Nishani: “Të pavarur, institucionin e prokurorisë e bën vetëm puna e prokurorëve”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani takon Prokurorin e Përgjithshëm dhe drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Prokurorisë së Tiranës, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Task-Forcës kundër korrupsionit. Apeli i kryetarit të shtetit: “Institucionet antikrim të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit shqiptar”
Presidenti Bujar Nishani apeloi dje për përgjegjshmëri maksimale dhe integritet të lartë nga prokurorët në luftën kundër korrupsionit, krimit ekonomik dhe pastrimit të parave, të cilët sipas kreut të Shtetit, qëndrojnë si kërcënim i përhershëm ndaj të drejtës, shtetit ligjor, funksionimit të institucioneve publike dhe ndaj shërbimit për qytetarët e vendit.
Këtë apel Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ua adresoi në një takim, Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Prokurorisë së Tiranës, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Task-Forcës kundër korrupsionit.
Pasi shprehu mbështetjen për punën e prokurorisë dhe të institucioneve të tjera antikrim, Presidenti Bujar Nishani, në fjalën e tij, e vuri theksin te forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Do të desha të ndaj me ju rëndësinë e aktivitetit dhe dinamikën e punës së hetimit, përtej të gjitha angazhimeve të ditës që keni, të punës që ju jep Kushtetuta dhe Ligji, të një prej çështjeve më të rëndësishme të konsolidimit të shtetit ligjor, të konsolidimit të shtetit të së drejtës që ka të bëjë me luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe atij ekonomik, në veçanti si fenomene, të cilat qëndrojnë në kërcënim të përhershëm të së drejtës; fenomene që qëndrojnë përherë si kërcënim ndaj shtetit ligjor, si kërcënime që qëndrojnë përherë ndaj zhvillimit ekonomik të vendit, ndaj funksionimit të institucioneve publike, që do të thotë në konkluzion, si kërcënim ndaj marrjes së shërbimit që meritojnë qytetarët nga shteti i tyre, nga institucionet e tyre dhe në tërësi përparimit të shoqërisë”, u shpreh Presidenti Nishani.
Duke apeluar për bashkëpunim ndërinstitucional mes të gjitha agjencive ligjzbatuese, Presidenti i Republikës theksoi se këto institucione duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit shqiptar.
“Mbetet e pazëvendësueshme dhe thelbësore për arritjen e suksesit bashkëpunimi ndërinstitucional, bashkëpunimi me të gjitha agjencitë ligjzbatuese; të Prokurorisë, Policisë së Shtetit, me institucionet e tjera financiare të kontrollit e të verifikimit, të cilat janë që të gjitha subjekte në interes dhe në shërbim të Shqipërisë, janë që të gjitha institucione në interes të qytetarëve shqiptarë, në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Prandaj, unë do të kërkoja nga ju dhe nga të gjithë ata që janë pjesë e institucioneve, që çdo ditë të vlerësojnë maksimalisht përgjegjësinë që kanë, përgjegjshmërinë që kanë për t’i ndërtuar këto institucione në interes të qytetarëve si institucione në interes të shtetit shqiptar”, vijoi Presidenti.
Më tej, Presidenti i Republikës theksoi se lufta kundër korrupsionit, krimit ekonomik, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave është sfidë e përhershme e institucioneve ligjzbatuese.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, si elementë të cilët gjenerojnë në çdo moment mundësi për krim të organizuar është një sfidë e përhershme e çdo shoqërie demokratike… Kjo natyrisht kërkon në radhë të parë nivel të lartë profesionalizmi dhe unë jam i bindur që në institucionet tona, të Prokurorisë ashtu edhe në institucione të tjera ligjzbatuese, ka njerëz në shumicë dërmuese të cilët e kanë këtë nivel të lartë profesionalizmi…”, shtoi Presidenti.
Për Bujar Nishanin, kjo kërkon si integritet dhe kurajë, për njerëzit e antikrimit.
Sipas Presidentit kjo, “kërkon nivel të lartë integriteti individual, që do të thotë formim dhe kulturë të përgjithshme qytetare dhe civile për t’i gjykuar gjërat në këndvështrimin më të gjerë të mundshëm si profesionistë, larg emocioneve apo ndikimeve të ndryshme, por edhe në aspektin e kurajës, kurajës publike për të marrë përsipër përballimin e nivelit të lartë të profesionalizmit që kërkohet, dhe të kurajës qytetare për t’i shkuar deri në fund përballjes me sfidën, përballjes me fenomenet kriminale, përballjes me goditjen ndaj ligjit, dhe gjakftohtësisë e mençurisë në mbrojtje të ligjit dhe vetëm ligjit, të pasjes si udhërrëfyes vetëm të ligjit”.
Kreu i Shtetit në vijim të fjalës së tij kërkoi nga grupet e prokurorëve të Task-Forcës rivitalizim më të madh të punës hetimore duke i nxitur që në metodologjinë e hetimit të vlerësojnë me transparencë çdo informacion që vjen nga qytetarët, institucionet dhe media, duke justifikuar me punë konkrete pritshmërinë e lartë të opinionit publik te sistemi i drejtësisë.
“Do të kërkoja nga grupet e Task-Forcës të ndërtuara në Prokurorinë e Tiranës dhe në prokuroritë e rretheve të tjera ku ato funksionojnë një rivitalizim më të madh të punës së tyre hetimore duke inkurajuar më shumë me metodologjinë e inicimit të hetimeve nga vetë Prokuroria, të vlerësimit të çdo indicie që vjen nga shoqëria, që vjen nga qytetarët, që vjen nga institucionet, që vjen nga media, në mënyrë të tillë që përmes transparencës, përmes angazhimit, përmes profesionalizmit, të kryhen të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ligjore”, shtoi Presidenti.
Duke nënvizuar se shtyllat e konsolidimit të institucioneve të pavarura janë profesionalizmi dhe integriteti, Presidenti Nishani u bëri apel prokurorëve se institucionin e Prokurorisë duhet ta bëjnë të pavarur prokurorët vetë duke dhënë një kontribut real në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, krimit ekonomik dhe pastrimit të parave.
“Do të mbështes dhe inkurajoj në çdo ditë, në çdo moment, atë praktikë që konsolidon gjithmonë e më shumë pavarësinë institucionale të agjencive dhe të institucioneve tuaja. Por nga ana tjetër, do të desha të them që të mos prisni t’ju bëjë të pavarur Presidenti i Republikës. Të pavarur, institucionin, punën tuaj, mund ta bëni dhe do ta bëni ju dhe vetëm ju! Natyrisht, në prioritet të kësaj pavarësie, të këtij konsolidimi, gjithmonë unë mendoj që duhet të jetë profesionalizmi…”, ritheksoi Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit i garantoi prokurorët për qëndrimin e fortë institucional në mbështetje të tyre dhe shprehu bindjen se sfidat dhe presionet e shumë anshme me të cilat ndeshen prokurorët kërkojnë integritet të lartë, bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese për të arritur sukses në proceset hetimore.
“Dëshiroj edhe njëherë, zoti Prokuror i Përgjithshëm, zoti Drejtor i Përgjithshëm, që të nënvizoj qëndrimin e fortë që do të ketë Presidenti i Republikës në krah të institucioneve tuaja, në mbështetje të kurajës profesionale dhe institucionale të çdo prokurori, të çdo punonjësi të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave. Duke qenë të gjithë së bashku, duke pasur këtë bindje të pandryshuar, të palëkundur, duke pasur këtë vullnet, duke nxitur njerëzit në përfshirjen e detyrave në bazë të nivelit të profesionalizmit dhe të integritetit që ata kanë, duke qenë të hapur me opinionin, por strikt me ligjin, besoj se do të shkojmë padyshim drejt suksesit”, përfundoi presidenti Bujar Nishani