E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Takimi për 8 Marsin, Rama ndan lule për gratë dhe vajzat

TIRANË, 8 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me gra dhe vajza me rastin e 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave. Rama përcolli në rrjetet sociale momentet teksa u ndau atyre lule me rastin e kësaj dite.

Rama u shpreh në fjalën e tij se “nëse ka shumë më tepër vend për gratë dhe për vajzat në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, por edhe në të gjitha hapësirat e jetës aktive, kjo i detyrohet në radhë të parë një emri të vetëm, Partisë Socialiste të Shqipërisë”.

Rama theksoi se i gjithë progresi në zgjerimin e hapësirës për gratë është në fakt pasqyrë kuptimplotë e vetë progresit që ka bërë Shqipëria.

“Për këtë ne socialistët shqiptarë i kemi të gjitha arsyet të jemi më krenarë se gjithë të tjerët”, tha Rama.

Kryeministri citoi Dora D’Istrian, kur shprehej se “të luftosh dhe të fitosh për gratë do të thotë të luftosh e fitosh edhe për burrat”.

Rama tha se sa më të forta të jenë gratë aq më të fortë janë burrat dhe sa më të dobëta të jenë gratë aq më e dobët është fuqia në dukje e burrave.

Rama deklaroi gjithashtu se në listat e mbyllura për zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste do të ketë vajza, gra dhe djem që janë forca e të resë, forca e gruas së një Shqipërie që shikon përtej vitit 2030. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›