E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama frikë nga hetimi, ndryshoi kërkesat

Kërkesa për hetim, Berisha: PS ta përshtasë me ligjin. “Rama kërkon hetim mbi dyshimet, pa fakte, propozimet, të denja për spitalet psikiatrike”

Kryeministri Sali Berisha e cilësoi dje projektvendimin e PS-së për komisionin hetimor të zgjedhjeve si të bazuar në dyshime dhe jo në fakte e prova konkrete, gjë që bie ndesh me Kushtetutën. Ai i bëri thirrje grupit parlamentar të Partisë Socialiste që të shqyrtojë dhe të riformulojë projektrezolutën në përputhje me Kushtetutën dhe garantoi se mazhoranca që nesër do të jetë e gatshme ta miratojë atë me unanimitet. Berisha akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, se ka hequr dorë prej komisionit hetimor për zgjedhjet me qëllimin e vetëm, atë të dhunimit të votës së qytetarëve shqiptarë. "Në një betejë të egër për të dhunuar dhe poshtëruar votën e qytetarëve shqiptarë, Edi Rama vendosi dy ditë më parë që të tërhiqej nga komisioni hetimor parlamentar, ndaj dhe sot nga Komisioni i Ligjeve deputetët socialistë u tërhoqën dhe nuk pranuan të diskutonin në përputhje me vendimin e marrë në unanimitet në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve", - tha Berisha.

Kryeministri iu referua pikërisht mënyrës se si deputetët e majtë u sollën gjatë mbledhjes të Komisionit të Ligjeve dhe largimit te tyre. Sipas Berishës, deputetët e PS-së ofruan një propozim tërësisht antikushtetues, të bazuar në hetim të dyshimeve, të pabazuara në asnjë fakt. Kjo, për kryetarin e qeverisë përkthehet qartë në përpjekje për dhunim të votës të 28 qershorit 2009. Sipas kryetarit të qeverisë, ky ndryshim i qëndrimit të kryesocialistit është pasojë e vendimit që dha prokuroria e Shkodrës, e cila provoi pas numërimit të votave se nuk ka pasur asnjë manipulim.
Berisha tha se këto ndryshime në qëndrime të kryetarit të PS-së janë reflektuar edhe brenda forcës së tij politike. Ai theksoi se Rama me çdo kusht kërkoi të mbante drejtimin e partisë, duke e justifikuar me mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve. Një gjë të ngjashme reflektoi dhe me kërkesën për rinumërim të votave, duke hequr dorë papritur prej saj, pasi e kërkoi prej më shumë se një viti.
Si dëshmi të kësaj mungese stabiliteti në qëndrime të kreut socialist, Kryeministri solli edhe pjesë nga diskutimet në darkën e Strasburgut, në restorant “Krokodili”. Duke folur në mbledhjen e djeshme grupit të PD-së, z. Berisha vuri në dukje se projektrezoluta e PS-së ngre hetimin mbi dyshimet, gjë që, sipas tij, është kundër Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. “Në qoftë se ti pretendon të ndërmarrësh hetim mbi dyshime, pa fakte, atëherë ti tregon se boshti i mendjes tënde është dyshimi dhe kjo përbën një sëmundje psikike”, - theksoi Berisha duke shtuar se dyshimet pa fakte ngrenë shpifjen dhe trillimin. Gjithashtu, duke iu referuar mbledhjes së djeshme të Komisionit të Ligjeve, ku opozita braktisi mbledhjen, Kryeministri Berisha bëri të ditur se ky akt i opozitës vjen si rezultat i hetimeve që u bënë në Shkodër, ku zgjedhjet rezultuan brenda standardeve.
“Rama largoi në mënyrë ultimative deputetët nga Komisioni i Ligjeve, sepse nuk kishin asnjë argument për të mbrojtur opsesionin e tij politik”, - theksoi Berisha, duke shtuar se prokuroria nxori në dritën e diellit të vërtetën për zgjedhjet e 28 qershorit. Ai gjithashtu theksoi se nëse Partia Socialiste e riformulon projektvendimin, atëherë mazhoranca që nesër do të jetë e gatshme ta miratojë atë me unanimitet. Duke komentuar debatin e djeshëm në Komisionin e Ligjeve, Berisha tha: "Në 8 nga 9 nenet e kërkesës së propozuar nga opozita, kërkohej hetimi i dyshimit, kur nuk kishte asnjë fakt ose provë". Sipas tij, "asnjë institucioni nuk i lejohet të hetojë dyshimet pa fakte dhe prova". Në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, kryetari i qeverisë falënderoi të gjithë qytetarët shqiptarë për dinjitetin e treguar pas liberalizimit të vizave. Ai tha se procesi i informimit të qytetarëve do të vijojë dhe se qeveria mbetet e vendosur të bashkëpunojë me vendet e BE-së për të shmangur çdo abuzim me kushtet për lëvizjen në zonën Shengen.

Berisha, Ramës: Përdore partneren, mashtrove ODIHR-in

Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje kryetarin e PS-së, Edi Rama, se ka përdorur partneren e tij për t’iu kundërvënë PD-së tek institucionet e rëndësishme ndërkombëtare. Për këtë, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, në pjesën pa praninë e mediave, Berisha iu referua një rasti të vitit 2006, kur z. Rama përdori një partnere të tij, konkretisht një britanike, e cila ishte vëzhguese e ODIHR-it, për të shpifur ndaj PD-së tek ky institucion. Burimet bëjnë të ditur se para deputetëve demokratë, Berisha bëri të ditur faktin se partnerja e Ramës trilloi lloj-lloj akuzash me mashtrime tek ODIHR-i, duke i servirur ato si të vërteta përmes së cilave sulmohej PD-ja si manipuluese. Por pas një verifikimi që vetë ODIHR bëri për ato që kishte raportuar vëzhguesja e saj në terren, por që njëherësh ishte dhe partnere e z. Rama, rezultoi se asgjë nuk ishte e vërtetë. Ky rast, sipas Berishës, është një nga keqpërdorimet ku z. Rama e bën realitetin praktikë, të cilën po e ndjek edhe aktualisht me rastin e zgjedhjeve të shkuara parlamentare. Burimet brenda mbledhjes së PD-së bëjnë të ditur se në mbledhjen e djeshme Berisha foli edhe për çështjen e mocionit për debat të ditës së enjte të kërkuar nga opozita. Për këtë Kryeministri Berisha kërkoi nga deputetët që të përgatiten me fjalime përmes të cilave në këtë seancë t’u bëhet e ditur shqiptarëve politika antiintegrim e opozitës shqiptare e kryesuar nga z. Rama. Berisha kërkoi pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve të PD-së në seancën e ditës së enjte, ku do të diskutohet pikërisht mocioni për debat i kërkuar nga opozita.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›