Topi: E padrejtë që Shkodra të identifikohet me Jozefina Topallin
PD ka braktisur të përndjekurit dhe mbledh vota për Kaçin e zi
Partia Fryma e Re Demokratike zhvilloi dje një takim me mbështetës të saj në qytetin e Shkodrës. Gjatë fjalës së tij, kreu i FRD-së, Bamir Topi u shpreh i sigurt në fitoren e një mandati në këtë qark. Fatlum Nurja, që prin listën e kandidatëve për qarkun, do të pjesë e grupit parlamentar të FRD, tha Topi. Duke u ndalur tek 23 qershori Topi tha se populli me anë të votës duhet të dënojë politikën e cila e la vendin jashtë Evropës.
Të përndjekurit
Topi ka kritikuar PD-në edhe për futjen në lista të Kastriot Islamit dhe ka premtuar kompensim të plotë për ish të përndjekurit. Për qytetarët shkodranë, 23 qershori është momenti për ti thënë ik politikanëve që e lanë Shkodrën dhe Shqipërinë jashtë Evropës, atyre që braktisën të përndjekurit dhe mbledhin vota për Kaçin e zi, atyre që tradhtuan kauzën e demokratëve. Programi i FRD është i guximshëm, ai ka përparësi kompensimin përfundimtar të të përndjekurve, sepse ky akt është çështje dinjiteti dhe respekti për shtresën e vuajtur në diktaturë, tha Bamir Topi.
Topalli
Teksa vlerësoi qytetin e Shkodrës për personalitetet e dala prej tij, Bamir Topi i quajti si të pa të drejtë identifikimin e Shkodrës me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Shkodra ka personalitete dhe vlera njerëzore te çmuara dhe është e padrejtë të identifikohet me emrin e Kryetares së Kuvendit tha Topi. Duke u ndalur tek përmbytjet e ndodhura në Shkodër dhe zonat përreth vitet e fundit, kreu i FRD-së tha se banorët e këtyre zonave të përmbytura duhet të reagojnë për indiferencën e treguar nga qeveria dhe sipas Topit mënyra më e mirë për këtë është me anë të votës. Si ka mundësi që përmbytet Shkodra, Nënshkodra dhe Velipoja dhe mungojnë reagimet nga njerëzit? Sigurisht që kanë frikë, por unë ju them se mënyra më e mirë për të reaguar ndaj indiferencës së qeverisë është vota. Fanatizmi që ngrenë 2 gishtat lart kur janë 3 metra nën ujë është e keqja e njerëzve të thjeshtë, u shpreh kryetari i partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi. Në përfundim, Topi tha se ekonomia shqiptare është në mjerim ndërsa i vetmi biznes që lulëzon, sipas tij janë studiot që prodhojnë postera e flamuj partie, duke shpërdoruar paratë e popullit.
Hiqet posteri i Topit në Korçë prej mitingut të PD
Kur kanë mbetur edhe tre ditë nga mbajtja e zgjedhjeve, në qytetin e Korçës është shënuar incidenti i radhës i kësaj fushate elektorale. Kështu, vetëm pak orë para mbajtjes së mitingut të Partisë Demokratike në qytetin e Korçës është hequr nga sheshi qendror i qytetit posteri i kryetarit të partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje reagoi kandidati për deputetë i Partisë Fryma e Re Demokratike në qarkun e Korçës, Alfred Cako i cili akuzoi Partinë Demokratike për këtë incident. Heqja e posterit ishte në vazhdën e disa akteve të tjera që ka bërë Partia Demokratike bashkë me përfaqësuesit e saj në rrethin e Korçës. Disa ditë më parë janë dhunuar edhe ‘City Line’ duke hequr posterat tona. Janë veprime të turpshme të organizuara nga një bandë e PD. Ata vazhdimisht të gjithë ushtrojnë presion për të mos lejuar një reklamim të punës sonë, mbi bazën e të gjitha akteve ligjore të përcaktuara në kodin zgjedhor. Në vendin që ishte caktuar nga Bashkia për të ekspozuar një poster të partisë sonë dhe te kreu të FRD-së Bamir Topit u hoq në presionin e qeverisë dhe të përfaqësuesve të saj. Sot(dje) vjen Sali Berisha dhe këta kanë fobi nga Fryma e Re Demokratike dhe kjo parti më shumë merret me ne se me PS, me të cilën në bashkëpunim kanë bërë kodin zgjedhor, tha Cako.