Berisha: Protesta e radhës në ditët e para të qershorit

TIRANË, 18 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri të ditur sot se protesta e ardhshme e opozitës do të zhvillohet në fillim të qershorit.
Në një prononcim për mediet, pas paraqitjes në SPAK për dosjen “Partizani”, Berisha u shpreh se opozita nuk do të heqë dorë nga protestat.
Megjithatë, sipas tij, “fillimisht angazhimi do të jetë te referendumi për votëbesimin e kryetarit dhe te Kuvendi Kombëtar”.
“Në mënyrën më të fuqishme do të vazhdohet me protesta. Por nga sot, deri më datën 30 maj kemi dy ngjarje të mëdha: është referendumi për votëbesimin e kryetarit dhe është Kuvendi Kombëtar”, tha Berisha.
Këto, sipas tij, “janë procese që kërkojnë punë, kërkojnë përgatitje teknike dhe një punë të gjerë”.
Ndaj, Berisha siguroi që ditët e para të qershorit do të jetë kryengritja paqësore më e fuqishme që ka njohur Shqipëria.
Ndërkaq, në dalje nga paraqitja në SPAK Berisha sërish akuzoi ish-kreun e këtij institucioni Altin Dumani për pastrim parash me blerjen e një vile.
Sipas Berishës, Dumani ka ndërmarrë sulmin më të rëndë kundër pluralizmit politik në Shqipëri, ndërsa vuri në dukje se ai amnistoi dosjet e blerjes së votave.
“Ky njeri prishi hetimin e inceneratorit duke kërkuar arrestimin e Arben Ahmetajt, i vetmi në Shqipëri që vetëm për atë problem nuk mund të shpallej i arrestuar, sepse e kishte kundërshtuar pesë herë”, deklaroi Berisha.
Sipas Berishës, Dumani zbatonte urdhrat e Ramës. “Ndaj i kërkojmë këtij largimin e menjëhershëm nga detyra. Prandaj ky njeri mbron Irenën me 5 mbiemra, se është vetë një ‘Irenë'”, u shpreh ai.
/m.m/j.p/r.e/