E Diel, 1 Nëntor 2026

Bekim Sejdiu, kandidati i LVV-së dhe LDK-së për president të Kosovës

PRISHTINË, 31 gusht /ATSH/ Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike të Kosovës kanë arritur marrëveshje për kandidatin për president të Kosovës dhe ai do të jetë profesor Bekim Sejdiu.

Kurti e Abdixhiku, në një konferencë të përbashkët për media, prezantuan profesorin Bekim Sejdiu si kandidat konsensual për president.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se negociatat mes dy partive nuk kanë qenë të lehta, por palët kanë qenë të përkushtuara për të gjetur një emër që do të mund të merrte mbështetjen e përbashkët.

Sipas Abdixhikut, gjatë diskutimeve janë shqyrtuar disa emra të personaliteteve të shquara, ndërsa në fund palët janë pajtuar për profesorin Bekim Sejdiu.

“Bisedimet nuk ishin të lehta, por shteruese. Të dy palët kemi qenë të përkushtuar që të përcaktohemi për një emër konsensual për presidentin e Republikës së Kosovës. Gjatë diskutimeve, janë përmendur shumë emra personalitetesh të shquara të vendit që kanë mbështetje edhe në popull, edhe për vendin e Kosovës, që kanë dhënë kontribut profesional e kombëtar në shoqërinë tonë, e që kanë vlera demokratike e qytetare. Nga të gjitha emrat që janë propozuar, e shkurtuar, në mesin e të cilëve të gjithë ishin individë të dalluar, gjatë diskutimeve tona të përbashkëta, jemi dakorduar për një emër, dhe ai është profesor, dr. Bekim Sejdiu. Karriera e tij është e shquar dhe e pasur, me përvojë të ndryshme e pozita të rëndësishme”, tha Abdixhiku.

Kush është Bekim Sejdiu?

Bekim Sejdiu, i lindur në vitin 1974, është gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Sejdiu ka një përvojë të gjatë në diplomaci. Ai ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Turqi nga viti 2008 deri më 2012, ndërsa më pas, nga viti 2012 deri më 2014, ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork.

Para emërimit ambasador, Sejdiu ka shërbyer si këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, Sejdiu ligjëron që nga viti 2002.

Studimet në drejtësi i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka ndjekur studime pasuniversitare në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Ka doktoruar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›