E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parafushata e sondazheve brenda së majtës

Kur thuhet fjala “sondazh”, në shqipen politike, tingëllon si mjet luftimi. Dhe, gjithkush e di pse. Ky “mjet luftarak”, domethënë, sondazhet parazgjedhore, kësaj here, në Shqipëri, janë shfaqur mjaft shpejt.

Janë katër gjithsej: I qendrës për studime humanistike “Gani Bobi”, gjatë muajit dhjetor;

I kompanisë amerikane “Zogby Internatinal” (ZI), gjatë muajit janar; I Lëvizjes Socialiste për Integrim, i publikuar së fundi.

Dhe, ai… i hamendjeve, që mbetet i gjithëkohshëm.

Tërësia e shifrave të shërbyera, po të siten imtë e të mos shoshiten trashë, japin këtë prirje: diferenca e madhe mes Partisë Socialiste (me 37 përqind) dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim (me 5 dhe 6,1 përqind) nënkupton luftën e ashpër brenda së majtës, edhe me sondazhe. Sepse, shifrat e tjera, të sondazhit të “Gani Bobi”, i cili i parasheh socialistët humbës (37 përqind) dhe të djathtën fituese ( 49 përqind), ndërsa sipas “Zogby International”, socialistë dalin fitues (37 përqind) edhe demokratët humbës (30 përqind), gjithësesi kaluan me shtjellime të matura e deri të drojshme nga e majta. Kjo, ngaqë, problemi nuk është këtu: ky ballafaqim - PD në pushtet dhe PS në opozitë - ka më shumë se një vit, i përvijuar dukshëm, mes veprimit pohues “Shqipëria  po ndryshon”, të Berishës, dhe shtegtimit mohues “Dialog me Shqipërinë”, të Ramës. Kryeministri Berisha ka përsëritur që “mes fjalëve dhe veprave, shqiptarët do të votojnë veprat”, kurse kryetari socialist Rama përsërit që zgjedhjet do t’i fitojë “politika e re”. Në këtë përballje për kreun, edhe me sondazhe, nuk ka asgjë të re, por e veçantë është drama për kryesim brenda së majtës: socialistët vështrojnë etshëm e me shqetësim grupin e rëndësishëm rozë - kuq, ndërmjet PS dhe LSI, që t’ua rrëmbejnë dhe, duke ua marrë, ta lënë atë me 5 apo 6 përqind dhe, këtë masë  votuese, ta përdorin, po njëherësh, kundër demokratëve. Pas një fushate zgjedhore, tashmë të njohur, të 2005, me LSI kundër PS; pas katër vjet përpjekjesh të një LSI për t’u bërë parësore në krahun e majtë; dy sondazhet, që LSI e vërvisin në ferrin e një përqindjeje fundore, për socialistët nuk ka më mirë se sa aq. Është për t’u cilësuar që, socialistët u ruajtën për të thënë shtjellime të ngutura, por aleatja e tyre e afërt, Partia Socialdemokrate, nxitoi e foli, menjëherë e troç: ”LSI është forcë në rënie për shkak të pazareve politike dhe veprimeve kundër interesave të së majtës” dhe se LSI është “… forcë e pavlefshme dhe e padëmshme”. Ky, deri më tani, ishte përcaktimi më zhvlerësues e më shpërfillës, kundër integruesve, fjalor të cilin socialistët ende nuk e kanë përdorur me fjalë kaq të përzgjedhura kundër. Por, kryetari i LSI, Ilir Meta u është përgjigjur sondazheve. Kënaqësisë së fshehur të socialistëve dhe kënaqësisë së shprehur të socialdemokratëve, iu kundërvu duke thënë se LSI, bashkë me aleatët, do të marrë mbi 27 përqind të votave dhe do të jetë fituese, duke e cilësuar kryetarin e PS, Edi Rama, “…mish të huaj brenda kësaj partie dhe vetë së majtës…”. Por, duke qenë se njëri sondazh e parasheh fituese PD, përmedja e fitores nga integruesit do të thotë se ata e mendojnë veten fitues kundër socialistëve. Diferenca e madhe PS - LSI (37 përqind me 5 dhe 6.1 përiqnd) është shoqëruar edhe me përcaktime politike të skajshme, në mënyrë që votimi të mbetet në përpjestimin e tashëm për socialistët, ose të përmbyset, siç mëtojnë integruesit. LSI-së iu përfol nga krerë politikë socialistë se, më 2005 ata humbën nga që LSI e tradhëtoi të majtën,  me politikën e saj ndarëse dhe kundër të majtës.

Kjo luftë me sondazhe brenda për brenda së majtës, vërtetohet edhe nga një tjetër këndvështrim: e djathta, përgjithësisht, është me elektorat të qendrueshëm; futet në zgjedhje duke qenë në pushtet; brenda saj nuk ka një luftë politike rraskapitëse e shterruese të energjive të brendshme; dhe ka mbështetje reformat e mëdha, rritjen ekonomike, investimet e rëndësishme, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, futjen në NATO, këmbënguljen për paraqitjen e kërkesës për statusin e kandidatit për në BE dhe heqjen e vizave me vendet e Shengenit. Çdo sondazh që kryhet, nuk ndikon ndër zgjedhësit e  PD, por PS dhe LSI luftojnë për grupin e “ujëshëm” mes tyre, i cili nuk është i paktë. Ky grup i paparcaktuar, ndoshta jorastësisht, bëhet qëllimi kryesor i luftës me sondazhe mes PS dhe LSI. Nëse ata shkojnë te LSI - do ta rrezikonin PS; dhe, nëse ata zhvendosen te PS, do të vërtetohej diferenca me sondazhe. 

Kur PSD, i tha me cinizëm LSI, parti “e pavlefshme” dhe “e parëndësishme”, PS nuk shqiptoi diçka të veçantë, por u tha që ashtu bëri kundër Nanos, ashtu po bën edhe kundër Ramës. Shifrat për fituesin e zgjedhjeve duken si manovër, sepse drama e vërtetë e sondazheve flet për luftën e ashpër brenda së majtës. Vajtja e Ilir Metës  për të vizituar autostradën në ndërtim Durrës - Kukës - Morinë, i pari drejtues partie nga e majta që hodhi këtë hap, gjithësesi të vonuar, dhe mosshqiptimi prej tij i akuzës të së majtës, për korrupsion, la shije të hidhur te Partia Socialiste. Kjo u pasua me braktisjen e LSI e kthimin te PS, të një figure të rëndësishme të tyre në Shkodër dhe një tjetre në Urën Vajgurore. LSI reagoi menjëherë: “Ndjejmë neveri për këtë skenar të shëmtuar të Edi Ramës”. PS pasoi: “LSI nuk është opozitë e majtë”. Kjo ndërthurje sulmesh të ashpra politike, do të ndikojë në përqindjet që do të japin sondazhet e pritshme, të cilat, e majta e përçarë, do t’i përplasë brenda vetvetes, në një luftë ku qëllimi i madh është kapja e kreut të së majtës, më 28 qershor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›