E Diel, 1 Nëntor 2026

PS braktis Ligjet, Rusmali: I garantojmë mazhorancën faktike

Socialistët tërhiqen nga hetimi, shumica miraton relacionin. PD: Ne jemi për hetim, por bazuar në fakte

Socialistët braktisin Komisionin e Ligjeve, ku diskutohej projektvendimi i tyre për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Pas largimit të opozitës mazhoranca miratoi e vetme një relacion plot me vërejtje ndaj draftit të PS-së, ku kërkohet ngritja e komisionit hetimor për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Për deputetët demokratë, projektvendimi i socialistëve bie ndesh me Kushtetutën, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ligjin për ngritjen e komisioneve hetimore dhe kodin e praktikave të mira për çështjet zgjedhore të komisionit të Venecias në pikat dy, tre dhe katër të tij. Sipas relatorit Viktor Gumi, projektvendimi i deputetëve të selisë rozë nuk e mbështet pikën dy të tij hetimin në fakte apo tërësi faktesh, por mbi dyshime. Gjithashtu, në këtë draft, mazhoranca argumenton si një tjetër shkelje flagrante të ligjit për komisionet hetimore edhe opsionin e parashtruar nga deputetët socialistë; atë të shumicës në vendimmarrje. Për të gjitha këto vërejtje mazhoranca e ftoi opozitën të reflektojë duke bërë ndryshimet kushtetuese dhe ligjore në projektvendim. “Projektvendimi ka defekte të rënda në përcaktimin kushtetues të objektit të hetimit, përcaktimit kushtetues të zbatimit të ligjit të posaçëm për përbërjen e tij, përcaktimin kushtetues të respektimit dhe moscenimit të veprimtarisë së tij me organet e tjera, si dhe përcaktimit kushtetues të efektivitetit dhe racionalitetit të veprimtarisë së kuvendit. Për pasojë projektvendimi mund të miratohet në parim nga ana e komisionit, por miratimi në parim nuk do të thotë se teksti i projektvendimit në komision është po ashtu i gatshëm për votimin pro të përmbajtjes normative të tij. Pikat 2, 3, 4 duhet të riformulohen në mënyrë të pashmangshme nga këndvështrimi kushtetues”, - tha Gumi. Për socialistët refuzimi i kërkesës së tyre për të mos hetuar zgjedhjet e 28 qershorit ka një qëllim politik; atë për të manipuluar proceset e ardhshme elektorale. Pas kësaj deklarate, opozita braktisi punimet e komisionit, duke refuzuar të bëhej pjesë e votimit me ndryshimet e propozuara nga mazhoranca. “Qëllimi i mazhorancës është që të mos ngrihet komisioni hetimor. Nuk jeni as për objektin e tij, as për të drejtën për të këqyrur kutitë e materialeve zgjedhore, e jo më ato të fletëve të votimit. Sot pritej t’i hapej rruga procesit për të cilin jeni shprehur publikisht. Po qe se vazhdoni kështu, ne nuk bëhemi pjesë e këtij procesi. Berisha nuk e do hetimin, sepse me të njëjtën mënyrë siç vodhi do të marrë edhe ato të ardhshmet”, - tha deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj. Pas largimit të socialistëve, kreu i Ligjeve, Ilir Rusmali, theksoi se mazhoranca i garanton opozitës mazhorancën faktike në komision hetimor ashtu siç ka premtuar prej kohësh dhe jo mazhorancën ligjore, e cila është antiligjore si dhe garancinë për hetim, por mbështetur në fakte. Ai shtoi se Partisë Socialiste i lihej e hapur mundësia për të bërë rregullimet e nevojshme për të proceduar. “Oferta politike e mazhorancës ka qenë dhe është në fuqi. Është e gatshme për t’u zëvendësuar. Pastaj do të jetë komponenti tjetër i parlamentarizmit, ai politik siç tha Gumi, që do ta çojë përpara këtë çështje”, - tha Rusmali. Tashmë që komisioni miratoi me votat e mazhorancës relacionin e Gumit, gjithçka mbetet në dorë të seancës plenare.

RAPORT

PËR PROJEKTVENDIMIN “PËR NGRITJEN E KOMISIONIT HETIMOR TË KUVENDIT PËR TRANSPARENCËN E ZGJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË MBAJTURA NË 28 QERSHOR 2009”

...

Jurisprudenca kushtetuese e Republikës së Shqipërisë

5. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 18, datë 14.5.2003

“Interpretimin e nenit 77, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në këtë mënyrë:

1. Komisionet hetimore janë mjet efektiv kontrolli që veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese të parlamentit, të cilat ngrihen për çështje të veçanta, të lidhura në mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësit; 2. Ngritja e komisioneve hetimore parlamentare, kur kërkohet nga një e katërta e deputetëve, është e detyrueshme. Objekti dhe fusha e veprimit të komisioneve hetimore, duhet të respektojë parimet kushtetuese dhe normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, duke mos cenuar pavarësinë dhe duke mos penguar veprimtarinë e organeve të pushteteve të tjera; 3. Parimet kushtetuese, veçanërisht, parimi i ndarjes e balancimit ndërmjet pushteteve, i të drejtës për një proces të rregullt ligjor, i prezumimit të pafajësisë, i paanshmërisë, i respektimit të jetës private të individit, përbëjnë standarde kushtetuese mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë komisionet hetimore parlamentare; 4. Çështjet e veçanta që përbëjnë thelbin e objektit të veprimtarisë së komisioneve hetimore parlamentare, të cilat e përmbajnë në vetvete interesin publik, janë ato që hetohen në aspektin e kontrollit e të zbatimit të ligjeve, të njohjes e verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarjeje, a veprimtarie dhe që nxisin iniciativat për propozime, amendime apo miratime ligjesh, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale.

Këto parime përjashtojnë çdo formë kontrolli parlamentar mbi aktivitetin juridiksional të gjykatave. E drejta e një të katërtës së deputetëve për të ushtruar hetimin parlamentar nuk mund të konsiderohet absolutisht e pakufizuar.

6. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 26, datë 4.12.2006

Kur Gjykata Kushtetuese ka interpretuar nenin 77 të Kushtetutës, ajo ka theksuar se hetimi parlamentar nuk mund të jetë absolutisht i pakufizuar, pra ai është i kufizuar nga disa parime dhe detyrime kushtetuese. Pra, hetimi parlamentar të ketë të bëjë me veprimtarinë ligjvënëse dhe që kompetenca hetimore të mos shpërdorohet.

7. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr 20, datë 4.05.2007

“Gjykata Kushtetuese thekson se komisioni hetimor parlamentar ngrihet kur ekziston në fakt çështja e veçantë dhe jo për të parë nëse mund të zbulohet ose të gjendet ndonjë e tillë në të ardhmen”.

8. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 22, datë 5.05.2010.

“Gjykata Kushtetuese, në pajtim me jurisprudencën e konsoliduar të saj, rithekson se kontrolli parlamentar nuk mund të përdoret tej hapësirës kontrolluese që Kushtetuta i njeh Kuvendit. Në opinionin e Gjykatës Kushtetuese, “një çështje” që në aspektin kushtetues mund t`i nënshtrohet hetimit parlamentar, përbëhet nga fakte apo rrethana, të cilat përfshihen në objektin e veprimtarisë së Kuvendit dhe për të cilat ekziston një mosmarrëveshje. Në këtë kuptim, çështja duhet të jetë manifestuar përpara marrjes së një vendimi përkatës nga ana e Kuvendit për ngritjen e një komisioni hetimor. Për pasojë, duhet theksuar se komisioni hetimor parlamentar ngrihet kur ekziston në fakt një çështje në kuptimin kushtetues dhe jo për të verifikuar nëse mund të zbulohet ose të gjendet ndonjë e tillë në të ardhmen. Gjykata Kushtetuese shton gjithashtu, se objekti i hetimit, i argumentuar qartë dhe në mënyrë të mjaftueshme në kërkesë, duhet të përmbajë fakte të përcaktueshme ose kompleks faktesh, të cilat të tregojnë qartë se për çfarë po hetohet. Në këtë mënyrë, objekti i hetimit evidenton dhe çështjen e veçantë. Të gjitha ato çështje që përfshihen brenda funksionit të kontrollit parlamentar dhe që përmbajnë në vetvete një interes të veçantë shtetëror/publik, përbëjnë një çështje të veçantë në kuptimin kushtetues. Gjykata Kushtetuese vlerëson gjithashtu, se vendimi që formulon objektin duhet të plotësojë kriterin e saktësisë dhe të mos-dykuptimësisë.

Analiza ligjore

9. Në zbatim të vendimeve të sipërmendura të Gjykatës Kushtetuese, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, duhet të fillojë punë me një kujdes të veçantë për hapin e parë që hedh- përcaktimin e objektit të hetimit parlamentar- sepse “përkufizimi i objektit të hetimit përbën hapin e parë nga ku do të përcaktohet edhe ecuria e hetimit parlamentar”.

10. Objekti i hetimit duhet:

a) të jetë i parashtruar në mënyrë të qartë e të saktë, duhet të përmbajë fakte ose tërësi faktesh, nga të cilët merr shkas hetimi parlamentar dhe shpjegon se çfarë hetohet. b) të jetë i përcaktuar në mënyrë të mjaftueshme, kusht ky që kërkohet për respektimin e parimit të shtetit të së drejtës, respektimin e të drejtave themelore, të parimit të ndarjes së pushteteve si dhe kompetencave të kufizuara që disponon një komision hetimor. c) nuk duhet të lejojë specifikimin i objektit nga ana e komisionit hetimor sepse një situatë e tillë, pra specifikimi i objektit të hetimit nga ana e komisionit hetimor, do të përbënte një nëndelegim nga ana e Kuvendit, çka është në kundërshtim me nenin 77, pika 2, të Kushtetutës. ç) Vendimi që formulon objektin duhet të plotësojë kriterin e saktësisë dhe të mos-dykuptimësisë, dhe kjo sepse formulimi i objektit të veprimtarisë së komisioneve hetimore në mënyrë të paqartë është i palejueshëm në një shtet demokratik të së drejtës, pasi përbën një kërcënim real për shkeljen e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe për një ndërhyrje të tepruar në sferën e kompetencave të organeve të tjera shtetërore. Për pasojë, në qoftë se objektivi i ngritjes së komisioneve hetimore nuk mund të arrihet për shkak të përcaktimit jokushtetues të detyrave të komisionit hetimor nga ana e parlamentit, kjo do të thotë se nuk është përmbushur një detyrim tjetër kushtetues, që ka të bëjë me funksionimin e organeve publike dhe konkretisht, me detyrimin për të siguruar kujdes dhe efiçensë në punën e organizmave publike.

11. A është përcaktuar objekti i hetimit qartë dhe saktë, d.m.th. përmban fakte të përcaktueshme ose kompleks faktesh nga ku merr shkas hetimit parlamentar?

E pamundur një përgjigje pozitive nga krahasimi i tërësisë së pikës 2 të projektvendimit me këtë përcaktim kushtetues. Projektvendimi nuk ka as fakte, as tërësi faktesh, por vetëm përdor termin “hetimin e dyshimeve”.. Hetimi i dyshimeve është një material i huaj për hetimin parlamentar, faktet dhe tërësia e fakteve janë materiali bazë ekskluziv i hetimit parlamentar. Ndaj edhe në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të “hetohen dyshime”, siç paraqet projektvendimi.

12. A është përcaktuar në mënyrë të mjaftueshme objekti i hetimit parlamentar?

Për sa kohë ngritja e komisionit hetimor parlamentar nuk mbështet në konceptet autonome kushtetuese, “fakte, tërësi faktesh, fakte të përcaktueshme apo kompleks faktesh,” edhe objekti i hetimit nuk ka sesi të jetë i përcaktuar në mënyrë të mjaftueshme.

13. A lejon formulimi i objektit të hetimit një specifikim të tij nga ana e komisionit hetimor, në kundërshtim me Kushtetutën?

Po. Me formulimin e paraqitur hetimi parlamentar është i pamundur pa specifikimin nga ana e komisionit hetimor. Është logjike që nuk merren apriori hetimet e dyshimeve të ngritura nga partitë politike për procedurat e votimit, zbatimi i ligjit nga ana e komisioneve të votimit, mundësinë e votimit më shumë se një herë apo votimit familjar etj. Edhe në logjikën më të thjeshtë konstatuese dhe jo hetuese përcaktime të tilla janë të pavlefshme. A do të duhet të thuhet se cilat konkretisht janë dyshimet e partive politike, për më tepër kushtetushmërisht të kërkuara të jenë në “fakte dhe tërësi faktesh”, ose “fakte të përcaktueshme ose kompleks faktesh nga ku merr shkas hetimit parlamentar”. “Kuvendi e ka përcaktuar këtë objekt në mënyrë të përgjithshme, çka kërkon si pasojë një specifikim paraprak nga ana e komisionit hetimor. Kjo do të thotë, se Kuvendi, de facto, i ka deleguar komisionit hetimor kompetencën e tij ekskluzive për specifikimin e veprimtarisë që do të shqyrtohet nga ky komision” . Komisioni hetimor, nëse ngrihet me formatimin aktual, ka vetëm një rrugë: të bëjë specifikimin e çështjeve me një vendim të veçantë të tij duke bërë kështu, që në orën e parë të mbledhjes së tij të parë, shkeljen e nenit 77, pika 2, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

14. A është plotësuar kriteri kushtetues i “saktësisë dhe mosdykuptimësisë” në objektin e hetimit?

E pamundur edhe në këtë rast një përgjigje pozitive. Projektvendimi në pikën II të tij flet për “ hetim të dyshimeve të ngritura nga partitë politike për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit...”., “hetimin e dyshimeve në lidhje me shkeljet ligjore lidhur me procedurat e aplikimit, të prodhimit dhe të shpërndarjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike...”., “hetimin e veprimtarisë së KQZ-së lidhur me prokurimin, funksionimin, përdorimin dhe efektivietetin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit..,”. Kjo dykuptimësi e theksuar dhe mungesë precizoni juridik arrin deri aty sa në dy pika të objektit të hetimit në projektvendim, përveç terminologjisë së përgjithshme të përdoret në fund të rreshtave fjala “etj”.. Një standard i tillë, në hapin e parë të punës, kushtetushmërisht nuk është i lejueshëm. Gjithashtu, po sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nëse miratohet ky objekt..”. nuk është përmbushur një detyrim tjetër kushtetues, që ka të bëjë me funksionimin e organeve publike dhe konkretisht, me detyrimin për të siguruar kujdes dhe eficencë në punën e organizmave publike”.

15. Kuvendi nuk mund të nisë hetimin e zbatimit të ligjit, i çfarëdo natyre të jetë ai, duke shkelur vetë me të “dy këmbët” ligjin.

Ligji nr. 8891, datë 2.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” neni 9, pika 1 dhe 2, përcaktojnë se: “1. Komisioni përbëhet nga jo më pak se 9 dhe jo më shumë se 15 deputetë, por gjithmonë me numër tek. 2. Komisioni përbëhet nga deputetë të partive të pozitës dhe të opozitës, në raporte sa më të afërta përfaqësimi, por diferenca të jetë jo më shumë se një anëtar”. Ndërkohë në zbatimit të vendimit të Konferencës së Kryetarëve për plotësimin e anës formalo-juridike të kërkesës, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste në 14.12.2010, ka parashtruar dy variante për pikën III që përcakton përbërjen e komisionit hetimor. Në variantin 1 të kësaj pike, komisioni hetimor propozohet që të ketë 14 anëtarë - 7 anëtarë shumica dhe 7 anëtarë opozita- dhe kryetari i Komisionit të ketë të drejtën e dy votave. Kushti ligjor i detyrueshëm për respektim (numri tek i përbërjes dhe diferenca jo më shumë se një votë në favor të shumicës, sipas nenit 9 të ligjit) është kthyer kështu në anë e kundërt të tij, duke shënuar përveçse ligjit të posaçëm edhe shkeljen e një neni tjetër të Kushtetutës: nenin 4: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”. “Ky është formulimi i nenit 4 pika 1 të Kushtetutës, dhe nga detyrimi për të zbatuar këtë parim, nuk mund të përjashtohet askush. Mbi bazën e këtij parimi kushtetues, Kuvendi ka miratuar ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore” dhe në nenin 4 ka parashikuar pikërisht ngritjen dhe funksionimin e tyre konform parimeve kushtetuese”. Ligji për komisionet hetimore dhe projektvendimi i paraqitur e kanë të pamundur “bashkëjetesën” mes tyre, janë në skaje diametralisht të kundërt dhe që të lënë vetëm një zgjidhje; vendimi i Kuvendit duhet të jetë zbatim i ligjit dhe jo thyerje flagrante e tij. Nismëtarët fatkeqësisht nuk e kanë zgjidhur këtë gjë. Varianti 2 i propozuar për këtë pikë duket se reflekton pjesërisht kërkesat e nenit 9 të ligjit nr. 8891, datë 2.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”. Shkelja në këtë propozim është se “kryetari i komisionit gëzon të drejtën e tre votave”. Procedurat e votimit në parlament janë mekanizma nëpërmjet të cilave votat individuale dhe të barabarta të deputetëve për cështje të mundshme përkthehen në zgjidhje kolektive. Parimi i shumicës parlamentare, i parë si institucion dhe jo si etiketim forcash politike në qeverisje, në të gjitha vendet demokratike zë një pozicion dominant në çfarëdo lloj niveli vendimmarrje parlamentare. Kjo për shkak se: (I) ai përbën një shkëmbim mes kostove vendimmarrëse të brendshme dhe kostove të jashtme që shumica e njerëzve i quajnë të arsyeshme, (II) rregulli i shumicës nënkupton barazinë politike dhe (III) ai nënkupton neutralitetin ndaj alternativave që i nënshtrohen vendimmarrjes në parlament. Si rrjedhim, kryetari i komisionit me të drejtën e tre votave, nuk ka asnjë refencë ligjore që të mbështesë juridikisht këtë ide, eliminon parimin kushtetues të shumicës parlamentare, cenon dizenjimin kushtetues të barazisë politike mes deputetëve edhe kur janë në seancë edhe kur janë në komisione, dhe në terma praktikë është eksperiencë unikale sepse në asnjë eksperiencë parlamentare të lindjes apo perëndimit, vendeve më të zhvilluara apo vendet e botës së tretë, nuk ekziston.

16. “Gjykata Kushtetuese vlerëson se Kuvendi, kur cakton një komision hetimor, duhet të respektojë parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve dhe limitet kushtetuese të kontrollit parlamentar, të cilat nuk lejojnë që ky kontroll të ushtrohet për çdo çështje dhe për çdo organ.

Nga ana tjetër, objekti i kontrollit parlamentar duhet të jetë i tillë, që të mos çojë në shkeljen e rregullimeve kushtetuese që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me organet e tjera”. Analiza këtij parimi të rëndësishëm kushtetues përqendrohet drejt një përcaktimi të saktë dhe paekuivok, sipas të cilit nuk mund të bëhen pjesë e hetimit parlamentar çështje që janë në juridiksionin e gjykatave. Një element i tillë mungon, dhe pikërisht kjo mungesë e bën hetimin parlamentar vunerabël për shkelje të tjera kushtetuese gjatë veprimtarisë së tij.

17. Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se: “përfshirja e një komisioni hetimor në një objektiv që mund të arrihet me mjete të tjera, çon në cenimin e parimit të racionalitetit dhe proporcionalitetit në veprimtarinë e autoritetit publik”.

Si zbatohet ky parim kushtetues, dhe cila është marrëdhënia që vendos Kuvendi nëpërmjet komisionit hetimor me nenin 178 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, posaçërisht me veprimtarinë dhe kompetencat e KQZ-së në këtë fushë? Kuvendi nuk mund të hetojë veprimtarinë e organeve të tjera në zbatimin e ligjit duke realizuar shkelje të ligjit që përcakton organizmin, funksionimin dhe administrimin e këtyre organeve. Hetimi i Kuvendit në këtë rast kalon vetëm përmes zbatimit të plotë nenit 178, dhe posaçërisht pika 6 të Kodit Zgjedhor, nen i cili është në fuqi dhe është miratuar me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Neni 136 i ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë saktëson: “...KQZ-ja fton palët të paraqesin pretendimet e tyre dhe:

a) të japin shpjegime rreth kërkesave të parashtruara në ankim; b) të tregojnë faktet dhe provat, mbi të cilat mbështesin pretendimet e tyre. Llojet e provave përcaktohen në Kodin e Procedurës Civile; dhe c) të kërkojnë marrjen e provave për të vërtetuar faktet, në rast se nuk ka qenë e mundur që këto prova të siguroheshin paraprakisht prej tyre, duke paraqitur njëkohësisht edhe arsyet përse nuk ka qenë i mundur sigurimi i tyre”.

Çfarëdo lloj hetimi, jo vetëm ai penal, por siç paraqitet edhe ai administrativ , edhe parlamentar nuk mund të jetë i mbështetur në dyshime por vetëm në “fakte dhe prova” që mbështesin pretendimet.

18. I cunguar ne formë dhe përmbajtje shfaqet projektvendimi edhe në një element tjetër të veçantë – respektimi i të dhënave personale.

Kodi i Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore i Komisionit të Venecias në pikën 4, shkronja “c”, përcakton se: “Lista e personave që kanë votuar nuk duhet të bëhet publike”, sepse “mospjesëmarrja tregon një zgjedhje të natyrës politike”. Ligji nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” përcakton në nenin 3 se: "Të dhëna personale" është çdo informacion për një person fizik, i cili është i identifikuar ose i identifikueshëm. Cili është raporti i tekstit të projektvendimit me detyrimin kushtetues për zbatimin e legjislacionit në fushën e të dhënave personale? P.sh. në pikën ii. të projektvendimit thuhet: “identifikimin e shtetasve në momentin e votimit, pasqyrimi i të dhënave përkatëse të dokumentit të identifikimit në rubrikën përkatëse të listave të votimit...” Kjo përmbajtje shkel parimet kushtetuese, nenin 35 të Kushtetutës dhe Kodin e Praktikave të Mira për Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias.

Konkluzion

19. Mbështetur në analizën e shpërmendur vlerësoj se projektvendimi ka defekte të rënda në përcaktimin kushtetues të objektit të hetimit, përcaktimit kushtetues të zbatimit të ligjit të posaçëm për përbërjen e tij; përcaktimit kushtetues të respektimit dhe moscenimit të veprimtarisë së tij me veprimtarinë e organet e tjera, si dhe përcaktimit kushtetues të efektivitetit dhe racionalitetit të veprimtarisë së Kuvendit.

20. Për pasojë, vlerësoj se: I. Projektvendimi mund të miratohet në parim nga ana e Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut.

II. Miratimi në parim, nuk do të thotë se teksti i projektvendimit në Komision është po ashtu i gatshëm për votimin “pro” të përmbajtjes normative të tij. Pikat II, III, dhe IV të projektvendimit duhet të riformulohen në mënyrë të pranueshme nga këndvështrimi kushtetues, cilësi që ato nuk e kanë në formulimin aktual të paraqitur. Këto pika duhet të shndërrohen nga përmbajtja aktuale antikushtetuese që posedojnë në formulime me përmbajtje kushtetuese duke njohur, respektuar dhe mishëruar në tekstin e tyre respektimin e Kushtetutës, Kodit Zgjedhor, ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, Kodin e Praktikave të Mira për Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias si dhe të gjithë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të nxjerrja për fushën e hetimit parlamentar. Për sa më lart, u takon nismëtarëve të identifikojnë mbi këto parime të metat e projektvendimit, boshllëqet dhe kundërshtitë kushtetuese që ai përmban dhe më tej të gjejnë suksesshëm rrugët dhe mjetet për korrigjimin e plotë të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›