E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama të heqë dorë nga ultimatumet

20/05/2011  I bën thirrje qytetarëve të mos ndërmarrin veprime dhunshme

“Ligji shqiptar e autorizon KQZ të shpallë vetëm rezultat përfundimtar, jo paraprak”

Kryeministri Berisha me anë të deklarate për shtyp reagoi në lidhje me zhvillimet politike gjatë këtyre ditëve të fundit në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndërmarrin veprime brutale, dhe njëkohësisht ai iu drejtua kreut të opozitës Edi Rama, duke i bërë thirrje që të ndalë ultimatumet e mos t’i ndajë qytetarët në socialistë e demokratë. “Ftoj qytetarët shqiptar të mos ndërmarrin veprime të verbra kundrejt institucioneve, sepse gjëja më e fundit që mund të realizojnë është të marrin mandate mbi shkrumën e fletëve të votimit. Të rrethosh 7 burra dhe 1 zonjë dhe punonjësit e tjerë, të cilët po bëjnë punë në përputhje me ligjin, u them atyre se qeveria dhe shteti është i fuqishëm, i them zotit Rama të heqë dorë nga çdo vendim që mund t’i cenojë ata, pasi ata janë shërbëtorët e ligjit dhe shtetit, ka një proces zgjedhor të cilin e kemi pranuar dhe votuar bashkërisht le ta ndjekim dhe t’i lëmë mënjanë ultimatumet”, u shpreh Kryeministri Berisha. Ai vlerësoi procesin, i cili ishte një sistem ndër më transparentët që ekziston deri më sot, pasi tha ai këto vota u numëruan para të gjithë shqiptarëve, madje pati kuti, të cilat u numëruan nga mbarëshqiptarët e ndërkombëtarët. “Në rast se votat, numërimi, procesi në të gjithë vendin nuk shënoi as edhe konfliktualitetin më të vogël, Rama bëri të kundërtën. Më datë 14 maj të 11 minibashkitë e Tiranës përfunduan numërimin e votave dhe dhanë një rezultat, i cili në momentin më të fundit, madje dhe pas mbylljes së numërimit nxori kandidatin e PS me 10 vota para. Ligji shqiptar i zgjedhjeve, nuk ka autorizuar KQZ-në të shpallë rezultat paraprak apo të përkohshëm, por de facto teknologjia e numërimit të votave e jep këtë automatikisht. Ky rezultat nuk është vënë në diskutim as edhe një herë të vetme nga askërkush, ky rezultat është shpallur nga kryetari i KQZ, në daljen e tij televizive si rezultat paraprak, por nuk u shpall zyrtarisht. Pasi ligji shqiptar e autorizon KQZ të shpallë vetëm rezultat përfundimtar, vetëm pas përfundimit të sistemit të ankesave”, deklaroi dje kreu i qeverisë.

Reagimi i PS-së

Pas deklaratës së Kryeministrit Berisha ka ardhur dhe reagimi i selisë rozë. Me anë të deputetit Erjon Braçe, tonet e të cilit dukeshin të zbutura, socialistët i kërkuan Kryeministrit që të qetësohet, dhe deklaratat e tyre t’i marrë më lehtë. Braçe, theksoi se, Berisha gënjen shqiptarët, pasi u shpreh se KQZ funksionon si KZAZ. Por tha ai, në asnjë nen të kodit, KQZ nuk legjitimohet si KZAZ për asnjë qytet. Më tej ai shtoi se, ato vota që Sali Berisha thotë se po numërohen, janë numëruar dhe cilësuar si të pavlefshme dhe nga çdo KZAZ respektive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›