Vrasja e Bin Laden, festë dhe mesazhe nga ndërkombëtarët
SHBA- Feste e madhe ne Amerike per lajmin se Bin Laden ka mbetur i vdekur gjate operacionit te ushtrise amerikane. Mijëra njerëz janë mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë dhe në vendin ku dikur ishin kullat binjake në Nju Jork duke valëvitur flamuj amerikanë. Rreth 3000 njerëz u vranë nga sulmet terroriste në SHBA më 11 Shtator 2001.
Presidenti Obama përpara se të bëjë lajmin publik ka informuar presidentin Bush dhe Klinton. Presidenti Bush përmes një deklarate tha se kjo ishte “fitore e madhe për Amerikën”.
Kryeminsitri britanik ka qenë ndër të parët që ka reaguar pas vrasjes së bin Ladenit.
Kamerun tha se vdekja e bin Ladenit ka sjellë “lehtësim të madh” në të gjithë botën.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Majkëll Blumberg tha se shpreson që lajmi të ndihmojë të afërmit e viktimave të 11 shtatorit.
Kryeministri izraelit ka vlerësuar lart Shtetet e Bashkuara për operacionin që çoi në vrasjen e Osama bin Ladenit.
“Ky është triumf për drejtësinë, lirinë dhe vlerat që ndajnë vendet demokratike që kanë luftuar bri njëra-tjetrës me vendosmëri kundër terrorizmit”, tha Netanjahu.
Ministri i jashtëm i Gjermanisë mirëpriti vrasjen e bin Ladenit, të cilin e cilësoi si një nga terroristët më brutalë. “Ai ka jetët e mijëra të pafajshmëve në ndërgjegje”, tha Vestervele, cituar sot nga Rel.