E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rama nuk do e gëzojë pushtetin e dalë nga votat e vjedhura me para dhe armë

TIRANË- Kryeministri në ikje Sali Berisha ka paralajmëruar kundërshtarin e tij politik Edi Rama se nëse nuk bëhet transparencë e plotë mbi rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, PD nuk do e njohë mazhorancën e re.

Në një prononcim për gazetarët para votimit për kreun e ri të PD, Berisha tha se ai e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve ende pa u certifikuar nga KQZ, por ka theksuar se do mbrojë vullnetin e shqiptarëve nga 'falsifikimi i votave dhe vjedhja me para dhe nën kërcënimin e armëve'. 

Duke rikujtuar fenomenin e "Dushkut", ai tha se "Dushku ishte teknikalitet amoral kurse kjo është një vjedhje me duar të pista, me palë të pista dhe me të gjitha mjetet".

“Por, jam këtu gjithashtu sot për ti thënë Z.Edi Rama në mënyrën më të prerë dhe më të hapur. Mos bëj gabimin fatal për të bllokuar numërimin e votave! Sali Berisha ka njohur rezultatin siç u shpall fillimisht. Sali Berisha do të njohë çdo rezultat që del nga numërimi i ndershëm i votave. Ta dijë mirë se nuk do të gëzojë kurrë një pushtet të dalë nga falsifikimi dhe mashtrimi i votës. Ai nuk mund të jetë kurrë Kryeministër që me një thes votash të vjedhura të përfaqësojë Shqipërinë, në Shqipëri, në Evropë dhe në botë. Thirrja është një dhe vetëm një, të numërohet çdo votë dhe unë absolutisht të respektoj njëlloj si atë që është pro dhe ajo që është kundër. Dhe unë e faktova këtë me qëndrimin tim dhe besoj se bëra atë që kërkonte vendi im. Por vendi im kërkon, qytetarët e mi kërkojnë që çdo fletë votimi të rinumërohet dhe asgjë të mos qëndrojë mbi krimin, drogën dhe kartelin e saj. Ajo që ne pamë në 14 qendrat e Lezhës është fytyra më e shëmtuar në zgjedhjet e 23 viteve të fundit. Ka qenë “Dushku”, por “Dushku” ishte një teknikalitet amoral, kurse kjo është një vjedhje manuale me duar të pista, me pare të pista,me qytë revolveri dhe me të gjitha mjetet. Është në interesin më të mirë të Kryeministrit të ardhshëm, është në interesin më të mirë të çdo qytetari që të bëjnë këtë transparencë për ndryshe. Partia Demokratike nuk do të njohë kurrë pushtet të dalë nga vota e vjedhur”, paralajmëroi Berisha. 

Duke komentuar parregullsitë në proces referuar komisionerëve, lideri historik i PD-së, i cili dha dorëheqjen pas zgjedhjeve të 23 qershorit, vlerësoi se mes atij që vjedh dhe atij që asiston në vjedhje më i lig është ky i fundit.  Berisha akuzoi Ramën se ishte ai që kërkoi dikur hapjen e kutive, por tashmë sipas tij rend pas gjykatave pasi “ka friikë që thesi i votave të vjedhura i kthehet në mullar.

“Mes atij që vjedh dhe atij që asiston me i ligë është ai që asiston. Ai që tenton të bllokojë dhe maskojë vjedhësin del dy herë i paftyrë, ndaj kërkoj që të mos provokohet PD. Kërkoj mbi bazën e fakteve të gjetura të vijojë rinumërimi. Edi Rama që ka bërtitur hap kutitë, tani rend në gjykatë për të bllokuar rinumërimin pasi e di që thesi i votava të vjedhura do të kthehet në mullar. Unë e njoha rezultatin e zgjedhjeve të pacertifikuar nga KQZ, Rama nuk ka potenciale për të mbajtur pushtetin e dalë nga votat e vjedhura. Kjo gjë ka ndodhur në disa zona. Nuk mund të them se ndodhi në Mirditë, ku votat dolën 1 më 1. Ajo që del një njeri që pretendon të jetë kryeministër i vendit dhe vrapon në gjykatë për të bllokuar numrin e votave bën një gabim fatal për vete dhe partinë e tij”, theksoi Berisha.

“Asnjë rezultat dhe pushtet të dalë nga këto votime. Ne kërkojmë tani transparence. Ne kemi pranuar rezultatin apriori pa certifikim nga KQZ dhe gjykatat, por nëse dikush në diktat tenton të na diktojë voton e qytetarit ne do mbrojmë votën”, shtoi Berisha.

(e.m/BalkanWeb)
Lidhje te tjera PS: KQZ të shtyjë rinumërimin për Shkodrën, deri sa të shprehet Kolegji Zgjedhor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›