E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Qeveria mori 69% të hapësirës në mediet kombëtare në korrik, PD vetëm 24%

TIRANË, 31 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se katër mediet kombëtare, gjatë muajit korrik i kushtuan 69% të kohës qeverisë dhe vetëm 24,8% PD-së.

Gjatë një deklarate për mediet, Berisha tha se katër mediat kombëtare kanë shpenzuar pjesën më të madhe të kohës televizive për kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të qeverisë, ndërsa hapësira kushtuar Partisë Demokratike ka qenë dukshëm më e vogël.

Sipas përllogaritjeve të paraqitura prej tij, nga rreth 20 orë e 5 minuta material të monitoruar, rreth 13 orë e 51 minuta, ose 69% e totalit, i janë kushtuar kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesve të qeverisë.

“Përllogaritjet për muajin korrik të katër medieve kombëtare, të quajtura kombëtare, në fakt qeveritare, antikombëtare, se ato që nuk qëndrojnë kombëtare, ato janë qeveritare, pra janë antikombëtare, këto medie qeveritare antikombëtare në akt padrejtësie absolute, censure të pashembullt, në muajin korrik kanë transmetuar për Edi Ramën dhe partinë e tij nga 20 orë e 5 minuta e 55 sekonda, 13 orë e 51 minuta e 32 sekonda apo 69% të totalit ia kanë kushtuar glorofikimit, mashtrimit, narkoshtetit që i furnizon dhe i ushqen ata me tituj investitorësh strategjikë”, tha ai.

Ai deklaroi se Partia Demokratike ka marrë 24,8% të hapësirës mediatike, ndërsa protestave të opozitës dhe qytetarëve, sipas tij, u janë kushtuar vetëm rreth 1 orë e 15 minuta.

Berisha tha gjithashtu se raportimi i protestave qytetare është minimizuar në raport me hapësirën që, sipas tij, i është kushtuar qeverisë dhe figurave të saj.

Kreu i PD-së e cilësoi situatën si “skllavëri mediatike” dhe tha se qeveria ushtron kontroll mbi mediat e konsideruara kombëtare.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›