E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Qeveria do te mbeshtese cdo projekt te investitoreve te huaj potenciale

Kryeministri Berisha ka pritur sot në takim një grup prej 22 operatorësh turistik polakë, të cilët me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve në kuadrin e bashkëpunimit të Unionit të Operatorëve Turistik Shqiptarë me Unionin e Operatorëve Turistik Polak, ndodhen në Shqipëri për tu prezantuar dhe njohur me mundësitë dhe potencialet turistike dhe trashëgiminë kulturore të vendit tonë.

Pasi i uroi atyre mirëseardhjen, kryeministri Berisha theksoi se turizmi është kthyer jo vetëm një nga degët kryesore të ekonomisë, por dhe një mundësi njohjeje e potencialeve të vendit tonë në vendet Europiane dhe më gjerë.

Kryeministri Berisha duke përmendur përmirësimin e kuadrit ligjor për nxitjen e zhvillimit të turizmit, njëkohësisht duke vënë theksin tek investimet që janë bërë në infrastrukturë ku janë ndërtuar 8 mijë kilometra rrugë dhe 14 impiante të pastrimit të ujërave të zeza, vlerësoi punën e mirë të bërë jo vetëm në zhvillimin e shpejtë të turizmit, i cili nga rreth 300 mijë që ishte në vitin 2004 ka shkuar në rreth 3.5 milion në vitin 2010, por edhe interesimin e investitorëve të huaj për të zhvilluar projekte konkrete turistike në zonat bregdetare .

Gjithashtu kryeministri Berisha vuri theksin në rëndësinë potenciale për zhvillimin e turizmit në zonat malore si në Theth, Valbonë, Kelmend, Prespë, Voskopojë, Dardhë etj. Kryeministri theksoi se qeveria do të mbështesë cdo projekt të investitorëve të huaj potencialë me qëllim shndërrimin e projekteve të tyre në histori të vërteta suksesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›