E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama nxjerr Finon siFrashëri, Velinë si Dervish Hima

TIRANE – “A e dini se cilët janë “rilindasit” e Edi Ramës?, ka thënë Kryeministri Berisha sot në mbledhjen e Qeverisë, duke ironizuar kreun e Partisë Socialiste dhe programin e kësaj partie “Rilindje”.

“Ai na paraqet “rilindasit” e tij”, tha Berisha, “na prezanton Anastas Angjelin në vend të Papa Kristo Negovanit!

Gramoz Ruçin, në vend të kujt, e dini? Gramozin në vend të Koto Hoxhit!  Bashkim Finon, “Cacin”, e ka në vend të Abdyl Frashërit.

Po Erjon Velinë, në vend të kujt e ka, e dini? Në vend të Dervish Himës”!

"GËNJESHTËR ME BISHT, INFERMIERI PAGUAN 5 HERË MË PAK SE KRYEMINISTRI"

Kryeministri i bëri komentet e mësipërme gjatë mbledhjes së Qeverisë, pasi kundërshtoi idenë e taksës progresive, që ka në program Partia Socialiste. Duke iu referuar kreut socialist, Edi Rama, ai tha: “Le të thotë sa të dojë se nuk është nipi i Spiro Kolekës, por me taksën progresive vërtetoi se është biri i tij direkt. E di se është shpikje e Marksit, por në Shqipëri atë e zbatoi Koleka. E ky me çfarë e mbron taksën progresive? Me një mashtrim të shumëfishtë, duke u thënë qytetarëve se infermieri paguan taksa sa Kryeministri!

Infermieri paguan taksa 5 herë më pak; nëse rroga e kryeministrit është 5 herë më e madhe, zotëria që ka në kokë vetëm statistën e Barjabës, u thotë qytetarëve se si ka mundësi që infermieri të paguajë taksa sa Kryeministri. Një gënjeshtër me bisht! Ky 10% është 5 herë më i madh për Kryeministrin.

Kjo është e vërteta!”, tha Berisha, “se ky mendon t’i nanurisë njerëzit, t’i mashtrojë. Këtu ka tre elementë: E para, që borxhi llogaritet nga banka dhe ajo e shpall përqindjen vetem si përqindje të GDP-së; e dyta, u thotë taksën e Kolekës dhe së treti, se infermieri paguan taksën sa Kryeministri, ndërkohë që ai paguan 5 herë më pak. Kjo është taksa propocionale.

Ne jemi dhe do jemi kundër taksës progresive që është taksa e urrejtjes klasore”, përfundoi Kryeministri, “taksa që shkatërron me qindra mijëra vende pune e që çdo studim e thotë se është taksa që nxit më shumë evazionin fiskal.

PS REAGON PER TAKSEN E SHESHTE

Pak kohë pas deklaratave të Kryeministrit për taksat, ka reaguar Partia Socialiste.

Milena Harito, anëtare e grupit të punës për Programin, tha se “Kryeministri i ka mbetur ende ora në kohën e komunizmit kur ishte sekretar i Partisë dhe mjek i Mehmet Shehut, aq sa nuk është në gjendje të kuptojë se taksa e sheshtë ka shtuar papunësinë. Vetë Kryeministri e deklaroi se shqiptarët kanë humbur në katër vitet e fundit, 52 mijë vende pune.

Kryeministri nuk është në gjendje të kuptojë", përfundoi Harito,"se taksa e sheshtë shton informalitetin dhe ul ndjeshëm, fuqinë blerëse”.

Redaksia Online
(ar.sh/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›