E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkatërrimi i gjuhës shqipe nga rrënimtari E. Rama!

18-02-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Që do të kishte edhe Shqipëria e shekullit XXI njerëz si perandori romak Kaligula, i sh. I, -  që mbretëroi vetëm 4 vjet (37-41), -  kjo është një dukuri e jashtëzakonshme, që ngjan vetëm në harqe kohore planetare. Kaligula ishte ndër perandorët romakë më mizorë dhe kishte mbretëruar vetëm tri vite, tetë muaj dhe dhjetë ditë. Ishte narcis i thekur dhe i kishte hequr kokën një statuje të Fidias që kishte sjellë nga Athina, për të vënë, sipër saj,  kokën e tij në këtë shtatore!
Edhe për Edi Ramën është folur kurdoherë se është matur gjithmonë me hijen e mëngjesit. Kjo, u tha më hijshëm: Është inkoherent. Ndonjëherë edhe vrazhdë: Është si Haxhi Pishmani. Tani na jepet rasti të themi se është një alter ego i Kaligulës. Ky kujtohet edhe për një akt përçmimi brenda  parlamentit romak: Kishte hyrë në sallë mbi kalin e tij! Por edhe Edi Rama ka bërë një veprim nënvleftësimi të pafalshëm kundër gjuhës shqipe të njësuar. Nëse do ta quanim një shprehje ekzibicionizmi famëkeq atë të Kaligulës, ky i Edi Ramës është një veprim i një dëmi të pafalshëm . Sepse, nëse studentëve të  fakulteteve të gjuhësisë, -atyre të FRESH-it, për shembull, - do t’u binte  në dorë “Kurbani”, kjo do të thoshte që ata nxënës të  çmësonin gjithçka dinin mbi shqipen e njësuar. Do të ishin në gjendjen e atij të sëmurit që pi ilaçin tjetër për tjetër. Ky rrezik është i njëmendët. Sepse libri i Ramës iu është shitur ithtarëve të tij me listë detyrimi, si “Veprat” e E.H.-s, që u shiteshin lexuesve shqiptarë me listë detyruese. Vetëm se “Veprat” zhvlerësoheshin  brenda një kohe të shkurtër, meqë disa nga personazhet e sajdisur së tepërmi në këtë libër, shndërroheshin nga heronj të respektuar, në armiq për t’u vënë përballë plotoneve të ekzekutimit! Shkurt, librat “Veprat” të shefit të madh, bëheshin  për t’u hedhur në brumatriçe që të shndërroheshin, pa iu tharë mirë boja,  në karton. Dhe kjo dukuri nuk ishte e rrallë. Përkundrazi. Ishte tepër e shpeshtë.
***
Këtu do të na duhet të hapim një çështje problematike, që gjuhëtarët tanë, duke përfshirë edhe ata të diasporës,  e trajtuan seriozisht por, pastaj, sikur u la si detyrë e mëvonshme. U trajtua me sukses shpërdorimi i tepruar në  fjalët e huaja të zëvendësueshme. Madje u paralajmëruan edhe gjoba, gjer në gabimet në drejtshkrim, si edhe për shpërfilljet gjuhësore, në tabelat e dyqaneve e të restoranteve. Gjë që është vënë ré në vende të zhvilluara. Sidomos, në Francë. Te né, një  shoqatë me emrin “Miqtë e gjuhës shqipe”, caktoi njërin ndër aktivistët e saj më të zellshëm, të ndjerin Eqrem Shijaku,  që të bënte një klasifikim pasaktësish të të gjitha të përditshmeve , duke i renditur gabimet nga faqja e parë, gjer tek ajo e fundit.  Periodikisht mblidheshin gazetarët e të gjitha gazetave dhe gabimet paraqiteshin bashkë me emrat e shpërfillësve. Më saktësisht: të mosnjohësve të njësimit gjuhësor. Dhe flitej për gabime të pakundërshtueshme, që shoqëroheshin me “mea culpa”, që tymos përdorim fjalën “autokritikë”, me një konotacion politik, për shkak të përdorimit të shpeshtë. Por fjala e gabuar kishte një arbitër: Shpalljen e standardit gjuhësor. Merre me mend kur edhe fjala standard, shkruhej shpesh standart! Sikur të mos ishte edhe një gazetë e përditshme me emërtimin e saktë të fjalës së parë, jo të dytë... A mund të thuhej funt dhe jol fund? Ose: dakord për dakord?  Apo: Edmond për Edmond? Do të ishte një shenjë e mungesës së njohurive letrare, që Edmond Dantesi i Damà atit të shkruhej Edmont Dantes. Por këto rreshtime emrash kanë çuar në gabime të shumta të fjalës “gjigant”, që shkruhet gabimisht “gjigand”, për një analogji të pavend.  Ndonëse gjuha ka një mbështetje të fortë në atë sesi fjalët të vijnë në vesh, ajo nuk mund të shpërfillë, megjithatë,  anën burimore, domethënë etimologjinë. Këtu do të ndihmonin mjaft fjalët e gjuhëve  latine: për fjalën gjigant, (në italisht gjigante, në frëngjisht géant)  nuk mundemi të shpërfillim etimologjinë, për t’u mbështetur vetëm në karakterin fonetik të gjuhës. Por si i bëhet me ata që nuk njohin gjuhë të huaja dhe që nuk e kanë sedrën e natyrshme që të  mos jenë shumë të bezdisshëm  për korrektorët letrarë? Nga ana tjetër, kush merr përsipër të korrektojë dhe të vërë emrin e një detyrimi  të tillë në një tekst, pa pasur një gjyqtar, domethënë një kod që të përcaktojë se cila është trajta e saktë dhe cila është e gabuar? Që këta zbatues të ndërgjegjshëm të respektit të kodifikimit të ndodhen para personash që, të vetëdijshëm se nuk ia thonë asfare që të jenë të paqortueshëm në zbatimin e përpiktë të njësimit të gjuhës sonë, të të përplasin në fytyrë, në mënyrë mujshare, madje, se standardizimi i gjuhës shqipe nuk është veçse gjuha e Enverit? Dhe këtë e thonë, çuditërisht, edhe një  pjesë e të njollosurve me botëkuptime enveristësh të thekur, vetëm e vetëm që të “përligjin” injorancën, për shkak se s’kanë bërë asnjë përpjekje sado të përciptë për të qenë, qoftë edhe dashamirë (amatorë), të kësaj gjuhe të njësuar? Me këta, as që ia vlen të merresh. Sepse s’kanë për të përvetësuar dot as edhé një rikrijim të standardit, me një themel tjetër gjuhësor, atë të Shqipërisë së Mesme, apo të gjuhës së Elbasanit, - siç mendojnë disa. E mirë, si ide. Por e parealizueshme. Sepse kjo punë nuk jetësohet dot me disa dhjetëvjeçarë. E tregon përvoja gjysmëshekullore e kësaj gjuhe të njësuar, me gabime të shumta édhe në faqe te parë të organeve të shtypit. Është një luks i dëmshëm, ai i marrjes përsipër të një gjuhe të ré, siç e treguan debatet e Ohrit, kur akuzoheshim nga dashakëqijtë e vendit tonë se nuk kishim një gjuhë për të “tërë shqiptarët e vendit-amë”, palé për të futur brenda kësaj rrethoreje edhe të gjithë shqiptarët e diasporës.
Kështu, na mbetet të shqyrtojmë objektivisht nëse gjuha standarde e tanishme është ajo e Enverit! Është e vërtetë se diktatori shqiptar duhej të mos kishte as gishtin e dorës, në caktimin e toskërishtes si themelin e kësaj gjuhe: Më tepër ai nuk mund të bënte, se ishte studenti i notave “passable”, në shkollë të mesme, por edhe mbetës provimesh në Monpelié. Paçka se lakenjtë e tij  ia kanë ngritur figurën në rangun e një Aristoteli, që të ishte më i aftë se Petraq Xhaçka dhe se Koço Plaku se si e qysh nxirrej nafta në Ballsh, në Qytetin Stalin e në Patos. Por është një argument tjetër ai se në ndërtimin e gjuhës së njësuar kanë dhënë ndihmesën e tyre gjuhëtarët më të specializuar të vendit tonë, si Eqrem Çabej, Kostaq C ipo, Selman Riza, Mahir Domi, Emil Lafe, Androkli Kostallari, Ali Dhrima, Shaban Demiraj, Pavli Haxhillazi, e shumë të tjerë.
Pra, do të ishte më e përshtatshme, sipas një mendimi të përgjithësuar që, si bazë për njësimin e gjuhës, të ishte e folmja e Shqipërisë së Mesme, ajo e Elbasanit, për shembull. Veçse nuk e kemi luksin, tashmë, që të fillojmë një gjuhë nga e para, siç e thamë.  Nëse fjalori i pasur i shqipes së veriut është lënë paksà pas dore, kjo e metë po vjen gjithmonë  e më tepër duke u përmirësuar, me daljen e fjalorëve të rinj, që kanë pasur parasysh të nivelojnë dialektet kryesore të gjuhës. Por gjuha jonë do të binte në anarki gjuhësore nëse nuk do të përfilleshin vendimet që janë marrë në kongreset dhe në konferencat e përgjithshme përkatëse, me synimin e përbotshëm për të  ndjekur evoluimin natyror të gjuhës ndaj shumë dhjetëvjeçarësh, duke sjellë  prurje të reja, në përkitje të këtij evoluimi.
Tani jam në zgrip të temës nëse i besohet Edi Ramës ajo thënia në “Kurban” se na qenka” i apasionuar pas gjuhës shqipe”. Janë tri arsye që ta marr atë shprehje si një lajthitje si pasojë e sindromës së tij të mendjemadhësisë së pashërueshme. E para, se ai nuk konsultohet, i beson vetëm personit të tij dhe është agresiv ndaj çdo mendimi të papërputhshëm me mendimin e vet. E dyta, se është “kompetent” në këtë fushë, po aq sa ithtari i tij, E.H.-a, në gjeologji, apo në botanikë (lëndë në të cilën nuk dha dot provimet në Monpelié) , ku kishte vajtur me bursë të pamerituar. Së treti, se ka maninë e “origjinalitetit”,  në sajë të të cilit  kujton se në gjuhën e njësuar mund të përdoren fjalë të huaja të zëvendësueshme dhe të fabrikohen nelologjizma si enët e kuzhinës në kovaçhane, ndërsa fjalët e reja janë atribut i leksikografëve dhe i autorëve të mëdhenj të letërsisë. Vetëm ata mundohen dhe ia arrijnë që të zgjerojnë numrin e fjalëve të gjuhës, në harmoni me tingëllimin gjuhësor, që fjalët të strukturohen sa më natyrshëm në bashkësinë e fjalëve të tjera.
***
Le të shohim konkretisht sesi i shqelmon kriteret e standardit E. Rama. Po vëmë, në krye të fjalës, numrin e faqes nga libri i tij, “Kurban”. 86. do të “vandalizohej”. 89. Banorë të “alienuar” (tjetërsuar). 102. Njeriu “i mbrapshtudhëhequr”. “Pallatizuese” ( “e pallateve”, demek!). 410. Kodra për të “pallatizuar” në bregdet. 115. Korridori që më lidhte “kushtimisht” (detyrimisht) me...129. Kronika të ububushme (nënkupto: për të vënë duart në kokë!). 130. Flas për lehaqenj (lehje qensh) të zgjidhur zinxhirësh. 152. Afera “kuçedrike!” (do të thotë pazare të ndyra).  Tani vijmë në njërin prej rasteve kur një analfabet në gjuhësi kujton se çdo emër mund të shndërrohet në folje, përdhunshëm: 188. “Të energjizonim” ndjeshëm...( Nga emri  “energji~a” megalomani ynë pjell foljen “energjizoj”!). [ Foljëzuar  dhe edramizuar nga i leksikografizuari i famëzuar, kandidat për t’u nobelizuar!]. 192. “Shqytatorësh”... Këtu duhet të hamendësojmë, nëse është shformim i fjalës “shqytarësh” apo ndonjë fjalë tjetër, jashtë standardit, sigurisht. Këtij personi, që në fëmijërinë e hershme si “enfant gâté” (fëmijë shkelmaxhi) kujton se i lejohet që të bëjë, me grusht tekanjozi,  çdo prapësí që t’i teket, qoftë edhe për të shkatërruar shqipen e njësuar. Gjuhëtarët kanë rënë squk për t’u marrë me problemin gjuhësor të librit të tij, që po shitet me detyrim në lista, të cilat na kujtojnë “Veprat”  e Enver Hoxhës, me ribotime sa herë që një hero shpallej  tradhtar, apo me rastet e shpeshta kur një foto duhej retushuar për të hequr ndonjë person të shndërruar në të padëshiruar, ndërsa në botimin e mëparshëm figuronte pranë shokut Enver! Së paku “Veprat” kishin korrektorë letrarë që e përfillnin njësimin e gjuhës. Ndërsa tani, në librin “Kurban” nuk shohim  të nënshkruar ndonjë redaktor a korrektor të librit, përveç dy recensentëve. Njëri prej tyre, madje, ka huqin e ekstravagantit modernist, në sajë të të cilit i lejon vetes shtrembërime të standardit gjuhësor, siç kemi parë në një revistë filozofike. Për të vazhduar me shtrembërimet e E. Ramës, a mund t’i lejohet  një njeriu që t’i vërë pranë qytetit të Gjirokastrës një cilësor kilometrik, si “ i measnjëtëpërgjasuarin” ndër qytetet e trashëgimisë kulturore botërore...”? Le të dalë ndonjë gjuhëtar me titull dhe të miratojë  neologjizma të tilla, të përgatitura si kovaçi në kovaçhane! Ata që nuk besojnë në gafat e Ramës, le ta hapin librin e tij në faqen 401! Në f. 414 “Luhej televizivisht” na paska kuptimin e manipulimeve përmes  stacioneve televizive. Në faqen 407 shohim “Shqipërinë e krejtvetëpunësuar”.  Kur sheh shpikje të tilla, të kujtohet kolonel Mit’hat Avari të cilit u orvat t’i vidhte profesionin. Në këtë rast po u vidhet profesioni gjuhëtarëve! Në f. 409 zogjtë dalin për të “kikirikuar orën e re”!  Na kujton Sahatin e madh të kryeqytetit të cilit takuesit nuk ia dëgjonin  më “kikirikimin” prej vitesh dhe babaziu (qytetari i parë) i   Tiranës nuk ndjehet aspak i “vetëqederizuar” për të “dermanizuar” rregullimin e një ore,  me akrepat e sahatit të ndryshëm në çdo faqe të kullës. Duket se Sahatit iu bënë sytë çakërr , se nuk e shihte dot atë pirgun e dherave, rrethuar nga ministritë, që duhej të vinte L. Basha për t’ua bërë dermanin me atë jeshillëkun, në vend të grumbullimit të dherave, i cili rrethohej nga baltovina bllokuese e makinave, që duhej të ecnin me terezí se mos u dilnin jashtë përdorimit amortizatorët! Në f. 419 kemi “veshët e rrëshirosur” . Nuk mjafton timpani i dyllosur?  Kot qenka lodhur prof. Emil Lafe që e ka shënjuar me vijë të kuqe atë fjalën rrëshirosur? Në faqen 427 kemi një sajesë tjetër të “alivanizuar”, pra që të humbet ndjenjat nga lezetllëku! Po e citojmë edhe këtë: “Shkrimtarë të tiranizuar” . Ajo “tiranizuar”, ka kuptimin “të adaptuar si tiranas”, apo të shndërruar në tiranë (despotë)? Duhet të lexosh kusurin, pa në mundsh t’i nxjerrësh kuptimin: akademikët e konservuar (...) zborristët e parruar (...) e disa karagjozllëqe rimash të tjera, pas të cilave ndryshojnë rimat si “instruktorët e partisë, sekretarët e rinisë, [por hë, të shkretën, se endé s’po e kuptojmë nëse e ke togfjalëshin  përkeqësues (disprexhiativ, do ta shkruante ai), ose lavdërues; sepse akoma s’po e kuptojmë], gjersa vijmë, së fundi, në:  “apo gjiza e shoqërisë...”. Në të vërtetë, paskemi qenë të pakuptueshëm; sepse  me këtë pamflet përbuzës, kur flitet për të tjerët, gjithmonë kemi mllefin si udhërrëfyes, kurse kur flitet për veten flitet me hiperbola “parajsore” (që t’ia vjedhim edhe né një neologjizmë si të tijat).
Le të japim provat e asaj që sapo shprehëm, që të mos na thonë se po e teprojmë: Mit’hat Avari përflitet në  “Kurban” si  “fjalëshumë e punëpak”. Por  edhe koloneli i denigruar padrejtësisht, nuk ia la thatë: E nxori publikisht me fakte e prova, si gënjeshtar e mashtrues, duke pas qenë autori i librit vetëm rregullues i barit të Parkut Rinia; kurse të gjithë punën me mjete motorike, që nuk i zotëronte E. Rama, por drejtori i Policisë Ndërtimore, kol. Havari, e jetësoi ky i fundit. I gjithë libri përfshihet nga mllefi dhe përgojimet ndaj të gjithë personaliteteve politike, të majta e të djathta. Në f.78, F.Nano “e kishte flakur I. Metën si leckë”. Për veten shkruan: “Më  kishte kërcënur edhe mua se po më afronte larja e hesapeve. 79: “F. Nano nuk e fshihte dot qetësinë e kënaqur të një gjahtari për të rrjepur prenë e shtënë në dorë”. 174: “Gerti Bogdani e hëngri të tërë m...-n dhe pastaj u bë deputet”. Në f.175: Mero Bazen e paraqet si “nxirosës të opozitarizmit atëbotë egërsisht antietik”. Munt të thuhet se ia ka kursyer boll lëkurën, për atë proces gjyqësor, që e akuzon Edin si njeri jo normal, në gjyqin e divorcit kundër gruas së tij të parë, një vajzë me talent si aktore kinematografike dhe me virtyte të shprehura nga të gjithë kolegët e saj artistë. Ky gjyq qé tepër diskreditues për huqliun E. Rama, që nuk pranoi të paguajë pension për të birin. Madje e mohoi edhe si djalin e vet, duke përgojuar të atin për marrëdhënie intime me bashkëshorten e vet. Një çështje incesti brenda familjes, me fac simile të riprodhuara në shkrimin e bujshëm të Meros. Për çudi, ky gazetar akuzohet vetëm “për mungesë etike” në librin Kurban. Madje fajin ia paska dr. Berisha, të cilit ia transplanton të gjitha çka thënë aleati i tij i sotëm në shkrimin e tij sensacional. I quan, për më tepër,  të paqena ato debatet e atij gjyqi të bujshëm. Kjo tregon se do të ishte më mirë të mos i hynte fare këtij episodi të rëndë për të, sesa t’i drejtohet tjetrit ( doktorit), duke ngatërruar origjinalin, me tjetrin, vetëm se i intereson aleanca e tanishme me atë personin që mund të ishte me etikë më të përkorë! Mund të shkohet gjatë me sulmet me një rreze vepimi 360 °, por po e mbyllim se janë të mërzitshme dhe me adresë ndaj njerëzve që nuk i duron dot si kundërshtarë politikë. Bën përjashtim vetëm për personin e tij. Edhe këtë, duke e tejkaluar masën. Për shembull sesi i jepet fund kriminalitetit me anë të zbukurimeve, me “lyerjet e banesave”. Për këto lyerje, eksperti estet, arkitekti i dëgjuar Petraq Kolevica, e ka thënë fjalën e tij të argumentuar, që i hedhin poshtë vetëmburrjet e ekzaltuara të Edi Ramës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›