Berisha: Rama i zhytur në kaos dhe konfuzion, beson gënjeshtrat e tij
Shefi i mazhorancës, deputetëve: Ndiqni shembullin tim të dëgjesave me qytetarët
Kryeministri Berisha tha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar se reformat e shpallura së fundmi për të rinjtë, bizneset dhe fermerët kanë pasur impakt, të cilin ai e cilësoi si të jashtëzakonshëm. Duke u ndalur kryesisht te akuzat e Partisë Socialiste, Berisha akuzoi lidershipin e opozitës Edi Rama se është i zhytur në një kaos dhe konfuzion total konceptual. Kreu i qeverisë tha se Rama mashtron me shifrat që jep për fushën e shëndetësisë. Sipas tij, sistemi më i mirë është ai që po ndiqet, ku të punësuarit paguajnë sigurime shëndetësore, ndërsa kontributet e të papunëve, pensionistëve dhe invalidëve i mbulon shteti. Ajo që duhet në shëndetësi aktualisht, theksoi ai, është një menaxhim qartësisht më i mirë. “Çdo njeri mund ti ndodhë që të gënjehet njëherë. Njerëzve duhet tu prijë besimi, dhe është normale të besosh. Të gënjesh dy herë, ke gënjyer veten, thotë fjala urtë. Kjo është keq, e keqja është kur beson gënjeshtrat e tua. Kjo është e pashërim. Njeriu që beson gënjeshtrat. Po ta marrim si homosapiens, është ai që ka shikim, por nuk shikon, ka dëgjim, por dëgjon, ka ndjeshmëri, por nuk ndjen. Unë i them zotit Rama le të lexoj revistën “News Week” se çfarë shkruan ajo për kujdesin në Shqipëri ndaj grave shtatzëna, ku në renditjen e kësaj reviste Shqipëria zë një nga vendet më të mira në botë. Deklaratat se janë rritur çmimet për barnat e pensionistëve është një trillim i vërtetë. Pensionistët në Shqipëri më shumë se kudo tjetër marrin falas barnat nëpërmjet rimburësimit. Deklarata është një trillim i pabazë pasi atyre u rimburësohen 100 përqind dhe nga pensioni i tyre nuk heqin asnjë qindark, por ka një gjë zoti Rama 8 vjet rresht ke votuar kundër rritjes së pensionit të tyre dhe kjo nuk të nderon”- shtoi kryeministri.
Kreu i PD, porosi deputetëve për takime me qytetarët
Shefi i mazhorancës u kërkoi deputetëve të angazhohen në dëgjesa në mbarë vendin për të dëgjuar problemet e qytetarëve dhe propozimet që ata kanë. Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se impakti i reformave të shpallura kanë qënë pozitiv duke shtuar se qëllimi më madhor i PD-së është pasurimi i programit. “Në takimet që kam bërë në të cilët unë vendosmërisht shkoj për të dëgjuar mendime, opinione, qortime për Partinë Demokratike dhe programin e saj katër vitet që vijnë. Ju garantoj se asgjë nuk zëvendëson mendimin e qytetarëve, interesin e qytetarëve, opinionin e qytetarëve ndaj dhe bashkëbisedimi me këtë dialog me qytetarët është qëllimi më madhor, është pasurimi i programit tonë, shndërrimi në një program që përshtatet, përputhet dhe u përgjigjet interesave të qytetarëve”- tha Berisha.
Ai vlerësoi edhe programin e PD-së, për të rinjtë dhe bujqësinë, çka sipas tij, do të rrisë punësimin si dhe do të bëjë të mundur rritjen e prodhimit. “Impakt pozitiv konstatoj se ka pasur edhe programi apo paketa për bujqësinë, paketa që do ta bëjë bujqësinë më kompetitive, do të ulë koston e prodhimit, do të nxisë shumë interesin për biznesin dhe ka një potencial shumë të madh”- shtoi Berisha.