E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surpriza, Rama tërhiqet edhe nga hetimi i zgjedhjeve

“Duam transparencë, por jo hetim të materialeve zgjedhore”. Propozimet, Rama, ultimatum Kuvendit: Presim deri të enjten

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, përmes mbështetjes që u dha dje deputetëve të tij në Komisionin e Ligjeve, shmang hetimin e 28 qershorit, duke ndryshuar qëndrimin politik të disa kohëve më parë, i cili kishte kërkuar hetim të materialeve zgjedhore. Sipas kryesocialistit, argumentet e paraqitura nga mazhoranca në këtë mbledhje nuk bëjnë gjë tjetër vetëm sa e thellojnë më shumë krizën politike dhe refuzimi ndaj propozimit tregon, sipas tij, se zgjedhjet e kaluara parlamentare janë vjedhur. “Sot kriza është thelluar. Për të gjithë ata që kanë ndjekur punimet e Komisionit të Ligjeve dhe për të gjithë ata që përmes medias do të njihen me ecurinë e këtyre punimeve, është më se e qartë se Saliu s’ka pranuar as ato që ka pranuar deri sot, duke refuzuar atë çka është e shkruar e zeza mbi të bardhë në rezolutën e Parlamentit Evropian. Ka refuzuar të zgjidhë krizën, duke u mbështetur mbi një tërësi argumentesh që s’janë argumente dhe shpifjesh e fyerjesh, që nuk e ndihmojnë zgjidhjen e krizës e as nuk i bëjnë nder Shqipërisë për Kryeministrin që ka. Sot Saliu ka provuar se i ka vjedhur zgjedhjet dhe se do që t’i vjedhë ato përsëri”, - tha Rama. Kështu, kreu i selisë rozë, megjithëse për një kohë të gjatë kërkoi hetimin parlamentar të zgjedhjeve të kaluara të 28 qershorit dhe akuzoi mazhorancën për mungesë vullneti, tashmë në një mbledhje të Komisionit të Ligjeve, e cila ishte thirrur posaçërisht për propozimin e Partisë Socialiste për hetim, përfaqësuesit e opozitës largohen nga mbledhja dhe kryesocialisti i mbështeti ata. Për Ramën komisioni i mbledhur ditën e djeshme refuzoi çdo gjë, megjithëse ishin vetëm tri pika, të cilat u kundërshtuan nga mazhoranca, pasi binin në kundërshtim me ligjin dhe, sipas tij, transparenca e kërkuar që në fillim nga Partia Socialiste nuk përfshinte rinumërim, por vetëm hetim të fletëve e më pas të materialeve. “Sot në komision u refuzua gjithçka, madje edhe shumica dhe drejtimi i komisionit nga opozita, pa diskutim edhe hetimi i materialeve zgjedhore po e po dhe vënia në dispozicion e kutive të këtyre materialeve për një transparencë që me të njëjtën kushtetutë, në të njëjtën sallë një mandat më parë ishte e mundshme dhe sot nuk qenka e mundshme. Asnjëherë ne nuk kemi dashur rinumërim. Kur kemi folur për fletë votimi, kemi folur për hetim të numërimit, lidhur me materialet zgjedhore fillimisht dhe kur kemi ofruar zgjidhjen, duke lënë mënjanë fletët e votimit, kemi kërkuar hapjen e kutive të materialeve zgjedhore konform rezolutës së PE-së, për një kompromis që i vlen Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe që i hap rrugën transparencës”, - shpreh Rama. Gjithashtu, në fjalën e tij kreu socialist nuk ngurroi edhe të vendoste një ultimatum ndaj Kuvendit për zgjidhjen e çështjes së hetimit të zgjedhjeve dhe të mocionit për debat të kërkuar më parë nga opozita për refuzimin e statusit kandidat në BE për Shqipërinë deri ditën e enjte, kur është edhe seanca e fundit e Kuvendit për këtë vit. “Ka ende disa ditë kohë dhe të enjten Kuvendi diskuton këtë çështje bashkë me mocionin për debat, të kërkuar prej nesh, për t’i dhënë një mundësi të re Shqipërisë në rrugën e integrimit, duke adresuar “mot a mot” të gjitha ato që çështje që në opinionin e KE-së trajtohen si probleme që kanë penguar hapjen e dyerve të BE-së për Shqipërinë. Ka ende disa ditë, sigurisht kur nuk ka ndryshuar në 20 vjet mbase nuk mund të ndryshojë për disa ditë Saliu, por ne jemi të detyruar të vazhdojmë të kërkojmë rrugën e arsyes për të ardhmen e vendit, për të mirën e të gjithë shqiptarëve, për domosdoshmërinë e një procesi politik që duhet medoemos t’ju shërbejë njerëzve e jo atyre që sundojnë duke mos i lënë njerëzit të zgjedhin”, - nënvizoi Rama. Partia Socialiste ka rreth një vit e gjysmë që kërkon të bëhet transparenca e zgjedhjeve të kaluara parlamentare, por kërkesat e saj për hetim deri më tani kanë qenë të gjitha në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe kështu mazhoranca ka kërkuar që të bëhet propozimi për hetim sipas ligjit. Edhe dita e djeshme në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku u diskutua propozimi i fundit i PS-së, pas refuzimeve nga ana e mazhorancës ndaj tri pikave të propozimit, të cilat binin në kundërshtim me Kushtetutën, përfaqësuesit e opozitës u larguan nga mbledhja, duke vepruar kështu krejt ndryshe nga ajo çfarë kanë kërkuar në të gjithë këtë kohë, hetimin e zgjedhjeve për të bërë transparencën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›