Vendimi i BE-së për vizat, Berisha: Rama dështoi
Një vit nga vendimi i BE-së për heqjen e vizave për shqiptarët, kreu i qeverisë Sali Berisha ka deklaruar se ai ka qenë tërësisht i merituar, ndërsa shqiptarët, me fat, pasi reformat për to nuk vareshin nga votat e Ramës.
Në një konferencë për shtyp, shefi i qeverisë akuzoi sërish kreun e opozitës Edi Rama se u mundua të bllokojë heqjen e vizave por që nuk ia doli dot.
“Kreu i opozitës për të bllokuar vizat me sjelljet e tij hap kutitë të çlirojnë vizat me letrat e tij se po hoqët vizat 1 milionë shqiptarë do të derdhen në Europë patën zero efekt në këtë process” ka theksuar Berisha.
Ai ka theksuar se Rama është i vetmi lider i opozitës i cili ka bërë të gjitha përpjekjet për të penguar heqjen e vizave ashtu siç pengoi edhe marrjen e statusit të vendit kandidat duke mbajtur peng ligjet me 3/5.
“Shqiptarët ishin me fat se ky proces, ndonëse bazohej në dhjetëra ligje e reforma nuk bazohej në ligje me 3/5 që të mund ta bllokonte zoti Rama, si bllokoi cdo ligj me 3/5 përfshirë dhe ata që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore dhe jetën e shqiptarëve, me luftën kundër larjes së parave dhe trafiqeve, me gjykimin mbi bazën e kodit administrativ. Na kanë mbetur ligjet me 3/5 që Rama i mban si plackë tregu për të dënuar shqiptarët me statusin e vendit kandidat” ka shtuar Berisha.
Më tej kryeministri Berisha theksoi se heqja e vizave u bë falë reformave të sukseshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare.
“Heqja e vizave erdhi si rezultat i reformave të thella dhe të gjithanshme të cilat vendosën standarte krejtësisht të reja të sigurisë. Reforma që shndërruan Shqipërinë në një prodhues të vërtetë të stabiliteti në rajon dhe më gjërë” ka shtuar Berisha.
Ndërsa i pyetur nga “Ora News” në lidhje me një marrëveshje të fshehtë mes mazhorancës dhe opozitës për ligjet me 3/5, kryeministri Berisha theksoi se kontaktet mes dy palëve kanë qënë të domosdoshme.
“Mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike ka kontakte dhe kjo është gjëja më normale. Këto kontakte janë të domosdoshme për të diskutuar për çështje që janë të një rëndëisie të dyanshme. Është e sigurtë që çdo propozim i opozitës ne e shqyrtojmë me seriozitet të merituar. Ky është qëllimi im konstant dhe i përhershëm dhe këtu s`ka asgjë për t`u çuditur nëse diskutohet për tema që dihen” ka shtuar Berisha.