Rama: Të rinjtë të çoroditur, shumica e tyre të papunë
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar se rinia shqiptare sot është e çoroditur dhe papunësia e tyre është pika më e thellë e papunësisë në vend. Duke folur në tryezën për programin e PS-së për politikat rinore, Rama theksoi se nga 1 milionë të papunë që numërohen sot në Shqipëri shumica dërmuese janë të rinj.
Sipas Ramës universitetet janë kthyer në streha vorfnore të mjerimit akademik duke shtuar se të rinjtë shtyhen nga qeveria drejt universiteteve në mënyrë që ajo të mos përballet me papunësinë.
"Kjo politike, e shqyerjes së dyerve të Universiteteve dhe shtyrjes së të rinjve thuajse forcërisht brenda në Univeristet, është një minë me sahat që shpërthen në duart e çdo të riu me të dalë nga Universiteti. Kjo minë sakaton qindra të rinj të cilët e mbarojnë formalisht universitetin" ka theksuar Rama.
Ai ka theksuar më tej se në universitete mungojë kushtet, financimet, motivimi i trupës akademike dhe sipas tij universiteti është katandisur në një zgafellë të errët ku luhet falsa e rritjes së numrit të studentëve dhe rënies së cilësisë.
“Zgjedhjet në Universitete s`kanë të bëjnë as me autonominë dhe as me çuarjen përpara, por me mbajtjen me pahir të një statukouje në funksion të një politike rrënuese” shtoi Rama. Kreu i PS-së Rama theksoi se po favorizohen universitetet private dhe kjo sipas tij është heqja e gurit të fundit të themelit që do të sjellë më pas edhe shthurjen e sistemit universitar.
"Sistemi parauniversitar është në sistem punësimi dhe promovimi për shërbëtorët e qeverisë në rolin e mësuesve. Shpëlarja e trurit përmes tekstesh me skarcitet të lartë dhe propagandë ndaj nxënësve, është objektiv i shpallur i qeverisë" shtoi më tej Rama.
Sipas liderit të opozitës ka ardhur koha e një politikë e re për rininë e cila duhet t`i ketë rrënjët te shkolla dhe se qeveria, mësuesit dhe prindërit duhet të bëhen bashkë për të përmirësuar sistemin arsimor.