Berisha: Rama kërkon pazare. Mandatin tjetër nis gazifikimi

Qeveria shqiptare do të nisë mandatin e ardhshëm projektin e gazifikimit të vendit.
Deklarata është bërë nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha në mbledhjen e grupit të PD-së, ndërsa ka përshëndetur sërish edhe nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për projektin e gazsjellësit TAP.
"Do të vijohet me shtrirjen e tubacioneve për gazin për ngrohje dhe gatim në të gjithë territorin e Shqipërisë. Projekti sjell pas vetes një projekt madhor që do të ndryshojë pozitivisht jetën e familjeve shqiptare” tha Berisha.
Ai ka theksuar më tej se gazjellësi do të bëjë të mundur ndërtimin e teknologjive më të avancuara për të respektuar mjedisin dhe të bëjë të mundur që Shqipëria të renditet nga një superfuqi e vogël të shndërrohet në një prodhues madhor për rajonin.
Ai ka theksuar gjithashtu se firmosja e memoradumit mes tre ministrave është një hap madhor mirëbesimi reciprok dhe vendosjes para një shkalle të lartë përgjegjësie.
"Qeveria është e vendosur të përmbush çdo detyrim që rrjedh nga ky memorandum dhe që rrjedh nga përzgjedhja e këtij projekti si projekti më i mirë i fushës së gazit” shtoi Berisha.
Berisha: Akuzat e PS-së për Albpetrolin, shpifje
Kreu i qeverisë i është referuar edhe privatizimit të kompanisë Albpetrol duke akuzuar opozitën për shpifje dhe trillime për këtë proces.
"Dua të theksoj se disa qëndrime të shfaqura gjatë ditëve të fundit, janë shpifje dhe trillime nga opozita kanë qënë të motivuara nga ligësia njerëzore, nga keqdashja e plotë, nga smira e pakufishme. Unë dua të informojë shqiptarët se ky proces ka nisur tre vjet më pare dhe është një proces i gjatë, serioz i shumë anshëm dhe në mënyrë absolute s`ka asnjë lidhje me zgjedhjet. Është mjerim të shohësh tituj meskinë të dala nga labirintet e fabrikës së mashtrimit të PS-së. Procesi do të kalonte në të gjitha etapat e domosdoshme dhe kështu ndodhi” tha Berisha.
Sipas tij, qeveria nuk ka asnjë arsye tjetër veç vendosmërisë për të thelluar privatizimin si kusht për të rritur eficencën ekonomike.
“Rëndom eksponentë të opozitës e cilësojnë këtë si një shitje, identike gjuha e etërve të tyre. Dhënia me koncesion për shfrytëzim të pasurive është interesi jetik i gjithë qytetarëve, asnjë centimetër tokë nuk është shitur, por nafta, gazi që flenë në shekuj e mijëvjecarë, kromi, bakri , floriri, janë thjesht gurë, fosile, nëse ato nuk nxirren, përpunohen apo shiten në treg” shtoi kryeministri.
Berisha: Rama kërkon pazare për integrimin
Gjithashtu kreu i qeverisë ka akuzuar opozitën se kërkon të bëjë pazare për integrimin dhe nuk miraton ligjet që kërkojnë 3/5 e votave në parlament.
"Heqja e imuniteti ka krijuar një vlerësim pozitiv tek qytetarët shqiptarë dhe tek miqtë dhe partnerët tanë në Europë dhe në botë. Por pas heqjes së imunitetit përsëri parimet dhe ëndërra kërkohet të ndërrrohen në pazare të neveritshme. KE kërkon me të drejtë që të votohet ligji për Gjykatën e Lartë, amendimet që PS-ja i shqyrtoi në ligjin e Gjykatës Administrative. Zota Edi Rama absolutisht me qëllimin e vetëm që ta bllokojë këtë proces ka 2 javë që i nxjerr deputetët nga komisioni dhe lënë karriget bosh dhe ankohen se përse unë i them nxënësve të shkollave të shohin karriget bosh. Unë do t`ia them çdo fëmije në Shqipëri sepse në ato karrige po shkelmojnë ëndrrën e tyre” shtoi kryeministri.
Ai gjithashtu ka theksuar se Rama kërkon pazare edhe për procesin e zgjedhjet të kreut të ri të KQZ-së ndërsa shtoi se nëse opozita dëshiron mund të zhvillohen edhe seancat dëgjimore për kandidatët.
"Po të dojë të gjithë të futen në proces dëgjimi. Parlamenti ka zhvilluar seanca dëgjimi nga më të shkëlqyerat. Dy standarte janë fyese. Ne nuk të imponojmë dy standarte. E ftoj Ramën që të përcaktohet me një standart dhe të heqë dorë nga mania e pazareve. Nuk është politika pazare, është arti i kompromiseve dhe kështu duhet të ecet” shtoi Berisha.