Berisha: Rama shkon rrufeshëm drejt humbjes së ardhshme

Shqipëria ecën me ritme të shpejta drejt shndërrimit në një superfuqi energjetike në rajon, sa i takon kapaciteteve të shfrytëzimit të energjisë së rinovueshme. Ndërkohë Kryemsitri i quan deklaratat e opozitës kundër investitorëve si shpifëse dhe ziliqare, me të cilat kërkon të kthejë kohën mbrapa. Këshilli i Ministrave vendosi dje për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të pesë hidrocentraleve të tjera, krahas 443 hidrocentraleve të parashikuar për tu ndërtuar. Me kontratat e firmosura deri më sot është firmosur ndërtimi i veprave energjetike prej 1400 megavat, pra 20 për qind më shumë se kapaciteti ekzistues i sotëm dhe kapin një investim mbi 2 miliardë euro. Dinamizmi i investimeve në fushën e energjisë s’do pengohet nga kërcënimet shoviniste dhe centralizuese të Edi Ramës, i cili në rastin më të mirë i krijon profilit të tij pa besueshmëri dhe e largon nga çdo horizont pushteti
Kryeministri Sali Berisha ka dënuar politikën ziliqare dhe sulmet keqdashëse të opozitës se kur të vijë në pushtet nuk do të njohë asnjë koncesion të dhënë nga qeveria. Në mbledhjen javore të Këshillit të Ministrave, ku në rendin e ditës ishin investimet në fushën e energjetikës, për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të pesë hidrocentraleve, shefi i ekzekutivit u shpreh se deklaratat e opozitës kërcënojnë investitorët e huaj, ndërsa theksoi se me këtë qëndrim dhe praktikë kundër zhvillimit të biznesit, Rama i largohet gjithnjë e më shumë horizontit të pushtetit.
“Përballë kësaj gare të pashembullt në ndonjë vend, në intensitetin e saj të madh, qëndrojnë deklaratat ziliqare, deklarata keqdashëse, të cilat kërcënojnë investitorët se nuk do të njohim këtë apo atë marrëveshje, se po jepen ujërat me koncesione. Shpifje e trillime të pandershme! E vërteta është se absurditeti i tyre, fatmirësisht, nuk është përfillur aspak nga investitorët vendas e të huaj, të cilët janë të ndjeshëm, por janë të ndjeshëm ndaj çështjeve që qëndrojnë dhe jo ndaj marrëzive. Dalin e i kërcënojnë çdo tre ditë, se nuk do të njohin marrëveshjet. Sa më shpesh të dilni të nderuar zotërinj, ju garantoj se largoheni me shpejtësi të rrufeshme nga horizonti i pushtetit”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, nuk ka shqiptar që mund të votojë ata që thonë do kthejmë kohën mbrapa, ata që duan të privojnë shqiptarët nga pasuritë e tyre dhe vetë pushimet i kalojnë në krocera. “Kush është ai që mund të votojë për ata që thonë se do të kthejmë kohën mbrapa, për ata që duan t’i privojnë shqiptarët nga pasuritë e tyre dhe vetë pushimet i kalojnë në krocera”, theksoi kryeministri.
Ndërsa ironizoi kreun e PS, që siç tha kryeministri, ka krijuar opozitën virtuale në rrjete sociale.
“Tani janë bërë edhe virtualë. Rroftë ciu-ciu! Por Shqipërinë dixhitale, ne nuk e nisëm për të krijuar opozitën virtuale. Shqipërinë dixhitale e nisëm që shqiptarët, pavarësisht nga bindjet e tyre, të kenë shërbimet më të shkëlqyera, të njohin shpejtësitë më të mëdha. Rrjetet sociale janë rrjete sociale dhe nuk duhet t’i deformojmë qëllimet e tyre. Ato janë për të shumuar plazmën e njerëzisë e komunikimit midis njerëzve”, tha ai.
Para anëtarëve të kabinetit qeveritar, kryeministri Berisha e ka cilësuar energjinë e rinovueshme një përparësi për qeverinë shqiptare. Ai informoi se janë përfunduar 72 hidrocentrale me kapacitet prej 125 megavat. Nga 443 hidrocentrale që parashikohen të ndërtohen në mbarë territorin vendit, sipas tij është dëshmuar interes i madh nga biznesi për 331 prej tyre dhe ky interes vazhdon në rritje.
“Me këto pesë hidrocentrale shkon në rreth 330 numri i hidrocentraleve, për të cilët janë firmosur kontratat, kanë përfunduar ndërtimin, kanë filluar ndërtimin apo janë në procesin e marrjes së lejes. Nga 443 hidrocentrale, të vegjël, të mesëm e të mëdhenj, që parashikohen të ndërtohen në mbarë territorin e vendit, është dëshmuar interes i madh nga biznesi për 330 prej tyre dhe ky interes vazhdon në rritje. Konkretisht, ndër këto hidrocentrale, për të cilat Ministria e Ekonomisë ka firmosur mbi 115 kontrata, kanë përfunduar ndërtimin 72 prej tyre dhe e vërteta është se kjo shifër është e tre javëve më parë, ndërkohë mund të kenë përfunduar edhe të tjerë. Hidrocentralet që kanë përfunduar ndërtimin kanë kapacitet prej 125 megavat. Pritet që në shtator t’u bashkëngjitet edhe projekti më i madh që ndërtohet deri në tani, projekti i Ashtës. Ky hidrocentral përbën risi botërore në llojin e tij, pasi ka numrin më të madh të turbinave tubulare që përdoren ndonjëherë në këto kushte”, tha ai.
Kryeministri Berisha i ka cilësuar shumë të rëndësishme ndërtimin e këtyre veprave, jo vetëm për fuqizimin e sistemin energjetik, por së pari janë një sipërmarrje e fuqishme punësimi, cili është edhe prioriteti kryesor i qeverisë së tij.
“Këto vepra, të cilat fuqizojnë çdo ditë e më shumë sistemin tonë energjetik, kanë rëndësi të jashtëzakonshme. Së pari, ato janë sipërmarrje të fuqishme punësimi. Janë në ndërtim edhe mbi 50 të tjera, në të cilat janë të punësuar mijëra punëtorë, inxhinierë e teknikë të fushës. Për ne, punësimi mbetet përparësi e të gjitha përparësive. Por punësimi i shpërndarë falë këtyre veprave që ndërtohen është edhe më i mirëpritur, sepse në tërësinë e tyre këto vepra janë të vendosura në zonë malore, në atë verilindore e juglindore të vendit. Zonë me problemet më të mëdha me të ardhurat e punësimin”, theksoi Berisha.
Më tej, kreu i qeverisë shtoi se këto HEC-e rritin ndjeshëm të ardhurat në komunitetet lokale, por efekti dhe rezultati i tyre më i qëndrueshëm dhe më afatgjatë është sepse ato garantojnë shqiptarët që gradualisht Shqipëria shkëputet përfundimisht nga ndikimi injukturor i çmimit të energjisë, pasi energjia ujore është energjia me koston më të ulët që ekziston.
“Krahas vendeve të punës, këto hidrocentrale rrisin ndjeshëm edhe të ardhurat në komunitetet lokale. Por efekti dhe rezultati i tyre më i qëndrueshëm, më afatgjatë është se ato gradualisht garantojnë që, pavarësisht nga çmimet gjithnjë në rritje të energjisë në botë, të cilat, fatkeqësisht, përcaktohen kryesisht nga çmimi i naftës, Shqipëria, me shtimin e këtyre veprave shkëputet në mënyrë përfundimtare nga ndikimi konjukturor i çmimit të energjisë dhe shqiptarët do të kenë mundësi të marrin energji me çmimin më të leverdishëm, se çdo vend tjetër. Kjo sepse energjia ujore është në rrafshin afatgjatë, energjia me koston më të ulët që ekziston. Duke fuqizuar kapacitetet e prodhimit të energjisë së ujit, ne konsolidojmë në mënyrë të shkëlqyer një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Hidrocentralet, me efektin e tyre pozitiv, trashëgohen nga gjeneratat dhe nuk lënë asnjë faturë negative për to. Përkundrazi, ato përbëjnë një nga asetet më të mira, më pozitive e më me vlerë, që ata, që vijnë pas nesh, do t’i kenë”, shtoi më tej kryeministri.
Gjithashtu ai informoi se në Shqipëri me kontratat e firmosura deri më sot është firmosur ndërtimi i veprave energjetike prej 1400 megavat, pra 20 për qind më shumë se kapaciteti ekzistues i sotëm dhe kapin një investim mbi 2 miliardë euro.
“Në Shqipëri ka një specifikë jashtëzakonisht të rëndësishme e pothuaj unike. Nga e gjithë kjo veprimtari, me kontratat e arritura gjer më sot është firmosur ndërtimi i veprave energjike me një prodhim total prej 1400 megavat, pra, rreth 20 për qind më të madh se kapaciteti ekzistues. Ato kapin një investim mbi 2 miliardë euro. Ne do të bëjmë gjithçka që të shfrytëzojmë çdo burim të mundshëm ujor, për shndërrimin e tij në energji elektrike. Gjithë këto ujëra, në shekuj janë derdhur në det, të fjetura e pa vlerë, përveçse rasteve të kufizuara kur janë përdorur për vaditje. Ndërsa sot marrin një vlerë të jashtëzakonshme. Kjo veprimtari ka një histori të shkurtër që nisi në vitin 2007 me miratimin e një ligji të shkëlqyer. Ligj, i cili u jep garanci investitorëve privatë, i nxit ata dhe i ka bindur se në Shqipëri ia vlen të konsiderosh hartimin e projekteve, për ndërtimin e hidrocentraleve. Këto gara vazhdojnë para së gjithash, se ato kanë qenë gara transparente dhe se në to ka dominuar transparenca maksimale. Cilido që dëshiron, le t’i hedhë një sy këtij procesi të paprecedent në historinë e një vendi. Nuk ka ndonjë vend tjetër që në një hark të shkurtër kohor të ketë firmosur me sektorin privat, kontrata për ndërtimin e 330 hidrocentraleve. Kjo garë vjen me ‘lakmi’ në rritje. Edhe pse kjo kohë nuk është koha më optimale. Sigurisht, pasojat e krizës në Evropë janë të ndjeshme dhe ajo nuk do të jetë afatshkurtër, por e vërteta është se nga viti 2010 e në vazhdim ka pasur interes të madh për ndërtimin e tyre. Shqipëria po i zhvillon kapacitet e saj ujore energjetike tërësisht të bazuar në iniciativën e lirë, duke mos shpenzuar asgjë nga buxheti i shtetit. Është absolutisht një nga rastet më të rralla, për faktin që ligji, mjedisi që kemi krijuar, ‘one stop shop’ që po konsolidojmë janë shndërruar në një magnet të vërtetë, për investitorët në fushën e energjisë”, deklaroi ndër të tjera kryeministri Berisha.
Standardet në arsim, kontrolle të rrepta ndaj publikut dhe privatit
Qeveria mori vendim edhe për forcimin e kontrolleve ndaj arsimit publik dhe privat. “Arsimi ka arritur të mobilizojë fonde të mëdha nga sektori privat. Kështu që duke bërë kontrolle rigoroze, duke konsoliduar mekanizmat e kontrollit, nuk mund të ndalim, dhe është e domosdoshme të aplikojmë ligjin për shkollën. Do japim tokë për ata që ndërtojnë shkollë. Jemi gjithnjë e më shumë dinamikë, por nesër do vendosim mekanizmin për të ketë cilësi”, deklaroi Berisha, i cili u bëri thirrje institucioneve që të shndërrohen në “NON Profit” në mënyrë që të ecin të sigurt drejt cilësive dhe konsolidimit të tyre.
“Nuk ka asnjë problem me statusin aktual, por rikujtojë se në vendin model të arsimit privat, SHBA, shumica dërrmuese janë non-profit. Kështu zgjidhet kundërshtia me Ministrinë e Financave, që kërkon zbaton zbatimin e rregullave nga të gjitha bizneset. Kjo nuk pengon qeverinë që ta nxitur iniciativën e lirë në këtë sektor, të arsimit e shëndetësisë. Por këto impakti me shoqërinë është i veçantë dhe i domosdoshëm”, theksoi ai.