Berisha: Qeveria e vendosur tu japë qytetarëve rrjetin rrugor më të mirë në rajon
Kryeministri Sali Berisha theksoi në Durrës se "qeveria është e vendosur që t'u japë qytetarëve të Shqipërisë rrjetin rrugor më të mirë në rajon". Gjatë përurimit të fillimit të punimeve për zgjerimin e rrugës Plepa-Rrogozhinë, Kryeministri Berisha u shpreh se "kjo rrugë e cila po zgjerohet për t'u kthyer në një autostradë me katër korsi, do të jetë pjesë e projektit të madh, që sapo ka nisur për autostradën Shkodër-Vlorë. Gjatë vitit 2009, i cili përkon me fillimin e mandatit tonë të dytë qeverisës bëjnë pjesë një sërë projektesh të mëdha në infrastrukturë ku përveç autostradës Shkodër-Vlorë janë edhe rrugët Tiranë-Tepelenë, Tiranë -Sarandë, si dhe rruga e Arbrit, e cila do ta shkurtojë distancën Tiranë-Shkup me rreth 100 km", nënvizoi Kryeministri Berisha. Duke përmendur si projekte të rëndësishme edhe rrugët Fierzë-Koman dhe Qafë Pllocë- Korçë, Kryeministri vuri në dukje se "do të bëhët çdo përpjekje që rrugët e gjata e të mundimshme të zëvendësohen me rrugë të shkurtra dhe modern” tha ai. Në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve për zgjerimin e rrugës Plepa-Rrogozhinë Kryeministri Berisha shoqërohej nga Ministri i Punëve, Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, deputetët e PD-së të zonës, Ferdinand Xhaferri, Genc Juka, Flori Bajramaj, Prefekti i Durrësit, Klodjan Pajuni dhe Kryetari i Këshillit të qarkut, Seid Kërtusha.
Fjala e plotë e kryeministrit Berisha
Është një kënaqësi e veçantë për mua të ndaj me ju sot gëzimin e inaugurimit të fillimit të punimeve për shndërrimin me katër korsi të rrugës Plepa- Rrogozhinë, e cila përbën njërin nga segmentet më të rëndësishme të autostradës më kryesore të vendit, autostradë që do të shtrihet nga Shkodra deri në Vlorë. Së shpejti ne inaugurojmë punimet në autostradën Milot-Mamurras dhe është duke përfunduar projekti Lezhë-Shkodër.
Kjo qeveri është e vendosur t`i japë Shqipërisë, t`u japë qytetarëve shqiptarë rrjetin rrugor më të ri dhe më modern në rajon. Në vitin 2009 ne nisim projektet e mëdha të mandatit të dytë, projekte, të cilat do të lidhin Shkodrën dhe Vlorën me autostradë me katër korsi, projekte, të cilat do të lidhin Tiranën me Tepelenën me aksin qendror të Jugut që shkurton distancën mbi 120 km me Sarandën , projekte, të cilat do të lidhin Bllatën me Tiranën, si rruga e Arbrit që shkurton distancën Peshkopi-Tiranë, Shkup-Tiranë me mbi 100 km. Projekt tjetër madhor është Qafë Plloçë-Qukës, i cili shkurton distancën Korccë-Tiranë, vetëm ky segmente me 30 km dhe së fundi Fierzë-Koman.
Rrugët e gjata e të mundimshme të akseve tona kombëtare do t`i zëvendësojmë me rrugët më të shkurtra më të reja dhe më moderne. Në mandatin e dytë të kësaj qeverie jemi të vendosur të asfaltojmë, të sistemojmë mijëra e mijëra km rrugë rurale. Zhvillimi i qëndrueshëm rural, ndërtimi i rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, shkollave moderne mbeten përparësia jonë më madhore, kushti vendimtar që ju dhe fëmijët tuaj të jetoni në një vend të zhvilluar.
Zonja dhe zotërinj!
Mandati i dytë i qeverisë sime do të përqendrohet tërësisht në një reformë të thellë shëndetësore, e cila ka nisur këtë vit. Unë ju garantoj se qeveria do të vendosë në këtë vend sistemin më efikas, më human më kompetent shëndetësor në rajon. Reforma ka nisur. Reforma e shëndetësisë është për çdo vend reforma më e vështirë, por ne e kemi nisur. Me datën 1 maj të këtij viti, çdo infermier në këtë vend do të marrë mbi dy herë më shumë se sa merrte në 2005, çdo mjek i këtij vendi do të marrë mbi dy herë më shumë se sa merrte në 2005, ndërkohë kjo reformë do të shtrijë për qytetarët e vendit shërbimet më të mira, më moderne në mënyrë që t`u jepet përgjigja më e mirë problemeve shëndetësore, të fëmijëve , grave, burrave, të moshuarve.
Mandati i dytë i kësaj qeverie do të jetë i përqendruar tek rrogat dhe pensionet, dua t`u garantoj ju se për sa kohë të mbetem në qeveri dhe të më votoni, nuk do të kem qëllim më të madh se rritjen e rrogave dhe pensioneve të shqiptarëve.
Unë shpalla këtu disa nga përparësitë, të tjerat janë në përpunim dhe të gatshme, por biem dakord që kthimi majtas është kthim prapa. Shikoni atë copë autostradë që kanë ndërtuar Vorë-Durrës, se si është bërë tërë arna. Kthimi majtas është kthim prapa. Le të pyesin veten mësuesit shqiptarë sa merrni n në 2005 sa marrin tani dhe do marrin më 1 maj të këtij viti. Kthimi majtas është kthim prapa . Le të pyesin veten pensionistët shqiptarë sa merrnin në 2005 dhe sa marrin tani. Kthimi majtas është kthim prapa, le të pyesin veten nxënësit shqiptarë , si i kishin shkollat tre vite më parë dhe si i kanë sot me kabinete informatike dhe interneti. Unë kam besim të madh në mençurinë tuaj, kam besim se ju do të vazhdoni të votoni për ndryshimin e Shqipërisë. Shqipëria po ndryshon më shpejt se çdo vend tjetër. Shqipëria anëtarësohet së shpejti në NATO, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit përfundoi e firmosur nga 27 vende të Bashkimit Europian. Kurrë ndonjëherë emri dhe prestigji ynë nuk ka qenë më i mirë dhe më i madh në rajon dhe në botë.
Përballë është kryetari i Partisë Socialiste që i kanë mbetur edhe 132 ditë për t`u bërë kryetari i Partisë së Bashkisë. Por edhe aty do ta ketë të vështirë sepse buxhetin s`po e kalon dot, sepse siç po ia quajnë mediat ka hartuar koço-buxhet, mirëpo qytetarët duan buxhet për qytetarët dhe jo për kryetarin e Bashkisë.
E dhe njëherë dua t`ju garantoj se kjo qeveri në një përballje të egër me korrupsionin do të mobilizojë gjatë katër viteve të ardhshme fonde shumë herë më të mëdha, për rrugët tuaja, për ujësjellësit, për kanalizimet, për qendrat shëndetësore dhe spitalet, për shkollat, për tregjet. Në këtë mënyrë ne besojmë dhe mendojmë se u shërbejmë më mirë interesave, halleve derteve dhe problemeve tuaja.
...