futemi në parlament. Jo, nuk është më mirë. Në një diktaturë duhet të falënderosh Zotin që të jep mundësi ta luftosh atë”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, situata aktuale kërkon një qasje të re nga PD-ja, përfshirë një “ribrendim” dhe një përkushtim më të madh nga çdo anëtar i strukturës drejtuese.
“Cili do jetë qëndrimi ynë i ri? Secili mund të shohë veten dhe të thotë se unë kam bërë sa kam mundur. Jo, as unë nuk kam bërë sa kam mundur, asnjëri nuk kemi bërë sa mundemi. Tani kërkohet një ribrendim, një ndryshim para këtij mali të farsës elektorale, Beteja jonë kërkon energji, forca dhe forma të reja”, tha kryedemokrati.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PD, nuk qenë të pranishëm deputetët demokratë të cilët nuk u rizgjodhën më 11 maj.
/rtsh.al/