Berisha-Rama, gati takimi për presidentin
Berisha tërhiqet dhe jep sinjale për një takim me Ramën, që do të zhvillohet në orët në vijim. Negociatat e vërteta për Presidentin e ri të vendit kanë kohë për tu zhvilluar deri në raundin e tretë, por duket se palët kanë nevojë për një marrëveshje paraprake.
Të gjitha lëvizjet e shumicës së drejtuar nga Sali Berisha, sidomos me prezantimin e një kandidati konkret dhe mos zyrtarizimin e tij pa konsensusin e opozitës socialiste, thjesht po zbulohen si lëvizje taktike që sigurojnë pozita negociuese.
Meta paralajmëron takimin
Vetëm një ditë pasi Parlamenti dështoi në zgjedhjen e Presidentit, aleati i Berishës në qeveri, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka dalë në skenë me një tjetër ide e cila kërkon një përgjigje nga dy drejtuesit kryesorë politikë. Në vend të ofertës socialiste për një takim të zgjeruar të të gjithë kryetarëve të partive parlamentare, ai ka sugjeruar një takim të nivelit të lartë Berisha-Rama.
Një takim Berisha- Rama do të ndihmonte përshpejtimin e procesit, nuk kemi pse të humbasim ditë e javë në një situatë pritje se çdo minutë është e çmuar, vendi ka nevojë për shumë reforma- u shpreh kreu i LSI-së, gjatë mbledhjes së Lëvizjes së Gruas për Integrim. S.Z.