E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Qershori, muaji i rritjes së rrogave dhe pensioneve

Qeveria po bën gati projektin për rritjen e pagave dhe pensioneve. Lajmin e dha dje Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen me grupin Parlamentar të PD. “Kam kënaqësinë t’ju njoftoj juve dhe mbarë shqiptarët, se qeveria po përgatit në përputhje me programin e saj paketën e rritjes së rrogave dhe pensioneve”, tha Kryeministri para deputetëve. ”Për këtë muaj, aktiviteti më i rëndësishëm i qeverisë dhe veprimtarisë tuaj është rritja e rrogave dhe pensioneve. Natyrisht do të bëhet kjo duke kontrolluar me lupë të gjitha shpenzimet e tjera. Nuk do të pranojmë që të rritet qoftë dhe një qindarkë borxhi publik, që ne të qëndrojmë në shifrën e borxhit që jemi zotuar”, garantoi Berisha.

Kryeministri tha se, buxheti do të ri formatohet në përputhje me treguesit kryesorë makro-ekonomik. Duke vënë edhe njëherë theksin në ruajtjen e borxhit publik, ruajtjen e të cilit kryeministri e ka cilësuar prioritet për vendin. “Borxhi nuk do të mund të rritet, do të mbetet në këto shifra gjer në vitin 2013. Kurse viti 2013-2017, do të jetë viti i uljes së ndjeshme i borxhit publik të Shqipërisë, sepse kështu e kërkojnë rregullat” tha Berisha. “Në qoftë se në këtë mandat, parashikimi ynë ishte të mos lejojmë rritjen e tij, ta frenojmë aty ku është, në mandatin tjetër, borxhi merr dishezën, merr rënien e ndjeshme, natyrisht pa prekur rritjen e rrogave dhe pensioneve”, garantoi ai. Dua të kujtoj këtu se në vitin 2005, ne gjetëm një sistem rrogash dhe pensionesh, ndër më të pa përshtatshmit për qytetarët shqiptarë, tha Kryeministri. Sipas tij, pensionet e fshatit në mesataren e tyre ishin 34 mijë lekë të vjetra, pra rreth 34 dollarë, ndërsa pensionet minimale të qytetit në 65 dollarë. Rrogat e ulta ishin 110 dollarë, rroga mesatare 220 dollarë. “Gjetëm një sistem pagash, i cili ishte ndërtuar fund e krye mbi filozofinë e bllokut. Ku më kryesorët paguheshin 25-fishin apo 30-fishin e punëtorit të thjeshtë, që merrte gjithsej 5 dollarë në muaj”, tha Berisha. “Kur jeni ulur në vitin 2005, pas zgjedhjeve në këto karrige, Shqipëria që trashëguam kishte një borxh prej 72%, sot Shqipëria ka një borxh prej 59% dhe këtë borxh e kemi pasi janë ndërtuar 8 mijë kilometra rrugë”, u tha Berisha deputetëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›