E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Qëndrimet nacionaliste serbe, rrezik për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiç, i cili është shprehur se flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren.

Berisha e cilëson deklaratën provokuese dhe luftënxitëse, duke dënuar qëndrimet që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.

Berisha e ka quajtur Daçiçin “klounin e Millosheviçit” dhe “pasardhësin direkt partiak të kasapit të Ballkanit”, duke akuzuar udhëheqjen aktuale serbe për ultranacionalizëm dhe armiqësi ndaj paqes.

Sipas kreut të PD-së, deklarata për Prizrenin dëshmon edhe një herë rrezikun që përbëjnë qëndrimet nacionaliste serbe për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë deklaratë të kllounit, pasardhësit direkt partiak të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, që dëshmon edhe një herë se udhëheqja e verbër ultranacionaliste aktuale serbe është një armike e paqes, një rrezik real për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal”, shkruan Berisha.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›