E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Tiranës shoqëron 6 shoferë dhe verifikon 61 automjete luksoze

TIRANË, 1 gusht  /ATSH/ Policia e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në terren në kuadër të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Policia informon se kontrollet janë zhvilluar nga Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, me fokus evidentimin e armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim, si dhe verifikimin e automjeteve luksoze, mjeteve të blinduara dhe automjeteve me xhama të errësuar apo modifikime që krijojnë zhurma shqetësuese.

Sipas Policisë, gjatë kontrolleve në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit janë kontrolluar dhe verifikuar 61 automjete luksoze, ndërsa janë verifikuar edhe 82 shtetas me precedentë kriminalë në fusha të ndryshme.

Si rezultat i verifikimeve, 11 automjeteve luksoze u janë hequr xhamat e errësuar në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor, ndërsa në total janë konstatuar dhe hequr 61 xhama të errësuar, një pjesë e tyre në xhamin e përparmë të automjeteve.

Gjithashtu, pesë automjete, mes tyre një mjet i blinduar, janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për verifikime të mëtejshme.

Policia bëri të ditur se janë shoqëruar edhe gjashtë shtetas, pasi gjatë kontrolleve u janë gjetur lëndë narkotike, shkopinj bejsbolli dhe shkopinj metalikë, ndërsa një prej tyre u konstatua duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Gjatë operacionit janë sekuestruar armë të ftohta dhe lëndë narkotike.

Policia e Shtetit theksoi se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, me synim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›