E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Universitetet, minë me sahat në duart e të rinjve

Sistemi arsimor në vend po kthehet në një minë me sahat për shkak të politikave klienteliste të qeverisë. Ky është thelbi i fjalës së kryesocialistit Rama në tryezën e Grupit të Punës për Politikat Rinore.

Kreu i selisë rozë u shpreh se universitetet private që shtohen përditë jashtë çdo lloj kriteri dhe mungesa e financimeve në ato publike po e largojnë rininë nga shkollat duke e shtyrë drejt degradimit.

Politikat e qeverisë me shqyerjet e dyerve të universiteteve dhe shtyrjes së të rinjve pothuajse forcërisht drejt tyre është një minë me sahat që shpërthen në duart e tyre me të dalë nga dyert e universiteteve. Financimet në sistemin publik mungojnë, kushtet mungojnë, motivimi i trupës pedagogjike mungon. Universiteti publik po bëhet një zgafellë përditë e më e errët. Zgjedhjet në universitete nuk kanë të bëjnë as me autonominë, as me çuarjen përpara të tij, por me mbajtjen e një statuskuoje rrënuese. Universitetet private shtohen përvit dhe jashtë çdo kriteri, mbi bazën e parasë dhe klientelizmit që ushqehet nga pushteti, tha Rama.

Ndërsa i cilësoi reformat e fundit në arsim si favorizuese të privatit, çka i heq gurin themelor sistemit arsimor, Rama u shpreh se as në shkollat shtetërore gjendja nuk është më e mirë.

Sistemi parauniversitar është sistem punësimi i militantëve besnikë të pushtetit. Tekste shkollore me skarcitet të lartë, kallja e frikës dhe asgjësimi i të gjitha programeve dhe praktikave që stimulojnë të menduarin kritik është objektivi antidemokratik dhe antisocial i qeverisë. Shkollat e kanë humbur çdo prirje për të edukuar brezin e ri. Ato janë të keqfinancuara e të keqtrajtuara , tha ai.

Sipas Ramës, në këtu kushte, alkoli, cigaret, droga dhe bastet janë bërë streha e të rinjve, ndërsa mësuesit e keqtrajtuar janë kthyer në rrogtarë të demotivuar që kanë humbur ambicien për të kërkuar më shumë nga shkolla, nga nxënësit e nga vetja.  Politika ka shkatërruar me shembullin e saj të mbrapshtë vetë moralin e shkollës, theksoi Rama.  / G. Ndoja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›