Zgjedhjet, Berisha-Ramës: Mos blloko numërimin. Do njoh rezultatin e KQZ-së
Kryeministri ende në detyrë Sali Berisha ka shfrytëzuar votimin e tij për kreun e ri të PD-së për të lëshuar deklarata të forta kundër kryeministrit të zgjedhur Edi Rama.
Duke ripërsëritur akuzat për marrjen e pushtet me vjedhje të votave, Berisha i theksoi Ramës të mos bllokojë procesin e numërimit, por siç tha ai “të numërohet çdo votë një më një”.
“Jam këtu gjithashtu sot për ti thënë Z.Edi Rama në mënyrën më të prerë dhe më të hapur. Mos bëj gabimin fatal për të bllokuar numërimin e votave!
Sali Berisha ka njohur rezultatin siç u shpall fillimisht. Sali Berisha do të njohë çdo rezultat që del nga numërimi i ndershëm i votave. Ta dijë mirë se nuk do të gëzojë kurrë një pushtet të dalë nga falsifikimi dhe mashtrimi i votës. Ai nuk mund të jetë kurrë Kryeministër që me një thes votash të vjedhura të përfaqësojë Shqipërinë, në Shqipëri, në Evropë dhe në botë.
Thirrja është një dhe vetëm një, të numërohet çdo votë dhe unë absolutisht të respektoj njëlloj si atë që është pro dhe ajo që është kundër. Dhe unë e faktova këtë me qëndrimin tim dhe besoj se bëra atë që kërkonte vendi im.
Por vendi im kërkon, qytetarët e mi kërkojnë që çdo fletë votimi të rinumërohet dhe asgjë të mos qëndrojë mbi krimin, drogën dhe kartelin e saj. Ajo që ne pamë në 14 qendrat e Lezhës është fytyra më e shëmtuar në zgjedhjet e 23 viteve të fundit.
Ka qenë Dushku, por Dushku ishte një teknikalitet amoral, kurse kjo është një vjedhje manuale me duar të pista, me pare të pista,me qytë revolveri dhe me të gjitha mjetet. Është në interesin më të mirë të Kryeministrit të ardhshëm, është në interesin më të mirë të çdo qytetari që të bëjnë këtë transparencë për ndryshe.
Partia Demokratike nuk do të njohë kurrë pushtet të dalë nga vota e vjedhur”, tha Berisha për mediat.
Berisha paralajmëruar se nëse nuk nxirret e vërteta para qytetarëve siç tha ai, PD-ja do të përdorë të gjitha mjetet për ta bërë atë.
Teksa procesin e votimit për kreun e ri të OD-së e ka cilësuar historik për vetë partinë dhe vendin.
Basha: Rama deformoi vullnetin e popullit. Të mos fshehur zullumqarët e krimit
Sakaq që edhe kreu i Bashkisë së Tiranës njëherësh edhe kandidat për kreun e ri të Partisë Demokratike është treguar i ashpër në deklaratat e tij pasi ka votuar në selinë blu.
Basha akuzoi kreun e PS-së Edi Rama se ka deformuar vullnetin e popullit ndaj ka kërkuar transparencë që sipas tij, të mos fshihen “zullumqarët e krimit, aktet banditeske dhe kriminale në PS dhe në themel të ngurrimit të pafalshëm që të dënojë këto akte të shëmtuara të barbarizmit përballë vullnetit të shqiptarëve
Ky është rasti i identitetit tonë, i vlerave tona politike, me diskreditimin që i bëhet vendit nëpërmjet vjedhjes dhe deformimit e tjetërsimit të vullnetit si provojnë kutitë e Lezhës e jo vetëm dhe tentativës institucionale të Ramës për të penguar transparencën e plotë, pa kontestuar rezultatet e konfirmuara, por pa i mohuar shqiptarëve të shikojnë se si dhe cfarë ka ndodhur në rrethanat kur faktorët e krimit të organizuar kanë deformuar vullnetin. Kjo është e palejueshme, e papranueshme në mes të Evropës. Unë i bëj thirrje PD të qëndrojnë fort në këtë cështje, është e identitetit tonë, si qytetarë të lirë dhe evropian, për të mos fshehur zullumqarët e krimit, aktet banditeske dhe kriminale në PS dhe në themel të ngurrimit të pafalshëm që të dënojë këto akte të shëmtuara të barbarizmit përballë vullnetit të shqiptarëve- tha Basha.