Rama: Japim konsensus, por më parë Berisha duhet të vijë në tryezë
Edi Rama, në një interviste të drejtpërdrejtë në “Top-Channel” menjëherë pas përfundimit të seancës, deklaroi se kryeministri Sali Berisha ndërsa ka takuar të gjithë krerët e partive parlamentare për të biseduar për presidentin, i trembet takimit me të, pasi nuk dëshiron të përballet me argumentet e opozitës.
Çfarë keni për të thënë pas tiradave të kritikave dhe akuzave që ju erdhën nga kryetari maxhorancës Berisha në sallën e kuvendi pas seancës së votimit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe mesazheve që erdhën nga Ilir Meta?
Besoj që cilësimi juaj është i mjaftueshëm. Ishin vërtet tirada dhe akuza që nuk kanë të bëjnë asgjëkund me procesin që ne duam të ndërtojmë. Nuk kanë të bëjnë asgjëkund me frymën që i duhet një procesi të tillë, nuk kanë të bëjnë asgjëkund me vullnetin për të komunikuar seriozisht me opozitën. Nuk kanë të bëjnë asgjëkund, në fund të fundit, as me ndonjë dëshirë për të realizuar konsensus. Është e qartë, por megjithatë ne vazhdojmë të këmbëngulim se jo për hir të kryeministrit dhe të qeverisë, as për hir të opozitës, por për hir të interesave të vendit dhe për domosdoshmërinë që Shqipëria ta japë provën e cila i kërkohet; Duhet proces, duhet dialog, duhet konsensus.
Ka patur kritika se në fakt 4 kërkesat, apo 4 kushtet siç i cilësoi z.Patozi në ditët e fundit, që ju keni vënë, në fakt janë në njëfarë mënyre një lloj skeme për të fshehur qëndrimin tuaj refraktar ndaj procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Pra, në njëfarë mënyre duke kushtëzuar një proces kushtetues me kërkesa të tjera, që sigurisht janë të kërkuara nga ndërkombëtarët, por vijnë në kohën do thoja unë, të padukur, ose jo unë, po thonë kritikët tuaj.
Besoj, që nga njëra nga anë kjo tregon se as kryeministri, as zëdhënësi i tij në krye të grupit parlamentar, nuk janë në realitetin ku jetojmë, janë jashtë realitetit. Realiteti ku jetojmë është realiteti i një marrëdhënieje jashtëzakonisht delikate dhe të komplikuar me BE-në për të mundur të realizojmë ato 4 detyrime që nuk janë shpikur nga opozita, nuk janë ultimatume, nuk janë as parakushte për të dialoguar, por janë substanca e asaj çka kërkon prej muajsh komuniteti ndërkombëtar dhe Bashkimi Europian. Mjafton të merrni dhe të lexoni adresimin e Komisionerit të Zgjerimit në parlamentin shqiptar dhe ato gjenden aty. Mjafton të merrni dhe të lexoni raportin e departamentit të shtetit dhe ato gjenden ato. Mjafton të merrni dhe të shikoni të gjitha deklarimet e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë në arkivën tuaj dhe ato gjenden ato. Thënë kjo, dëshiroj ta nënvizoj se e gjithë përpjekja për ti paraqitur këto si kushte të cilat synojnë të pengojnë procesin e dialogut për zgjedhjen e Presidentit, e gjithë përpjekja për ta paraqitur këtë si një paketë bllokuese, është e shëmtuar dhe tërësisht e bazuar mbi nevojën që ka kryeministri dhe shumica për tju shmangur dialogut dhe për tju shmangur çdo komunikimi që prodhon konsensus. Ne e kemi çuar një propozim në tryezë. Pala tjetër ka të drejtën të thotë, me propozimin tuaj ne biem dakord në parim me këto pika, por jemi për këtë axhendë të kësaj tryeze. Por, këtu ska tryezë, këtu ska proces. Këtu ka vetëm një komunikim që zhvillohet përmes konferencave të shtypit, që zhvillohet përmes retorikave në tribunën e Kuvendit, që zhvillohet përmes mediave dhe jo drejtpërdrejtë me të gjitha palët.
Pse këmbëngulni ta takoni ka shumë personalisht z.Berisha?
Unë nuk këmbëngul fare të takoj kaq shumë personalisht kryeministrin dhe unë habitem me pyetjen tuaj. Është shumë e thjeshtë. Dialogu kërkon ndërveprim dhe kërkon komunikim mes palëve. Në rast se kryeministri takon të gjithë kryetarët e partive, madje takon edhe kryetarin e partisë aleate me ne në opozitë, për çfarë i takon?! I takon për të pirë kafe? Në qoftë se ata i takon për të pirë kafe dhe për këtë arsye nuk më takon mua ska asnjë problem. Unë besoj që arsyeja pse kryeministri i shmanget takimit në një tryezë të të gjithë kryetarëve të partive është sepse ai e ka jashtëzakonisht të vështirë që të përballet me argumente në tavolinë për të ndërtuar një proces. E po ashtu, e ka shumë të vështirë pastaj të iki nga një tavolinë ku do të ulet për procesin. Kryeministri sot ishte fare i qartë, dëshiron vetëm të tërheqë zvarrë parlamentin, të humbasë kohën e këtyre raundeve të para me alibinë se po ofron konsensus për të ardhur përsëri në pikënisjen e tij dhe për të realizuar zgjedhjen e një Presidenti i cili është noteri i tij partiak.
Z. Berisha në fjalën e tij pavarësisht cinizmit dhe sarkazmës personale ndaj jush në fakt u duk sikur foli për 3 nga pika për të cilat ju keni folur në kërkesat tuaja, kur keni folur për reformën, për çështjen e imuniteteve, Reformën Parlamentare dhe KQZ-në, kur ai bëri le të themi një lëshim apo propozim konkret në sallën e Kuvendit. A janë këto lëshime sipas jush, a do ti negocioni ato, por duke respektuar atë që kryeministri tha, axhendën politike në radhë të parë zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Por, nuk ka absolutisht asnjë lidhje ajo çka ne kërkojmë me atë çka kryeministri dhe qeveria po mundohet të krijojë në perceptimin publik. Ne kemi bërë një propozim të qartë me 4 pika. Ne besojmë se janë çështje që mund të zgjidhen brenda ditës ato tre të parat.
Pse se ndani në dy tryeza, një për presidentin dhe një për 3 çështjet e tjera, që të gjeni pika të përbashkëta?
Sepse kësaj i thonë hedh një budalla një gur në lumë dhe pastaj 100 të mençur nuk e nxjerrin dot. Ju lutem mos kërkoni gurin në lumë. Ajo çka është e qartë është që ne, dhe po e përsëris prapë edhe brenda këtij komunikimi, nuk kemi kushtëzuar axhendën sesi mund të ndahen këto pika, sesi mund të ndërtohet një kalendar për ti trajtuar këto pika, sesi mund të zgjidhen këto pika brenda harkut të këtij sesioni parlamentar. Shqipëria nuk mund ta rriskojë statusin e kandidatit për marrëzinë e Sali Berishës. Kjo është fare e qartë dhe e thjeshtë. Është marrëzi të konsumosh kohë dhe të djegësh raunde pas raundesh me këtë retorikë e cila nuk çon asgjëkund. Ajo çka ne kemi nevojë është që të bëjmë atë që bën e gjithë bota e qytetëruar, që bëjnë të gjithë palët në çdo parlament të Europës ku duam të bashkohemi, kur është fjala për të bërë zgjidhje si këto që janë shtruar në tavolinën të cilën Sali Berisha i ikën si djalli temjanit.
Pra e keni një propozim konkret apo thjesht do e lini atë të diskutohet në konferencën e kryetarëve. Do ketë një kundërpropozim konkret nga ana juaj për daljen nga kjo spirale apo
Ne e kemi bërë propozimin tonë. Në tryezë të gjitha palët duhet të ulen dhe secila palë duhet të shprehë pikëpamjen e vet. Ne nuk themi që ja ku i keni katër pikat, o merrini të tëra menjëherë kështu siç themi ne, madje ne nuk themi as që merrini të tëra menjëherë. Ne themi ulemi dhe gjejmë fillin e arsyes për të bashkëpunuar në rast se duam ti japim vendit një President konsensual, në rast se duam ti japim vendit reformat pa të cilat nuk na ndihmon dot Familja Europiane ku duam të hymë. Na ndihmoni tju ndihmojmë është fraza e përsëritur prej tyre me muaj të tërë. është fjalia që dëgjova edhe dje nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. E atëherë kush është ndihma që kërkon prej nesh që ata të ndihmojnë Shqipërinë. Ndihma që kërkon prej nesh është që ne të mos fusim kokën si struci në rërë për tu fshehur. Ti adresojmë këto probleme dhe ti zgjidhim këto probleme. Janë të gjitha të zgjidhshme, por nuk ka vullnet politik për ti zgjidhur sepse kryeministri kërkon të mbajë peng Reformën Zgjedhore, pasi nuk mund të qëndrojë në atë karrige në qoftë se nuk garanton atë sistem të korruptuar dhe të korruptueshëm përmes së cilit vjedh zgjedhjet. Krye