Letra/ Në shënjestër Orët e Paskal Milos

Gjatë këtyre ditëve, si asnjëherë tjetër, po flitet me të madhe për dy libra që kanë dalë në dritë në Tiranë. Në të vërtetë, fjala është për veprat “Kosova - nga Rambuje në pavarësi” dhe “Ditari i një ministri të jashtëm” të autorit Paskal Milo, ish ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Gjithsesi, ajo që ndodh lidhur me këto dy botime të veçanta, është për t’u theksuar e shqyrtuar me çdo kusht. Udhëtimi i tyre nëpër viset shqiptare, në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Shkup e gjetiu, duke u folur e duke u promovuar, mëton të krijojë një bubullimë të madhe me qëllim që të tërheqë vemendjen e lexuesve dhe, sidomos të qarqeve politike shqiptare. Dhe, përshtypja e krijuar se këto vepra të tij po shpalosin disa të vërteta të pathëna, duken shumë qesharake, sepse s’janë asgjë tjetër, përveçse një mit banal i ditëve tona, të cilin mund ta besojnë vetëm fëmijët e vegjël.
E para, librat “Kosova – nga Rambuje në pavarësi” dhe “Ditari i një ministri të jashtëm” të Paskal Milos po dalin në dritë dhjetë vjet pas ngjarjeve të cilat ai i trajton. Në qoftë se librat e tij mëtojnë të shfaqen si ditarë personal për një periudhë historike, atëherë është e çuditshme pse kanë pritur kaq gjatë për t’iu paraqitur lexuesit. Logjika na e thotë se librat e këtillë janë botuar pikërisht për shërbime të ulta politike, t’i shërbejnë momentit aktual dhe jo të vërtetës historike.
E dyta, Paskal Milo dëshiron ta lartësojë rolin e Qeverisë ku bënte pjesë ai lidhur me çështjen e Kosovës. Por, ndryshe nga kjo, e vërteta është se Kosova kurrë s’ka qenë më e injoruar se në periudhën e tij, madje as në kohën e Enver Hoxhës. Trekëndëshi i koordinimit, i vendosur nga Ibrahim Rugova dhe Sali Berisha, pra Prishtinë – Tiranë – Uashington, u rrënua pikërisht nga viti 1997 kur erdhi në pushtet Qeveria gjakatare e Fatos Nanos, ose revolucioni i vonuar demokratik, siç do ta quante “babai i kombit”, Rexhep Qosja.
E treta, roli i Paskasl Milos si ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, nuk ka mundur të jetë tjetërfare nga ai i padronit të tij Fatos Nano, i cili vajti në Kretë dhe u takua me Millosheviqin dhe u morën vesh për çështjen e Kosovës si një çështje e brendshme e Serbisë, përkatësisht duke dashur përfundimisht të vuloste fatin e shqiptarëve të Kosovës si pakicë në kuadër të Serbisë. Konteksti i këtij takimi flet qartë se pikërisht Qeveria ku bënte pjesë ai, i përjashtoi shqiptarët e Kosovës si palë, e injoroi kryetarin legjitim Ibrahim Rugova i cili ishte i vetmi që kishte mandatin nga populli shqiptar i Kosovës për të biseduar.
E katërta, Paskal Milo “zbulon” për herë të parë se e paska habitur fakti që Ibrahim Rugova gjatë asaj kohe s’paska thënë asnjë fjalë të keqe kundër S. Millosheviqit. Dhe kjo, sipas tij, sikundër mund të kuptohet, na qenka shumë e dyshimtë. Merreni me mend, tani kur Ibrahim Rugova ka kaluar në përtejbotë, Paskal Milo merr guximin që të thotë gjëra të tilla aq të ulëta e çnjerëzore. Po pse, o Paskali i Milos, nuk i the atëherë sa ishte gjallë ai, por tani që nuk jeton më? Vërtet e ushqen atë iluzion se do të besojnë shqiptarët e Kosovës? Hipokrizi e paparë.
Së pesti, tani kur edhe në Shqipëri gjithnjë e më tepër po kthehet fryma kombëtare, kur ky popull po e kupton seriozisht se vetëm si shqiptar ka vlerë para botës dhe assesi ndryshe, Paskal Milo përpiqet që me librat e tij të mbledhë ca pikë në këtë drejtim, duke u përpjekur që ta bindë lexuesin se ai ka dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme për pavarësinë e Kosovës, kuptohet bashkë me Qeverinë e tij. Madje, merr guximin të thotë se pa të Kosova nuk do të kishte arritur këtë që e ka arritur tani. Njëlloj si Ramiz Alia i cili, në shënimin e 100 vjetorit të lindjes së E. Hoxhës, në mes të Prishtinës e tha gati të njëjtën gjë.
Së gjashti, pikërisht kur po afrohen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ai po na del me këta dy libra, domethënë ai konsideron se mu tani kanë ardhur orët e tij për të rrëmbyer ndonjë meritë kombëtare. Pra, në qoftë se kryeministri Sali Berisha mburret me ndërtimin e korridorit Kukës-Durrës me të cilin dëshiron ta bashkojë Shqipërinë me Kosovën, atëherë logjikisht Paskal Milos s’i mbetet asgjë tjetër, përveçse t’i kthehet të kaluarës, këtë ta bëjë me mandatin e tij (të dhunshëm) për t’i përkujtuar shqiptarët dhe, sidomos S. Berishën, se ndihmesë ka dhënë edhe ai. Kështu librat e tij po na dalin si “dhëshmi” të pamohueshme për “bashkimin kombëtar”, si shembull i një “sjelljeje shembullore”, pra si “nëna ndaj bijës”.
Së shtati, tani kur Kosova u bë shtet i pavarur dhe u pranua ndërkombëtarisht nga më tepër se 50 shtete, Paskal Milo dëshiron t’i bindë shqiptarët se ai dhe qeveria e tij kanë luajtur rol shumë kombëtar që nga Rambujeja e deri tani. Pra, në njëfarë mënyre P. Milo sikur lutet publikisht: Aman, mos na harroni edhe neve, sidomos mua si himarjot që jam… Kosova është “kryevepër e jona” etj., etj.
Megjithatë, pavarësisht nga librat që i shkruan ai dhe nga bubullimat që bëhen për to, gjyqin për këtë periudhë delikate të kombit shqiptar, do ta bëjë historia e vërtetë dhe jo historia e Paskal Milos. Këtë gjë e kuptojnë më së miri ata që e ndiejnë veten shqiptarë dhe jo ata që shtiren si të tillë.
...