E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama shpall sot fituesin, pronarët: Po na grabit tokën

SHKRUAN: Jonida Tashi 02-05-2011 10:22

Shpallet sot projekti fitues për ndërtimin e Xhamisë së re dhe Muzeut të Tiranës. Vetëm një javë para zgjedhjeve lokale të 8 majit, kryebashkiaku Edi Rama ka prezantuar dje 5 studiot pjesëmarrëse në këtë garë, të cilat kanë kaluar fazën e dytë të konkursit ndërkombëtar, të shpallur nga Bashkia e Tiranës, për Xhaminë dhe Muzeun e Bashkëjetesës Fetare për kryeqytetin. Ndërkohë që sot paradite do të shpallet edhe fituesi i projektit, i cili do të përcaktohet nga një juri e ngritur posaçërisht për këtë punë dhe që përbëhet nga 7 anëtarë, nga të cilët katër janë arkitektë të huaj dhe një shqiptar. Kryetari i kësaj jurie është kryebashkiaku Rama, ndërkohë që pjesë e saj do të jetë edhe një përfaqësues i Komunitetit Mysliman. Sipas Bashkisë së Tiranës, konkursi për projektin e Xhamisë së re dhe Muzeut të Bashkëjetesës Fetare, ka mbërritur tashmë në fazën ku do të përzgjidhet edhe studioja fituese. Janë 5 studio konkurruese, të përzgjedhura nga një fazë e parë seleksionimi (prej 100 studiosh ndërkombëtare), të cilat prezantuan projektet e tyre për këtë projekt. Ndërkohë, 5 studiot pjesëmarrëse në këtë garë janë: “Andreas Perea Ortega” - Madrid, Spanjë; “Architecture Studio” - Paris, Francë; “BIG” - Kopenhagen, Danimarkë; “Search” - Amsterdam, Holandë; “Zaha Hadid Architects” - Londër, Britani e Madhe. Në çelje të konkursit, kryebashkiaku Rama ka prezantuar këto 5 studio pjesëmarrëse në garë, duke theksuar: “Më lejoni të mos zgjatem në fjalën time, përveçse të bëj një prezantim të pjesëmarrësve dhe pastaj le t’ua lemë arkitektëve të flasin me idetë dhe propozimet e tyre, aq më tepër kur bëhet fjalë për një objekt kaq të rëndësishëm për qytetin dhe po ashtu dhe me një ndjeshmëri të posaçme, siç është Xhamia e re, të cilën nuk do të donim ta përfshinim për asnjë sekondë në kornizën e fushatës elektorale të çfarëdo lloj debati politik”. Bashkia e Tiranës u ka kërkuar studiove projektuese që Xhamia dhe Muzeu të kenë arkitekturë moderne, por duke u ruajtur elementët e kultit. Ndërsa përfaqësuesit e studiove kanë prezantuar shkurtimisht projektin e tyre për Xhaminë e re dhe Muzeun e Tiranës, dhe ajo që spikat pothuajse në secilën prej tyre është fakti se ato e kanë qëmtuar mirë realitetin shqiptar, përsa i takon bashkëjetesës fetare, sikurse edhe terrenin ku parashikohet të ndërtohen këto dy objekte. Ndërkohë sipas projektit të Bashkisë, sipërfaqja e Xhamisë do të jetë rreth 2.500 m2, ndërsa ajo për muzeun është 1650 m2. Xhamia e re, që parashikohet t’u shërbejë mbi 2500 besimtarëve, sipas projektit të Bashkisë, do të ndërtohet në qendër të kryeqytetit, mbrapa Pallatit të Kulturës. Deri më tani, forma që do të ketë Xhamia e re është enigmë, pasi kjo do të përcaktohet nga arkitektët që do të fitojnë konkursin ndërkombëtar për ndërtimin e saj. Sipas projektit paraprak, Xhamia është menduar të ndërtohet në një sipërfaqe prej 17 135 metër katrorë dhe do të përfshijë brenda saj hapësira për të kryer të gjitha ritet që përmban kjo fe, si dhe ambiente për të gjithë ata që duan të informohen mbi fenë islame. Xhamia e re e Tiranës, sipas të dhënave teknike, do të ketë lartësi të njëjtë me Pallatin e Kulturës. Minarja mund ta kalojë këtë lartësi maksimale, por duhet të mbetet më e ulët se minarja e Xhamisë së Et'hem Beut dhe se Kulla e Sahatit. Në veri dhe lindje të saj nuk do të ketë ndërtesa ngjitur, ndërsa në perëndim do të jetë një ndërtesë me të njëjtën lartësi. Në veri Xhamia do të ketë përballë hotelin “Tirana International”. Në jug të xhamisë do të jenë një varg kullash me lartësi katër kate dhe kulla e parashikuar të ndërtohet në vendndodhjen aktuale të Teqesë së Helvetinjve. Xhamia e re do të ketë një sipërfaqe totale ndërtimi prej 17 135 m2, brenda një trualli prej 2930 m2 dhe arrin t’u shërbejë mbi 2500 besimtarëve. Janë 9 nivele, 4 tokësore dhe 5 nëntokësore, që janë të parapara në gjithë këtë hapësirë. Elementët kryesorë të Xhamisë do të jenë holli i faljes, biblioteka, salla shumë funksionale, salla e mbledhjeve, mjediset e shërbimit dhe parkimi nëntokësor. Xhamia e re, si qendër e besimit, do të ketë një program të përbërë. Përveç elementëve bazë që ka një xhami tradicionale, ajo do të përmbajë elementë të tjerë në funksion të mësimit, nxënies dhe kërkimit. Në projektin e Bashkisë së Tiranës për Xhaminë e re janë detajuar të gjithë elementët që do të ketë objekti i ri i kultit, që nga holli qendror i faljes e deri te parkimin nëntokësor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›