E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Devoll: Votoni 44 se jemi mbrojtja e djersës suaj

DEVOLL- Kreu i qeverisë Sali Berisha premtoi sot nga Devolli mbështetje të plotë për fermerët, duke kërkuar prej zgjedhësve të kësaj zone, që të votojnë për të mbrojtur prodhimin dhe djersën e tyre.

Pasi inauguroi rrugën Miras-Bilisht, Berisha në një miting elektoral akuzoi Edi Ramën dhe alternativën e PS si rrënuese për fermerët dhe shkatërrim të prodhimit të tyre.

“Me heqjen e TVSH për ushqimet ai do të marrë monopolet, kjo është ëndrra e tyre mbi monopolet e ushqimeve, asnjë vend nuk mund të ketë një ekonomi të qëndrueshme pa prodhim, prodhimi është alfa dhe omega e zhvillimit ekonomik, e mirëqenies, zotëria nuk mendon. Ku ka këtu një pëllëmbë tokë pa punuar, katër herë është rritur sipërfaqja e tokës së punuar këtyre viteve, ju ftoj ju fermerëve të Devollit dhe mbarë Shqipërisë, të mendoni mirë të dy politikat, pastaj të votoni”-tha Berisha.

Berisha premtoi rritjen e rrogave e pensioneve dhe trefishim te granteve per fermeret. “Politika jonë është rritje rrogash 700 dollarë, pensionet tuaja 150 dollarë, rrogë minimale 350 dollarë, sepse qytetarët duhet të kenë fuqi blerëse dhe ne ua krijojmë këtë mundësi, votoni për të mbrojtur djersën tuaj, të prodhoni gjithnjë më shumë e jo t’u konkurrojë qumështi i lopëve me 3 euro në ditë për kokë lope, ata që hedhin farën e grurit me avion dhe që kanë mijëra ha toka me drithëra. Na votoni ne, alternativën tonë se ne ju mbrojmë”- tha ai. 

Bode
Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi të mërkurën nga Devolli se në katër vitet që vijnë Partia Demokratike do të ketë në fokus investimet për infrastrukturën si dhe mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë.

Në ceremoninë e inaugurimit të rrugës Miras-Bilisht në Miras, ku është i pranishëm dhe Kryeministri Sali Berisha, ministri Bode tha se, ky investim prej 575 miionë lekësh do të ndihmojë në zhvillimin social-ekonomik të zonës, si dhe në rritjen e aksesit drejt qendrave administrative, shërbimeve shëndetësore dhe atyre arsimore.

Së shpejti, informoi Bode, do të ndërtohet edhe rruga e Vidovës duke krijuar kështu edhe unazën turistike që lidh këtë zonë me Dardhën.

Investimet e kësaj qeverie, vijoi më tej ai, nuk janë përqëndruar vetëm në rrugë, ujësjellës e kanalizime, por edhe për mbështejten e subvencionimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Në zonën e Devollit, sipas tij, në katër vitet e fundit janë mbjellë 550 ha plantacione, nga të cilat 320 ha janë financuar nga qeveria. Po ashtu, informoi Bode, "përmes një granti të Bashkimit Evropian ne po zbatojmë edhe progrmin e financimit të 50 % të vlerës së çdo investimi për industrinë agropërpunuese".

"Fondet për investime do të rriten shumë herë më tepër pas 23 qershorit, kur ne të zhbllokojmë bllokimin e bllokmenëve", deklaroi Bode.
Rruga Bilisht- Miras lidh 20 fshatra të këtyre komunave, jo vetëm me njëra-tjetrën, por edhe me superstradën Korçë-Bilisht-Kapshticë dhe qytetin e Bilishtit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›