E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismail MalOsmani

U mbajt sot në Bibliotekën Kombëtare një ceremoni përkujtimore për 100-vjetorin e lindjes së botuesit Ismail Mal’Osmani. Me këtë rast u promovua libri “Ismail Mal’Osmani- Njeriu i Librit”, përgatitur nga Spiro Mëhilli, si dhe një ekspozitë retrospektive me botime të kohës. Po dje, Ismail Mal’Osmani u vlerësua me titullin “Fisnikëria e Tiranës” Një shembull botuesi në Ditën Botërore të Librit

Ismail Mal’Osmanin e kishte tërhequr emri i Johan Gutenbergut, shpikësit të shquar gjerman, që themeloi mënyrën europiane të shtypjes së librit me anë të kallëpeve të lëvizshëm... Për këtë arsye, në vitet ‘30, pasi kishte mësuar zanatin e tipografit dhe sekretin e shtypit, ai formoi shtypshkronjën “Gutenberg”. Ismail Mal’Osmani u përkujtua dje në 100-vjetorin e lindjes në ambientet e Bibliotekës Kombëtare. është zgjedhur pikërisht ky botues për t’u nderuar në Ditën Botërore të Librit, pasi, sipas Aurel Plasarit, drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, pa botuesit, autorët do të shkruanin vetëm për veten. Gjatë ceremonisë ku morën pjesë familjarë e dashamirës, Ismail Mal’Osmani u vlerësua nga kryetari i shoqatës "Tirana", Arben Tafaj, me titullin “Fisnikëria e Tiranës”. “Ismail Mal’Osmani dha një mesazh shumë të madh për atë periudhë në investimin për fushën e librit, si dhe për fjalën e lirë. Të gjitha këto së bashku kanë lënë një gjurmë të madhe në ruajtjen e vlerave historike të kombit”, komentoi ai. Në këtë veprimtari kushtuar figurës së këtij botuesi u promovua edhe libri “Ismail Mal’Osmani- Njeriu i Librit”, përgatitur nga Spiro Mëhilli. Ky vëllim vjen i pasuruar me letërkëmbime të botuesit me shkrimtarë e personalitete të kulturës së kohës. “Fatkeqësisht, shumë prej tyre u asgjësuan nga frika se mos binin në duart e inkuizitorëve, ndërsa një pjesë humbën në vite”, shkruhet në parathënien e këtij libri. Ndërkaq, e veja e Mal’Osmanit, zonja Leman, e pranishme në këtë ceremoni, i dhuroi Bibliotekës Kombëtare librin "Gremina e dashunisë”, i autorit Mustafa Grabelleshi, si dhe një dosje të gazetës “Trumbeta e Krujës”, e autorit Faik Konica, që daton në 1913.

Me këtë rast u përurua ekspozita retrospektive me disa prej botimeve të tij, si “Liza në botën e çudirave”, “Pasqyra e thyer”, “I fundmi i Kastriotëve”, pamje nga qyteti i Tiranës së asaj kohe, ilustrime nga librat (reklamat, procesverbalet), sigla e botuesit, shkrime të tij në shtypin e kohës etj. Suzana Turku, zëvendësministrja e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, tha se brezat e rinj duhet ta njohin se kush ka qenë Ismail Mal’Osmani... Ai u dha botimeve të kohës një hop cilësor. Në faqen e parë të secilit prej tyre shkruhej: “Ismail Mal’Osmani Botonjës-Tiran”. Në të gjithë librat që Mal’Osmani botonte, në mes të kapakut vendoste një shenjë dalluese me madhësinë e një pulle poste. Aty kishte një “O”, brenda saj një “I” dhe mbi të një “M”, anash nga e djathta qëndronte një pishtar. Ato kanë kuptimin: “Ismail Mal’Osmani përhapës i dijes”. Në fund të librit, nga pas, vendoste çmimin dhe në kllapa shënohej “Në të gjithë Shqipërinë”, në mënyrë që të mos abuzohej me të. Në fillimet e tij ai botoi “Vargjet e lira” të Migjenit. Me poetin e lidhte një miqësi e ngushtë. Botuesi kishte zgjedhur që vulën e botimeve të tij ta mbanin libra të gjinive të ndryshëm, si artistike, historike, shkencore etj. Më vonë “Gutenberg” mori emrin e botuesit të saj, që një meritë të madhe e pati në botimin për herë të parë në shqip të disa librave të autorëve të huaj, të tillë si “Topi me dhjamë” i Gi De Mopasanit, “Armiku i popullit” i Ibsenit, “Kasollja” e Ibanjezit, si dhe libri për fëmijë, “Liza në botën e çudirave” etj. Ismaili botoi gjithashtu edhe veprat e shkrimtarëve të rinj në atë kohë, si Nonda Bulka me “Kur qan e qesh bilbili”, Mustafa Grabelleshi me “Gremina e dashurisë”, Sterjo Spasse me romanin “Afërdita”, Sejfulla Malishova me “Njerka” etj. Po kështu, në vazhdën e botimeve të “Gutenbergut” hyjnë vepra si “Shqipëria si m’u duk” i Faik Konicës, “Problemet shqiptare” të Mehdi Frashërit, “I fundmi i Kastriotëve” i Andon Frashërit, “Në burg” i Haki Stërmillit, “Në hijen e Rozafës” i Injac Zamputit, “Lulja e kujtimit” nga Foqion Postoli etj. Mjaft kopje të botimeve të tij ruhen në Bibliotekën Kombëtare. Në një artikull me titull “Fushata e librit shqiptar”, të gazetës “Bashkimi i Kombit” të vitit 1944, bibliofili shkruan: “Shkrimtarët shqiptarë filluan të marrin frymë: Ismail Mal’Osmani, një djalë enthusiast me ndjenja patriotike dhe vështrime tregtare, vendosi të vërë mundin dhe kapitalet e tij në shërbim të kulturës. Shtëpija botonjëse ‘Ismail Mal’Osmani’ ka vendosur të shtypë sëpaku katër libra në mua; për këtë ka lidhur kontrata me më të mirat shtypshkronja të Tiranës, kështu që librat dalin estetikisht të përsosura. Me gjith këtë, çmimi i librave të kësaj shtëpije botonjëse është ma se i arsyeshëm, pothuaj-se gjysma e çmimit të librave të tjera që u shtypën, në kohët e fundit nga të tjerë botonjës. ‘Libra të zgjedhura, bukur të shtypura dhe të lira’, është parimi që ndjek z. Ismail Mal’Osmani. Dhe me gjithë këtë ay u ka dhënë gjer tani shpërblimet më të mira shkrimtarëve.... Këto na solli iniciativa e editorit tiranas, i cili në këtë mënyrë i bën një shërbim të shënuar kulturës shqiptare dhe për këtë meriton përgëzime”. Përgëzimet për Ismailin ishin të shumta, ato vinin nga personalitete të kulturës, por edhe lexues të thjeshtë. E tillë ka qenë edhe letra e dërguar nga Odhise Paskali, zëvendëskryetar i Institutit Shqiptar për Studime e Arte, në vitin ’44, ku shkruan: “ISHSA, qi vëzhgon me interesim lëvizjet kulturore në Shqipni, ka vu re me gëzim shërbimin qi Shtëpija e Juej Botonjëse asht tue bam në lamin kulturor me botimin e deri më sot të nji serije veprash të konsiderueshme, të shtypuna me kujdesë e me shije...”. “Ismail Mal’Osmani nuk duhet parë si një botues i thjeshtë. Ai ishte një njeri me zemër të madhe”, shkruan Spiro Mëhilli. Kjo sepse ai u dhuronte shpesh libra bibliotekave të vogla apo të sapokrijuara. Edhe të holla dhuronte ai. Ismaili lindi në Tiranë, më 3 janar të vitit 1910, në një familje të mesme tiranase. Ai ndërroi jetë më 12 shkurt të vitit 1983. Edhe ky botues i suksesshëm nuk u shpëtoi dot vuajtjeve e përndjekjeve të regjimit komunist, si edhe shumë intelektualë të tjerë të kohës. Në vitin 2000, Bashkia e Tiranës i dha titullin “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës”, me motivacionin “Për vlera të larta qytetare dhe intelektuale të vëna në shërbim të qytetit të Tiranës dhe për të cilat qytetarët e saj i shprehin mirënjohjen e tyre”.

Elbasan, 6 Vjesht’ e Parë 1944

Zotit
Ismail Mal’Osmanit

Tiranë
Miku im i dashur,

Zoti Sul Kurani më pruri aty moti një vandak me vivëlla nga ana e jote; të falem nga të thellat për nderin që më bëre duke më kujtuar me këtë dhuratë, që për mua ka një vlerë dyfishe; e para se më vjen nga një zemër mike, që e çmonj prej kohe, pastaj sepse ky vark veprash të ra o të përtëritura më dha desha s’desha, volijën për të parë disi me për së afri, gjendjen tonë të sotme në punë arsimi, që ndryshe, i mbytur si ç’jam gjer në fyt me punët të vehta, si s’kish jam si e shofënj... Të kam uruar’ dikuri për punë të kryera jo vetëm sipas dokavet të mjeshtërisë së shtampës, po dhe me një art që, me të vërtetë, nuk pritësh asaj kohe ndë një vend si ky që sapo kishte nisur të delinj syt në botë. Sot qysh të të them dhe qysh të të uronj? Për nga an’ e dukës dhe syrit gjithë veprat të dalura në dritë me kujdesën t’ënde, kanë arritur kulmin, dhe mund të barabite me ç’do vepër tjetër të punuar jashtë... Dhe vinj te “kasollja”; i paske ruajtur priftit të drejtat të përkthimit. Të lumtë, Ismail për çapën që ke hedhur në këtë rrugë nderi. Duke nderuar veten ke nderuar atdhenë dhe, nga ana tjetër u ke dhënë një grushtë të fortë gjithë larokëvet’, që s’e dijen të dajën të vehtën nga e huaja. Se cubat e pendës dhe të djers së huaj i kemi të shumtë në këtë cep të botës, për fatin t’ënë të prapë. Të lumtë, pra ty që na rrëfeve rrugën e mbarë së drejtës. Kjo capa jote qoftë shëmbëll e pasqyrë ndo përkthimtarët të veprave të huaja, ndo për gjithë sa merren me punë shtampërije dhe me botërime....

Duke të përsëritur falënderimet të mija uroj shëndet dhe zemër të gëzuara dhe punë të mbarë për të mirë të kombit.

Yti
SK

(Sotir Kolea (1872-1945), ish-drejtor i Bibliotekës Kombëtare)

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›