E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama po ndërton xhami në tokë të grabitur

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 02-05-2011 10:24

Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar nga Durrësi kreun e opozitës, Edi Rama, se po ndërton një xhami mbi prona të grabitura. Deklarimi i kreut të qeverisë është bërë pasditen e djeshme në Spitallë të Durrësit, pas inaugurimit të rrugës Spitallë-Porto Romano. “Për herë të parë gjatë jetës tënde, ke një muaj që merresh me problemin e një xhamie. Është normale që ne të ndihmojmë për ndërtimin e xhamive, kishave dhe teqeve, deri këtu çdo gjë është në rregull. Por sot më thanë se nga njëra anë paraqet projekte për ndërtimin e pallateve, nga ana tjetër, 30 qytetarë protestuan se po u grabit pronën. Kujdes, se profeti thotë: mos prek pronën e tjetrit, nuk ka musliman që falet në xhami të ngritur në pronë të grabitur. Natyrisht që kjo gjë i lëndon besimtarët” - tha Berisha nga Durrësi. Ai i ka kërkuar Ramës të tregohet i kujdesshëm, duke i kujtuar madje se një nga porositë e Profetit është: mos prek pronën e tjetrit. “Përpjekja jote për të servirur xhami në prona të grabitura është një lëndim për të gjithë besimtarët e Zotit. Nuk ka mysliman që pranon të falet mbi një xhami të ndërtuara mbi prona të grabitura”, -tha Berisha. Kryeministri shtoi se qëllimi i Ramës është “ndukja” e ndonjë vote, gjë që sipas tij nuk ka për të ndodhur. Berisha ka vizituar Durrësin menjëherë pas mbërritjes nga Vatikani, ku ai ishte pjesë e delegacionit shqiptar, me rastin e Lumturimit të Papa Gjon Palit II. Në lidhje me këtë ngjarje, ai u shpreh se është ndier krenar që protokolli i Vatikanit e kishte caktuar delegacionin shqiptar pranë atij polak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›