Fokus/ A e dinë biznesmenët e PS-së çfarë u bën taksa progresive e Ramës?
Në Partia Socialiste po kthehen përditë e më shumë në një Dhomë Tregtie private ku afaristët dhe biznesmenët po bëjnë garë me njëri-tjetrin për të hyrë në listën e deputetëve të kësaj force politike. Lumi i parave të pista pruri dje në PS një afarist gjysmë të njohur në Kavajë, Parid Cara, në listën e deputetëve të Edi Ramës. Klubi i miliarderëve të Partisë Socialiste ka tashmë një anëtar të ri.
Mirëpo është e çuditshme logjikisht atashimi i biznesmenëve në një parti të madhe opozitare që kërkon të vërë në sistemin fiskal taksën progresive, pra, pagesën më të madhe të kontributeve në arkat e shtetit nga ana e bizneseve të mesme dhe të mëdha.
Me një fjalë, këto biznesmenë janë për një regjim taksash të larta që i detyron të japin më shumë se gjysmën e fitimeve të tyre në tatime. Dhe në një kohë krize globale ku biznesi vendas ka vështirësi të marrë fitime normale instalimi i taksës progresive, pra, rritje taksash do të përkthehet në një evazion fiskal. Kjo gjë do të krijonte monopole më të këqij se ata që ekzistonin në 2005-ën, sepse biznesmenët që nuk do të paguajnë do të jenë të rrethit të ngushtë të Ramës, ndërsa të tjerët që do të paguajnë nuk do të jenë kompetitivë ose do të mbyllin biznesin. Padyshim modeli fiskal që propozon PS-ja është krejtësisht i dështuar dhe krijon monopole në një krizë globale, që do të çojë në mbylljen e bizneseve, në uljen e vendeve të punës, në uljen e taksave dhe që do shkoj si kolegët e tij në Greqi. Është një paradoks qe zbret deri një absurd.
Ndërkaq ekziston një arsyetim pse këto “prurje” afaristësh në Partinë Socialiste. Dhe arsyeja është se këto afaristë kërkojnë të shpëtojnë bizneset e tyre nga zhytja në kredi dhe në pamundësi shlyerjeje politizojnë çdo kërkesë llogarie ndaj tyre. Me siguri ky plan-biznesi është bërë prej shumë deputetësh socialist, që i bishtojnë ligjit nëpërmjet koracës së politikës. Edi Rama ka kapur në ajër këtë nevojë duke e kthyer në një investim personal tek disa njerëz që atij do t’i detyrohen për mbrojtjen e biznesit.
Kjo logjikë klienteliste është shumë e njohur në Partinë Socialiste pasi që është derivat i politikës së Ramës me bizneset sa ishte në krye të Bashkisë Tiranë. Afaristët e betonarmesë që investuan në ngritjen e pallateve shumëkatëshe vend e pa vend, herë me kredi e herë më larje parash të pista, në fund gjetën “strehë” ligjore e imunitare në listën e deputetëve të PS. Në fakt, këta deputetë biznesmenë ishin kundërshtarët më të fortë të ligjit për kufizimin e Imunitetit Parlamentar duke bërë përpjekje titanike për të penguar votimin vitin e kaluar.
Sidoqoftë “prurjet” e biznesmenëve në Partinë Socialiste kërcasin fort me kontrastin e taksës progresive. Këtë biznesmenëve me shpresën se do të mbrohen nga ligji me imunitetin e deputetit nuk janë të vetëdijshëm për planin e biznesit që ka përgatitur për ta Edi Rama.