Pakti Detar, Bushati: Qeveria, dy vjet prapa vendimit të kushtetueses
Gaçi: Qeveria synon pakt të fshehtë me Greqinë
Bushati - Deklaratat e ministrit të Jashtëm dhe Turdiut janë kontradiktore dhe të lënë shijen e keqe që me një çështje kaq të rëndësishme spekulohet
Gaçi - Është e qartë që ky 100-vjetor i pavarësisë është kthyer në 100-vjetorin e hajdutërisë dhe më keq akoma në 100-vjetorin e tradhtisë kombëtare
BLEDAR HOTI
Opozita deklaron se Ministria e Punëve të Jashtme nuk po zbaton në kohë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e marrëveshjes së kufirit detar me Greqinë. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit, socialisti Ditmir Bushati, në një qëndrim të tij publik u shpreh se ngritja e grupit të punës duhet të ishte realizuar dy vite më parë. Pas rreth dy vitesh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me shfuqizimin e marrëveshjes së detit me Greqinë”, qeveria paska ngritur grup pune për të studiuar vendimin! Kjo gjë duhet të kishte ndodhur menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese së bashku me nxjerrjen e përgjegjësive për shkeljen kushtetuese të konsumuar e cila nuk parashkruhet!, reagon Bushati. Kryetari i Komisionit të Integrimit më tej thekson se ndërsa sot, Ministria e Punëve të Jashtme duhet të ishte në gjendje të prezantonte vizionin e saj strategjik me të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë për të arritur në një zgjidhje të drejtë, e jo të belbëzonte në mënyrë kontradiktore për një çështje kaq të rëndësishme!. Bushati për gazetën Shqip thekson rëndësinë e vendimit të zbatimit të Gjykatës Kushtetuese, paçka nëse ai është kundër qeverisë. Një shtet serioz me të dalë vendimi i Gjykatës Kushtetuese e zbaton dhe fillon korrektimin e praktikës, pavarësisht i pëlqen apo jo. Mbi bazën e zbatimit të tij fillon e përpunon strategjinë se si do ta trajtojë këtë çështje dhe më pas përfshin edhe grupet e tjera, thekson deputeti socialist. Bushati në të njëjtën kohë flet dhe për qëndrimet kontradiktore të kryediplomatit Panariti dhe zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme në lidhje me çështjen e grupit të punës apo për faktin e nisjes ose jo të negociatave. Deklaratat e ministrit të Jashtëm dhe sekretarit të Përgjithshëm, Turdiu, janë kontradiktore dhe të lënë shijen e keqe që me një çështje kaq të rëndësishme spekulohet e si përfundim nuk nxirret asgjë! Kjo është një gjyle që ia krijoi qeveria vetë vetes dhe tani sdi çtë bëjë me të!!!, thekson Bushati. Për çështjen e kufirit me Greqinë pati dy qëndrime të ndryshme në lidhje me nisjen ose jo të negociatave. Këto qëndrime të kundërta erdhën nga drejtuesit e lartë të MPJ-së, ministri Edmond Panariti dhe sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Turdiu. Opozita prej kohësh ka kërkuar transparencë nga ana e qeverisë për çështjen e marrëveshjes detare me Greqinë. Një apel i tillë u lëshua po dje dhe nga deputeti i PS-së, Artan Gaçi. Në një prononcim për mediat, Gaçi këmbënguli në kërkesën për transparencë të negociatave për kufirin detar. Është e qartë që ky 100-vjetor i pavarësisë është kthyer në 100-vjetorin e hajdutërisë dhe më keq akoma në 100-vjetorin e tradhtisë kombëtare. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që ti falen një shteti tjetër 354 kilometra katrorë e të mos mbajë përgjegjësi asnjë njeri në shtetin shqiptar, përkundrazi të rinisin iniciativa për të negociuar kilometra të tjerë për tua dhënë një shtetit tjetër. Kisha një propozim konkret sa i përket marrëveshjes detare që ishulli i Barketës mos të jetë më objekt negociatash me atë emër ndërkombëtar. Do doja të kishte një identitet të fortë shqiptar, një identitet të një njeriu që në atë moment shumë të rëndësishëm për atë pjesë të detit tregoi patriotizëm të vërtetë. Propozoj që ishullit të Barketës ti vihet emri i Myslym Pashës, tha socialisti. Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese shqiptare rrëzoi marrëveshjen e kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Ajo u ratifikua vetëm nga Kuvendi shqiptar, pasi Parlamenti grek nuk e ka ratifikuar atë. Pavarësisht se nuk e ka ratifikuar, pala greke po ushtron presion ndaj qeverisë shqiptare në mos ndryshimin e paktit të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. Ndërkohë që këto presione lidhen edhe me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Përflitet se Athina zyrtare do të bllokojë procesin e integrimit në rast të mospranimit të kushteve për paktin detar. Një gjë e tillë për momentin mohohet nga MPJ-ja shqiptare, sikurse ka bërë një veprim të tillë dhe për çështjen e projektit të gazsjellësit TAP.
Qëndrimet kontradiktore ndërmjet Panaritit dhe Turdiut për kufirin detar me Greqinë
Ministria e Punëve të Jashtme deklaron se nuk kanë nisur ende negociatat zyrtare me Greqinë për marrëveshjen kufitare detare. Qëndrimi zyrtar më i fundit u bë publik nga sekretari i përgjithshëm i MPJ-së, Gazmend Turdiu. Gjatë prononcimit për mediat, Turdiu bëri të ditur se mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk janë zhvilluar negociata të reja për riformulimin e marrëveshjes për delimitilimin e ujërave, duke u përplasur kështu me qëndrimin e mbajtur më 14 gusht nga kryediplomati Edmond Panariti. Ai bëri publik faktin se grupi i punës po negocion me palën greke për çështjen e kufirit me Greqinë. Nuk ka negociata me palën greke. Kjo është e padiskutueshme. Ka një grup pune i ngritur mbi bazën e urdhrit të Kryeministrit që ka detyrë të shqyrtojë situatën dhe të paraqesë propozime në aspektin teknik, për ti paraqitur këto propozime më pas në institucionet vendimmarrëse për shqyrtim dhe për vendimmarrje, deklaroi Turdiu. Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, më 14 gusht deklaroi se shteti shqiptar po negocion me palën greke për çështjen e paktit detar me fqinjin jugor. Duke konfirmuar për ngritjen e grupeve të punës, Panariti theksoi se së shpejti do të ketë rezultate konkrete. Kryediplomati shqiptar, në fillim të shtatorit, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Athinë, ku objekt i diskutimit do të jetë edhe pakti detar.
Kryediplomati
Në 14 gusht kryediplomati, Edmond Panariti, deklaroi ngritjen e një grupi pune për të negociuar për herë të dytë me palën greke për çështjen e kufirit detar mes dy vendeve
Negociatat dhe ngecja e paktit detar
2009 - Në këtë vit u nënshkrua pakti detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Një firmosje e tillë u bë në Tiranë nga ministrat e Jashtëm të dy vendeve, Basha dhe Bakojanis
2010 - Gjykata Kushtetuese shqiptare në unanimitet rrëzoi paktin detar të ratifikuar nga Parlamenti i Shqipërisë. Ajo konstatoi shkelje kushtetuese të paktit detar kufitar
2 vite - Kanë kaluar dy vite dhe ende Ministria e Jashtme nuk ka nxjerrë konkluzione në lidhje me vendimin e dhënë nga ana e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen në fjalë
Protesta
Aleanca Kuq e Zi ashpërson qëndrimin. Të heqin dorë nga kanali i Korfuzit, ndryshe kufijtë me Çamërinë
Tradhti - Nëse nuk hiqet, do vendosim ligjin e luftës me Greqinë