PS, Beqaj: Do të anulojmë kontratat koncesionare që janë në dëm të shqiptarëve
Përplasjet
Kryeministri akuzoi opozitën për shantazhe dhe presione për koncesionarët. Rama të kërkojë ndjesë për sheshin
BLEDAR HOTI
Kryeministri Sali Berisha akuzoi opozitën se po i kërcënon firmat koncesionare. Nuk ka ndonjë vend tjetër që në një hark të shkurtër kohor të ketë firmosur me sektorin privat kontrata për ndërtimin e 330 hidrocentraleve. Kjo garë vjen me lakmi në rritje. Përballë kësaj gare të pashembullt në ndonjë vend, në intensitetin e saj të madh, qëndrojnë deklaratat ziliqare, deklarata keqdashëse, të cilat kërcënojnë investitorët se nuk do të njohim këtë apo atë marrëveshje, se po jepen ujërat me koncesione. Dalin e i kërcënojnë çdo tri ditë, se nuk do të njohin marrëveshjet. Sa më shpesh të dilni të nderuar zotërinj, ju garantoj se largoheni me shpejtësi të rrufeshme nga horizonti i pushtetit. Kush është ai që mund të votojë për ata që thonë se do të kthejmë kohën mbrapa, për ata që duan ti privojnë shqiptarët nga pasuritë e tyre dhe vetë pushimet i kalojnë në kroçera. Tani janë bërë edhe virtualë. Rroftë ciu-ciu! Por Shqipërinë dixhitale, ne nuk e nisëm për të krijuar opozitën virtuale, tha Berisha në mbledhjen e qeverisë. Kryeministri theksoi se Rama duhet të kërkojë falje për bllokimin dyvjeçar të sheshit të Skënderbej. Sekretari për programin në PS, Ilir Beqaj, reagoi ndaj qëndrimit të shefit të ekzekutivit shqiptar. Saliu duhet të flasë për rendin publik, por heziton. Për fat të keq atentatet mafioze, vrasjet dhe grabitjet vazhdojnë nën hundën e Policisë së Shtetit. Kanë kaluar disa muaj dhe asnjë lajm nuk ka për zbulimin e fajtorëve të atentatit mafioz ndaj drejtuesve të Ceament Albania. Saliu duhet të flasë për korrupsionin e tmerrshëm në shërbimin doganor të denoncuar publikisht nga njerëz brenda këtij shërbimi, por heziton. Te ky korrupsion janë shkaqet e deficitit dhjetëra milionë dollarësh të krijuar në 7 muaj nga administrata fiskale, tha Beqaj. Më tej, ai theksoi se Ne do të rishikojmë të gjitha kontratat e partneritetit publikprivat dhe do të kërkojmë anulimin e të gjitha atyre marrëveshjeve që shkelin ligjin, në kushtet e konfliktit të interesit dhe në dëm të interesit të shqiptarëve. Po, po! Do të rishikojmë të gjitha kontratat në dëm të shqiptarëve të lidhura për interesa të oborrit të Saliut, qoftë familjar, qoftë politik, të Fazlliçit apo të Fazlliçëve.
PS, Beqaj: Do të anulojmë kontratat koncesionare që janë në dëm të shqiptarëve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip