E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Rama shkatërroi bujqësinë. Deputetët e PS flasin vetëm për Ramën, s’pyesin për shqiptarët

Kreu i grupit të ‘Rithemelimit’ në Partinë Demokratike Sali Berisha teksa ka prezantuar kandidatin për kryetar bashkie të Gramshit, Hasim Çekrezi, ka deklaruar se kryeministri Rama ka shkatërruar bujqësinë dhe nuk ka kryer asnjë investim në fshatrat e vendit.

“Mungesa e rrugëve, një fshat që nuk ka rrugë miqtë e mi, po të mos kishte edhe elektricitet mund ta çosh edhe 300 vite mbrapa. Edhe 300 vite më parë, edhe 500 vite më parë, rrugë ka patur, por kanë qenë rrugë qerresh. Shkoni e shihni rrugët e Kotkës, rrugë të tjera me radhë, rrugët e fshatrave janë absolutisht rrugë të nivelit mesjetar, baltë dhe vetëm baltë.

Sa kanë asfaltuar gjatë këtyre 10 viteve, çfarë kanë bërë. Zero dhe nuk kanë as mirëmbajtur ato që janë asfaltuar më pare”, është shprehur Berisha.

Sipas Berishës, kandidatët e majtë flasin vetëm për kryetarin e tyre Edi Ramën dhe nuk thonë asnjë fjalë për qytetarët të cilëve iu kërkojnë votën.

“Hasimi ka për rival një ish-deputet. Tani të ju pyes unë ju, a e nigjuat të flasë këtë Ajazin të flasë për Gramshin në parlament, unë nuk e kam dëgjuar. Nuk flasin ata për ju.

E di si më bëhet nganjëherë të ua them haptas? Të ik, sepse nuk flasin asnjëherë për qytetarin. Flasin vetëm për kryetarin, sukseset dhe qytetarët për ta nuk ekzistojnë. U ngrit një deputet i tyre dhe shtroi diçka për fermerët, desh e hëngrën me lecka të gjallë. Nuk ekzistojnë qytetarët për ta. Pa le më rrugët, shkollat, prodhimet, asgjë. Më thoni ju.

Dje po lexoja 160 lekë kilogrami i qepëve. Po pse, sepse vijnë nga Kina. E shkatërroi ky bujqësinë, i shkatërroi fermerët, se hapi Ballkanin e Hapur dhe vërshojnë nga të 4 anë”, ka theksuar Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›