E Shtunë, 31 Tetor 2026

Që sot, serbët e Kosovës me targa KS

Targe e vjeter dhe e re ne Kosove / Foto arkiv

Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, të cilët për më shumë se dhjetë vjet i kanë përdorur targat e vjetra të automjeteve të ish-Jugosllavisë (PR, GL, KM, UR dhe PZ), që nga sot nuk mund të lëvizin nëpër rrugët e Kosovës. Serbët kosovarë janë të detyruar që ti ndërrojnë këto targa me targa të reja të Kosovës, qofshin ato RKS apo KS.

Marrëveshja për lëvizjen e lirë që është arritur vitin e kaluar në Bruksel mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, parasheh që targat e vjetra të automjeteve të hiqen nga qarkullimi nga data 1 qershor, shkruan Zëri.

Sipas gazetës, marrëveshja e ka paraparë që targave të vjetra tu jepet fund me datën 1 nëntor të vitit të kaluar, por me një vendim të ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, është mundësuar që targat e vjetra të përdoren deri më 1 qershor.

Një ditë më parë, udhëheqësi i delegacionit të Serbisë, Borislav Stefanoviç, ka deklaruar se vendimi për heqjen e tabelave të vjetra është i padrejtë, dhe si i tillë kontribuon në keqësimin e raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Por, në raport me akuzat e Stefanoviçit, të enjten ka reaguar zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri. Pas përfundimit të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, Tahiri, e cila e ka udhëhequr delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë, ka thënë se që nga sot fillon zbatimi i vendimit të qeverisë për përdorimin e tabelave, siç ka thënë ajo, legale dhe largimin e atyre ilegale.

Desha të jap edhe porosinë për zotin Stefanoviç, i cili ishte deklaruar dje për këtë çështje. Qeveria e Kosovës në emër të dhënies së një kohe për tranzicionin prej tabelave ilegale në legale i ka dhënë kohë tetë muaj, pra prej 1 nëntorit, kur ka hyrë në fuqi kjo pjesë e marrëveshjes për lëvizje të lirë.

Tetë muaj ka qenë mjaft kohë për të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët pra kanë përdorur dikur tabela ilegale dhe sot duhet ti përdorin tabelat e automjeteve të shtetit të Kosovës, është shprehur ajo.

Sikurse është deklaruar edhe kryeministri Thaçi ditë më parë, edhe Tahiri ka mohuar se është planifikuar ndërrimi i saj si udhëheqëse e delegacionit me Serbinë me një zyrtar tjetër qeveritar, ndërsa ka theksuar se bisedime të tjera nuk do të ketë derisa Serbia nuk i zbaton të gjitha marrëveshjet e mëhershme. / Koha.net

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›