Shkodër, sekuestrohen 24 kg mariuanë

Foto ilustruese
Policia e Shkodrës ka mundur të sekuestrojë 24 kg lëndë narkotike mariuanë dhe të vërë në pranga dy persona. Strukturat e anti-drogës në Drejtorinë e Policisë Qarkut Shkodër, kanë arrestuar në flagrancë dy vëllezërit Petrit dhe Aleks Frroku, të dy këta shtetas banues në fshatin Bonjet, Bashkia Vau Dejës Shkodër.
Arrestimi i tyre u bë, pasi në sajë të informacioneve të marra nga Seksioni Kundër Narkotikeve, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, pikërisht në një ambient që përdorej si stallë bagëtish, pranë banesës se tyre, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa thasë plasmasi të mbushura me bimë narkotike mariuanë, në gjendje të tharë, me peshë gjithsej 24 kg.