Berisha: Rama çuditi Europën me bllokimin e vizave, është më keq se Shesheli. Statusi, në dorën e opozitës
Kryeministri Berisha ka mbajtur një konferencë shtypi një vit pas liberalizimit të vizave, duke ja kushtuar pjesën më të madhe kreut të opozitës, Edi Rama, të cilën e ka cilësuar më keq se Shesheli.
Berisha ka thënë se Europa u çudit se si kreu i opozitës, Edi Rama, sipas tij, dërgonte letra dhe bënte përpjekje, që të bllokohej liberalizimi i vizave.
Kreu i opozitës shqiptare bëri përpjekje historike për bllokimin e vizave. Thirrjet e tij hap kutitë të çliroj vizat, letrat e tij se po hoqët vizat, 800 mijë apo 1 milionë shqiptarë në Europë, patën zero sukses në këtë project.
Europa u çudit se si ka mundësi që ndaj këtij akti madhor, një politikan në krye të opozitës, bën çdo gjë për ta penguar dhe bllokuar atë.
Shqiptarët ishin me fat, sepse ky proces, ndonëse bazohej në dhjetra ligje dhe reformat të gjithanshme, nuk bazohej në ligje me 3/5, që ta bllokonte zoti Rama, siç bëri me ligjet që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore dhe jetën e shqiptarëve, përfshirë edhe ligjet që kanë të bëjnë me gjykimin mbi bazën e kodit administrativ. Rama ligjet me 3/5 i mban si plaçkë tregu, për të penguar marrjen e statusit si vend kandidat në BE.
Ne ndërkohë vazhdojmë përpjekjet e shndërrimit të Shqipërisë në kopështin më të bukur në Europë.
Ne do të vazhdojmë programin tonë për marrjen e statusit si vend kandidat, ashtu siç hoqëm vizat, pavarësisht bllokimit të opozitës, ka thënë Berisha.
Më tej ai ka vijuar duke thënë se Rama ka marrë peng statusin e vendit kandidat dhe sipas Berishës, tashmë statusi kandidat është në dorën e opozitës, e cila, sipas tij, duhet të votojë ligjet.
Statusi kandidat është marrë peng për interesa personale të zotit Rama, duke bllokuar votimin e deputetëve të tij, një akt që nuk e ka bërë as Shesheli në Serbi.
Në 8 maj zoti Rama provoi humbjen më të hidhur të të gjitha humbjeve. Ai kërkon që ta shpallë veten kurban, por ai mbetet humbës i pesëfishtë, me 140 mijë vota në shkallë vendi, të konventuara me 9 mandate më shumë për mazhorancën, humbës në qarqe, humbës në këshilla, humbës në garën personale me njeriun që e quajti sozinë time. Por, u detyrua që ti lëshojë karrigen.
Qeveria do të bëjë çdo gjë për marrjen e statusit kandidat, por qeveria nuk disiplinon dhe udhëheq opozitën. Veprimet dhe aktet e mia nuk bëhen në prapashpinë. Por, e sigurtë është që shqiptarët do ta zgjidhin këtë çështje.
Rama ulëret e treat e vërteta, siç bëjnë kalamajtë. Se ai dhe të katërtës i thotë e treat, tha Berisha.
Sipas tij, vendimi për liberalizimin e vizave një vit më parë ishte akti që dëshmoi besim tek shqiptarët. Heqja e vizave ishte një akt i merituar për shqiptarët. Ai erdhi si rezultat i reformave të thella të qeverisë, që vendosën standarte krejtësisht të tjera për sigurinë dhe kufirin, reforma që e kthyen Shqipërinë në një factor stabiliteti në tërë rajonin e më mbarë.
Vizat u hoqën pikërisht për shkak të reformave të thella të marra nga qeveria. Ky vit tregoi se ky ishte një vendim i drejtë, pasi shqiptarët u sollën me përgjegjësinë më të madhe.
Shqipëria ka në këtë proces rekordet më të mira në Ballkan. Koha tregoi se shqiptarët e merituan plotësisht heqjen e vizave.