Berisha: Rama, propagandë me numrin e të papunëve

Sali Berisha / Foto arkiv
Shifrat për papunësinë vazhdojnë të jenë në qendër të debatit në distancë mes kryeministrit dhe kreut të PS-së. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Berisha u shpreh se Rama po e përdor për propagandë numrin e të papunëve në vend, i cili sipas tij nuk është 1 milion.
Duke iu referuar shifrave zyrtare, Berisha tha se në këtë kategori nuk mund të përfshihen pensionistët, nxënësit, madje edhe bashkëshortet që i përkushtohen rritjes së fëmijëve.
Shqipëria ka 560 mijë pensionistë. Shqipëria ka 670 mijë nxënës dhe studentë. Këta janë në shkollë dhe nuk grupohen tek të papunët. Zotëria nuk njeh strukturat e grupmoshave. Ato po zvogëlohen, por është rritur numri i studentëve. Ka 140 mijë studentë. Shqipëria ka një lindshmëri nga 45-50 mijë fëmijë. Edhe këta i quan të papunë. Në Shqipëri janë, si në çdo vend tjetër të botës, qindra familje në të cilën njëri bashkëshort punon dhe tjetri i përkushtohet familjes, tha Berisha.
Sipas kryeministrit, sistemi për regjistrimin e të papunëve, i cili bazohet në deklarimin që bëjnë kjo kategori në zyrat e punës, për të përfituar më pas ndihmën ekonomike, nxjerr 145 mijë qytetarë të regjistruar në zyrat e punës.
Nëse ai shpërndan marrëzira të tilla në publik, është detyrë e qeverisë të sqarojë. I bie që rreth 800 mijë qytetarë nuk shkojnë në zyrat e regjistrimit dhe refuzojnë përkrahjen ekonomike, tha Berisha. / G.N.