E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Qeveria po ndërton ura bashkëpunimi

Kryeministri i vendit Sali Berisha ka garantuar se qeveria po ndërton rrugë dhe ura bashkimi për integrimin e Shqipërisë në BE. Këto deklarata kreu i qeverisë i ka bërë pas inspetimit të punimeve në rrugën Levan Tepelenë, investim që kap vlerën 70 milion euro.
Ndërkohë, i pyetur nëse këtë rrugë po ndjek edhe Presidenti i republikës Bamir Topi, Berisha ka anashkaluar përgjigjen duke u përqëndruar tek investimi.
“Sot jam këtu, për këtë kryevepër të punëve publike në Shqipëri, e cila në vëllime punimesh është pothuajse identike me Fierzën. Është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme. Nuk mund të dal jashtë ndjesive që kam sot, për këtë rrugë, ndaj ju luten që pyetjet që keni për problem të tjera mi rezervoni në konferencë të tjera shtypi, sepse unë sot jam tërësisht i vërshuar në brendinë e shpirtit tim nga Vjosa e bukuritë e luginës së saj” ka theksuar Berisha.
Nga ana tjetër, kryeministri Berisha ka sulmuar sërish kreun e opozitës Edi Rama se po ndjek politika bllokuese për vendin. Shefi i mazhorancës theksoi se kjo rrugë është fatlume pasi nuk është në paketën e bllokimit të liderit të Partisë Socialiste.
“Kjo rrugë është fatlume, sepse nuk mund të bllokohet nga politika bllokuese e kryetarit aktual të Partisë Socialiste, sepse ju garantoj se, në qoftë se edhe këto do të ishin në paketën e bllokimit, shqiptarët nuk do të shihnin një rrugë të vetme me sy dhe do të mbeteshin me trashëgiminë hoxhiste, që ishte edhe trashëgimia më katastrofale në rrugë. Por nuk ka asgjë që mund të pengojë ndërtimin e Europës në çdo skaj të këtij vendi, ndërtimin e Europës në luginën e Vjosës, në luginën e Përroit të Thatë, në luginën e Kardhiqit e kudo, në çdo fshat e çdo vend dhe procesi i integrimit është e do të mbetet një proces i parikthyeshëm” ka shtuar Berisha
Pas inspektimit, Kryeministri e konsideroi këtë një rrugë transformuese, që me përfundimin e saj jugu do të arrijë tregun e Tiranës në më pak se dy orë dhe turistët nga Tirana. Ai ka theksuar se mbarë bota do të arrijnë në Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, në një kohë që 2-3 vjet më pare, askush nuk e imagjinonte.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›