Berisha: Rama, Nastradin që endet rrugëve të Shqipërisë

Kryeministri Sali Berisha ka vijuar fushatën elektorale në Bushat të Shkodrës, duke prezantuar kandidatët për deputetë në këtë zonë.
Në fjalën e tij Berisha premtoi se do ta çojë vendin përpara nëpërmjet reformave të gjithanshme. “N.q.se dëmshpërblimet u shtynë kjo u bë sepse ligji përcakton se duhet t'i paguajmë KESH-it, por sapo KESH-i erdhi në gjendje të mirë qeveria i kërkoi asaj që t`jua kthej paratë ju dhe do t`jua kthej qindarkë për qindarkë. Garantoj ju se 4 vitet që do të vijnë ne do të trefishojmë grantet për fermerët, se në 4 vitet që do të vijnë do të finalizojmë infrastrukturën më moderne. Do të ndërtojmë rrugën Bushat-Velipojë, dhe çdo rrugë të kësaj komune e cila e ka merituar me kohë që të jetë një bashki e nderuar mes bashkive të veriut dhe të gjithë Shqipërisë”, tha Berisha
Në fjalën e tij kryeministri ka hedhur akuza të rënda ndaj kreut të opozitës, duke thënë se ai vetëm mashtron.
“Përballë nesh alternativa e mashtrimit tepër e rrezikshme për fermerët e Bushatit dhe të gjithë Shqipërisë. Shoku i autobusit mavi që endet si Nastradin në rrugët e Shqipërisë u deklaroi dje qytetarëve nga Delvina se do heqë TVSH-në për 5 produkte bujqësore dhe kjo do të thotë t`ua kalbësh në arë grurin, sepse TVSH-ja është mbrojtja që u bëhet fermerëve nga mallrat e importuara. Të heqësh TVSH-në nga ushqimet është të godasësh përpjekjet tuaj për të ndërtuar fermat. Të heqësh TVSH-në për ushqimet do të thotë të rrëzosh përtokë fermat shqiptare, sepse ajo është e vetmja mburojë që ju mbron ju nga një vërshim i gjithanshëm i mallrave nga vendeve e tjera. Të heqësh TVSH-në për qumështin apo vezët do të thotë që qumështi juaj të mos konkurrojë dot kurrë me atë të BE-së dhe do t’u mbetet në shtëpitë tuaja. Të heqësh TVSH-në për ushqimet është të godasësh në mënyrë fatale përpjekjen tuaj titanike për të ngritur në vend fermat përpunuese. Të heqësh TVSH për ushqimet do të thotë të rrëzosh përtokë fermat shqiptare, mundin tuaj”, theksoi Berisha.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri Berisha u kërkoi banorëve të Bushatit të votojnë në 23 qershor për Partinë Demokratike duke i dhënë asaj mandatin e tetë në Shkodër./Indeksonline/