E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama s’flet kurrë për rritje rrogash, mendon vetëm për monopolet e miliarderëve të tij

KORCE – Partia Demokratike mbylli sot fushatën elektorale në Bilisht të Korçës, ku kryeministri Berisha kërkoi mbështetjen e banorëve në zgjedhjet e 23 qershorit. Duke premtuar se fitorja e PD-së do të shndërrohet në mirëqenie për çdo qytetar, kryeministri Berisha sulmoi programin e socialistëve, duke akuzuar kryetarin Rama se mendon vetëm për “miliarderët e PS-së”.

“Fitorja e 23 qershorit do të shndërrohet në mirëqenie të ndjeshme për shqiptarët. Në projektin tonë shtylla kryesore e mirëqenies është punësimi juaj. Pse Edi Rama nuk shqipton fjalën rritje rrogash, pensionesh, sepse mendon vetëm për krijimin e monopoleve të miliraderëve të tij. Për ne fati i bardhë është integrimi në Europë. A e keni dëgjuar ndonjëherë të thotë fjalën integrim? U thotë shqiptarëve se BE nuk është as bukë, as ujë. Nuk e përmend se ka shkelmuar mbi këtë ëndërr tuajën, mbi këtë projekt madhështor.”- u shpreh Berisha.

Më tej kryeministri vijoi sulmet personale në drejtim të Ramës duke thënë: “Ai garon me vilë e pallat mbrapa, pa treguar se me çfarë i bleu. Kam 20 vjet në politikë, marr rrogë nga taksat tuaja, marr rogë të mirë dhe e vetmja që kam arritur të bëj është të kaloj nga një apartament me 80 metra katrore në një apartament 125 metra katrore.”

Lideri i demokratëve u premtoi fermerëve të Bilishtit më shumë subvencione e mbështetje për zhvillimin e fermave të tyre.

“Ne po ulim dhe do ulim gjithnjë e më shumë taksat për biznesin, në mënyre që biznesi të dyfishohet. Ju bëj sot thirrjen më vëllazëror, ju burrave e grave që vadisni me djersë tokat tuaja. Mendoni cilën politikë do të mbështesni. Politikën që sapo ju njoftova apo politikën që ju premton ju se do heqë akcizën e TVSH-në, e cila e tëra do të përfundojë në arkën e tregtarëve, asnjë qindarkë tek ju. Ne kemi filluar dhënien e parave në dorë. Mendoni cilën politikë do të ndiqni, politikën e mbrojtjes së prodhimeve tuaja, apo atë të heqjes së TVSH-së për prodhimet dhe krijimit të monopoleve për miliarderët e partisë. Ideja se kjo do ulë çmimet është një mashtrim i madh, asnjë çmim nuk do ulet. Monopolet tregtare do të rrënojnë fermat.”- theksoi kryeministri.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Berisha në Devoll: Votoni 44 se jemi mbrojtja e djersës suaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›