Berisha: Qeveria teknike, zgjidhja e vetme politike për vendin

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe formimin e një qeverie teknike, duke i cilësuar si zgjidhjen politike për situatën e krijuar në vend, në kushtet e protestave të studentëve dhe përplasjeve të ditëve të fundit.
Në një eklaratën për mediat, Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion, bllokim të rotacionit politik dhe cenim të votës së lirë, ndërsa pretendoi se revolta e studentëve është pasojë e asaj që ai e cilësoi si dhunë 13-vjeçare të qeverisjes së Ramës.
“Prandaj të jemi të qartë, revolta e studentëve është vetëm pasojë e dhunës 13-vjeçare të Edi Ramës. Edi Rama, jep dorëheqjen. Jep dorëheqjen se nuk të ka ngelur më asgjë për të qeverisur”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së përmendi situatën në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Bashkinë e Tiranës dhe Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH).
“AKSHI-n e vodhe vetë me Agasët e tu. Bashkia e Tiranës ka rënë. SHISH ka rënë. Qeveria të është shndërruar në organizatë kriminale. Ministritë i ke të mbyllura prej një jave. Parlamentin e mbylle nga frika. Po qeveris një asgjë”, u shpreh ai.
Duke iu referuar përplasjeve gjatë protestave, kryetari i PD-së kundërshtoi akuzat e kryeministrit për dhunë nga ana e protestuesve dhe ngriti pretendime për përdorim të tepruar të forcës nga Policia, përfshirë përdorimin e gazit dhe plumbave të gomës.
“Pse nuk del me gazin helmues që ke hedhur mbi fëmijët shqiptarë sikur të ishe Asadi i Sirisë? Pse nuk dole me shkopinjtë e gurit dhe pllakat e hekurit të policëve tu që u theve këmbët gjimnazistëve dhe çave koka?”, deklaroi Berisha, duke akuzuar policinë për dhunë ndaj protestuesve.
Ai theksoi se Partia Demokratike është kundër dhunës, ndërsa përsëriti kërkesën për largimin e Ramës nga detyra.
“Absolutisht unë dhe PD jemi kundër dhunës, por absolutisht dhuna është Edi Rama”, tha Berisha.
Berisha kërkoi krijimin e një qeverie teknike, të cilën e cilësoi si zgjidhjen e vetme politike për vendin.
“Jep dorëheqjen, qeveri teknike, kjo është zgjidhja e vetme politike për vendin”, përfundoi Berisha.
/gj.m/