E Shtunë, 31 Tetor 2026

SEEMO: Greqia të japë llogari për ndalimin e gazetarit të Top Channel

Gazeta Shqip

Organizata e Mediave të Europës Juglindore me qendër në Vjenë dënoi fuqishëm aktin e policisë greke, duke theksuar se për ngjarje të tilla po përsëriten nga Greqia

Këshilli i Europës dhe OSBE të reagojnë. Unioni, protestë përpara ambasadës greke

Organizata e Mediave të Europës Juglindore, SEEMO dënon aktin e disa ditëve më parë të policisë greke ndaj gazetarit të Top Channel, Marin Mema i cili u ndalua të hynte në kufirin grek, ku do të shkonte me pushime, për shkak të një dokumentari të bërë një vit më parë prej tij lidhur me çamët dhe Çamërinë. Sekretari i përgjithshëm i SEEMO, Oliver Vujoviç, ka kërkuar që autoritetet greke të japin llogari përse e kanë penguar hyrjen e reporterit shqiptar në Greqi dhe pse e kanë shpallur atë person non-grata.

Gazetarët duhet të lejohen të udhëtojnë edhe si qytetarë të thjeshtë, për çështje të tyre private, edhe si profesionistë të informacionit, tha Oliver Vujoviç, Policia kufitare greke duket se ka shkelur disa standarde ndërkombëtare shumë të rëndësishme duke penguar lëvizjen e lirë të gazetarëve. Liria e shtypit nuk mund të ndalet në kufijtë e vendeve. Një incident i ngjashëm raportohet edhe më herët nga SEEMO, kur në gusht të vitit 2011 dy gazetarë maqedonas kanë pasur të njëjtin fat me reporterin shqiptar, Marin Mema, dhe janë penguar nga polica greke në detyrën e tyre të gazetarit. Goran Momirovski dhe Milena Gjorgjievska, të dy gazetarë maqedonas, ishin duke shoqëruar një grup qytetarësh nga Maqedonia (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), të cilët ishin duke u përpjekur për të marrë certifikatat e tyre të lindjes në Follorinë, në Greqi Veriperëndimore. Këta shtetas, të lindur në Greqi, jetonin në Republikën e Maqedonisë (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë).

Dy gazetarët kanë raportuar për SEEMO se, janë ndeshur me dhunën dhe agresivitetin e policëve grekë, të cilët u sekuestruan edhe të gjitha materialet filmike që kishin realizuar. Ndërsa disa muaj më vonë, njërit nga gazetarëve, Goran Momirovski, njësoj si në rastin e gazetarit të Top Channel, Marin Mema i ishte mohuar e drejta për të hyrë në Greqi gjatë një udhëtimi për pushime, dhe argumenti i dhënë nga policët ishte se gazetari përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare. Këto veprime të policisë kufitare greke duhet të hetohen dhe rreth tyre duhet të jepen shpjegime. Organizatat ndërkombëtare si KiE apo Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), gjithashtu duhet të hetojnë lidhur me praktikat e ndjekura nga autoritetet greke, shprehet sekretari i përgjithshëm i SEEMO, Oliver Vujoviç.

Protesta para ambasadës

Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënoi dje ndalimin për të hyrë në territorin grek të gazetarit të Top Channel, Marin Mema. Anëtarë të Unionit dhe personalitete nga shoqëria civile protestuan përpara ambasadës Greke në Tiranë, për këtë veprim të paprecedentë.  Ne si UGSH reagojmë ndaj këtij vendimi që është i paprecedentë. Konstatojmë me përgjegjësi profesionale se në asnjë nga rastet kur kolegu Mema ka bërë reportazhe, telereportazhe apo shkrime të ketë qenë i dhunshëm, të ketë përdorur një fjalor fyes, të ketë etiketuar apo apeluar në mënyrë të tillë që të nxisë urrejtje, apo të shkaktojë reagime nacionaliste ndaj palëve, apo ndaj personave, grupeve e minoriteteve të ndryshme”, tha drejtuesi i Unionit, Aleksandër Çipa. Sipas tij, kjo protestë është vetëm fillimi i një sërë hapash, që do të ndërmarrë Unioni i Gazetarëve në lidhje me rastin e gazetarit Marin Mema. Përmes një letre të hapur do t’i drejtohemi Presidentit të Republikës së Greqisë, Kryeministrit grek dhe ministrit të Jashtëm për ta rishikuar këtë vendim dhe për ta anuluar atë. Nesër para Ministrisë sonë të Jashtme do të bëjmë një tubim të tillë dhe do t’i drejtojmë një letër edhe Presidentit të Shqipërisë, Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm”, tha Çipa. Në një letër dërguar autoriteteve greke Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë kërkon të reagojnë në kohë, pasi rasti Mema është i paprecedentë në praktikën e shkëmbimeve dhe lëvizjes së lirë ndër vendet e Ballkanit dhe BE-së gjatë viteve të fundit. Një letër e posaçme i është dërguar nga ky Union dhe presidentit të BE-së. Edhe Alternativa Civile, me anë të një deklarate konstaton se vendimi i autoriteteve greke për të mos lejuar futjen në territorin grek të gazetarit shqiptar, Marin Mema, dhe vala e deklaratave politike që po shoqëron këtë incident, është duke prodhuar një mjedis aspak të favorshëm për marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje.

Protesta - Unioni i Gazetarëve do të protestojë sërish sot përpara Ministrisë së Jashtme për këtë akt të fqinjit jugor, i cili ndaloi gazetarin Mema

Ministria – Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë kërkoi sqarime nga ambasada greke në lidhje me këtë rast, ende autoritetet greke nuk kanë dhënë shpjegime

Intervista

Mema: Nuk kam bërë thirrje antigreke në emisione

Marin Mema

Gazetari i Top Channel, Marin Mema, të cilit pak ditë më parë iu ndalua hyrja në Greqi nga policia greke, ka deklaruar se në emisionet e tij nuk ka pasur kurrë thirrje antigreke. Duke folur në një intervistë për VOA, Mema i ka cilësuar absurde komunikimet e policisë greke, se ai përbënte rrezik për sigurinë publike të shtetit helen. Në emisionet që kam bërë unë, në fshatin Margëlliç, Gumenicë dhe Filat, ska pasur asnjëherë thirrje kundër Greqisë. Nuk kam kërkuar të krijoj probleme mes Shqipërisë dhe Greqisë, ka deklaruar Mema, i cili pretendon se ka bërë të kundërtën. Ai ka theksuar se madje, kam bërë emisione edhe në minoritetin grek, në zonën e Dropullit, ku kam treguar marrëdhëniet e mira mes shqiptarëve dhe minoritarëve. Gazetari Marin Mema është shpallur person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare në Greqi dhe për këtë arsye atij nuk i lejohet që të hyjë në territorin grek.

SEEMO: Greqia të japë llogari për ndalimin e gazetarit të Top Channel burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›