Berisha: Rama po fsheh pasurinë. Me çfarë i ndërtoi vilat?
Partia Demokratike ka mbyllur fushatën e saj elektorale në qarkun e Korçës. Gjatë mitingut të organizuar në Bilisht, kryeministri Sali Berisha nuk i kurseu akuzat për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas kreut të qeverisë, Rama nuk e përmendi asnjë herë fjalën integrim gjatë gjithë fushatës elektorale, pasi sipas kryeministrit, kreu i PS-së e shkelmoi këtë ëndërr të shqiptarëve.
Pasuria
Kryeministri Berisha akuzoi liderin e opozitës edhe për integrimin në BE, por edhe për fshehje pasurie. Fitorja e 23 qershorit do të shndërrohet në mirëqenie të ndjeshme për shqiptarët. Në projektin tonë shtylla kryesore e mirëqenies është punësimi juaj. Pse Edi Rama nuk shqipton fjalën rritje rrogash, pensionesh, sepse mendon vetëm për krijimin e monopoleve të miliarderëve të tij. Për ne fati i bardhë është integrimi në Evropë. A e keni dëgjuar ndonjëherë të thotë fjalën integrim? U thotë shqiptarëve se BE nuk është as bukë, as ujë. Nuk e përmend se ka shkelmuar mbi këtë ëndërr tuajën, mbi këtë projekt madhështor, deklaroi Berisha. Në vijim të sulmeve ndaj Ramës, kryeministri Berisha e akuzoi atë për fshehje të pasurisë. Ai garon me vilë e pallat mbrapa, pa treguar se me çfarë i bleu. Kam 20 vjet në politikë, marr rrogë nga taksat tuaja, marr rrogë të mirë dhe e vetmja që kam arritur të bëj është të kaloj nga një apartament me 80 metra katror në një apartament 125 metra katror, u shpreh kryeministri Berisha.
Fermerët
Duke u ndalur tek mandati i tretë qeverisës, kryeministri Berisha premtoi rritje të subvencionimeve për të gjithë fermerët e vendit, ndërsa akuzoi opozitën për propozimet e saj në këtë sektor. Ne po ulim dhe do ulim gjithnjë e më shumë taksat për biznesin, në mënyre që biznesi të dyfishohet. Ju bëj sot thirrjen më vëllazërore, ju burrave e grave që vadisni me djersë tokat tuaja. Mendoni cilën politikë do të mbështesni. Politikën që sapo ju njoftova apo politikën që ju premton ju se do heqë akcizën e TVSH-në, e cila e tëra do të përfundojë në arkën e tregtarëve, asnjë qindarkë tek ju. Ne kemi filluar dhënien e parave në dorë. Mendoni cilën politikë do të ndiqni, politikën e mbrojtjes së prodhimeve tuaja, apo atë të heqjes së TVSH-së për prodhimet dhe krijimit të monopoleve për miliarderët e partisë. Ideja se kjo do ulë çmimet është një mashtrim i madh, asnjë çmim nuk do ulet. Monopolet tregtare do të rrënojnë fermat, deklaroi kryeministri Sali Berisha.
PD: FBI-së i kërkohet të hetojë Ramën për pastrim parash
Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses, Laura Vorpsi i ka kërkuar sërish kryetarit të PS-së, Edi Rama që të bëjë publike pasurinë e tij. Sipas Vorpsit, u bënë dy javë që pas publikimit të lajmit se Rama ka fshehur pasurinë dhe ende kreu i PS-së vijon të heshtë. Kanë kaluar pothuajse dy javë që kur mësuam se në mënyrë të paligjshme Edi Rama dështoi të paraqesë deklarimin e të ardhurave të tij. Më pas ne mësuam nga lajmet se Rama jo vetëm që e ka fshehur deklaratën e të ardhurave, por ai gjithashtu nuk ka paguar as taksat për miliona lekë të ardhurash. Të gjitha këto në një kohë që është duke ndërtuar vilën e tij shumë milionëshe, që bazuar në të ardhurat e tij të deklaruara, ai nuk mund ta përballojë diçka të tillë. Atëherë, kush po e ndërton vilën e Edi Ramës? Ai as kësaj pyetje nuk po i përgjigjet, tha Vorpsi. Sipas zëdhënëses së PD-së, FBI do të hetojë Edi Ramën për pastrim parash. Ndërsa tani, Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i është dërguar një letër, ku i kërkohet FBI-së të hetojë Edi Ramën për pastrim parash. Nga erdhën paratë? Cili është burimi i tyre? Edi Rama as për këtë nuk po jep përgjigje, deklaroi Laura Vorpsi.
Varreza Monumentale në Kollgjer, Idrizi: Meka e shqiptarëve
Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet inauguroi në Kollgjer Varrezën Monumentale për të nderuar kujtimin e shqiptarëve të Çamërisë që humbën jetën në rrugëtimin e tyre nga Çamëria në Shqipëri. Në fjalën e tij, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi u shpreh se, ndërtimi i kësaj varreze është një amanet i njerëzor i bërë realitet. Sot(dje) plotësuam një amanet njerëzor, duke falur pas 70 vitesh xhenazen e tyre, si për çdo njeri që lë këtë botë. Ne i kthyem të gjithëve një pikë kujtese, për mijëra njerëz që u sakrifikuan dhe vranë që do jenë qendrestarët tanë, kjo është pika e referencës se si do kërkojmë drejtësi për çështjen çame, tha Idrizi. Sipas Idrizit ky vend do jetë për të gjithë Meka e shqiptarisë. Ai nënvizoi më tej se do çojë përpara amanetin e çamëve të rënë për të kërkuar drejtësi. Sot kemi një varrezë njerëzore dinjitoze, ne kërkojmë drejtësi, amaneti i tyre që dhanë jetën këtu kërkojnë drejtësi, ne i bëmë të pavdekshëm, sot shpirtrat e tyre por edhe shpirtrat tanë janë më të lehtësuar. I bëmë të parët tanë të pavdekshëm, u shpreh kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.