Ndërkombëtarët, të shqetësuar për revanshin e Ramës ndaj investimeve të huaja

PS-LSI, akoma pa program qeverisës
Edhe pse kanë fituar zgjedhjet Partia Socialiste dhe aleatët e saj janë pa një program qeverisës të strukturuar dhe të llogaritur në fatura financiare. Për këtë arsye, ambasadorët e Bashkimit Europian kanë takuar dy krerët e grupit të punës për hartimin e programit të Qeverisë së majtë për 300 ditët e para, Ilir Beqja për Partinë Socialiste dhe Edmond Haxhinasto për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Dy përfaqësuesit e mazhorances së re të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit kanë dhënë disa detaje për çka është diskutuar në këtë takim. “Ambasadorët ishin shumë të interesuar për shtetin e së drejtës, për luftën kundër korrupsionit, për një sistem drejtësie të pavarur, pra për vlerat themelore të Bashkimit Europian. Ambasadorët ishin të interesuar për të shtyrë përpara bashkëpunimin ekonomik të vendeve respektive me Shqipërinë dhe ishin shumë të interesuar për klimën e biznesit, për domosdoshmërinë e një sistemi të qëndrueshëm fiskal”, deklaroi sekretari për programin në PS, Ilir Beqja. Padyshim, ambasadorët e BE janë të interesuar që Edi Ram atë respektojë ligjit dhe shtetin e së drejtës, duke e dekurajuar nga veprime që do të dëmtonin klimën kundrejt investimeve të huaja. Nuk bëhet fjalë për vendosjen e taksës progresive, por për rrezikun e gjuetisë së qeverisë ndaj investitorëve të huaj. Ka një shqetësim në rritje të sipërmarrjeve të huaj për deklaratat kërcënuese të kreut të PS, Edi Rama, që ka thënë se do të rishqyrtojë të gjithë koncesionet, lejet dhe licencave e dhëna tetë vitet e fundit. Këto deklarata kanë alarmuar kancelaritë europiane dhe padyshim ky takim reflekton një shqetësim në rritje të këtyre kancelarive. Nuk ka asnjë arsye tjetër që përfaqësitë e huaja në Tiranë të takojnë një grup pune për programin qeverisës. Nuk janë vetëm koncesionet hidroenergjetike që kanë qenë në shënjestër të Edi Ramës, por edhe llotaria Kombëtare dhe një sërë investimesh që pritet të goditet me formimin e qeverisë së re.